Me 11 gusht të vitit 2021, Qeveria e Kosovës e miratoi Strategjinë për Sundimin e Ligjit 2021-2026. Pjesë e rëndësishme e këtij vendimi është edhe Plani i Veprimit për zbatimin e kësaj strategjie për vitet 2021-2023, zbatimin e së cilit do ta monitorojë dhe do ta koordinojë në mënyrë të vazhdueshme Ministria e Drejtësisë së bashku me institucionet e tjera kompetente, të cilat bashkërisht do ta përbëjnë Komitetin Drejtues dhe Organin Koordinues ndërinstitucional.
Plani për zbatimin e Strategjia për Sundimin e Ligjit i ka katër objektiva strategjike: 1) fuqizimi i sistemit gjyqësor dhe prokurorial; 2) fuqizimi i drejtësisë penale; 3) fuqizimi i qasjes në drejtësi; dhe 4) fuqizimi i luftës anti-korrupsion. Këto objektiva janë ndarë në pesëmbëdhjetë (15) objektiva tjera specifike në të cilat është bazuar Plani i Veprimit.
Institucionet zbatuese të aktiviteteve kanë arritur t’i kryejnë vetëm 43% të aktiviteteve të planifikuara.
Ministria e Drejtësisë ka pasur 148 aktivitete të planifikuara, ajo ka zbatuar vetëm 43% të tyre. 46% të aktivitete i ka në zbatim e sipër ndërsa 11% e aktiviteteve nuk ka filluar së zbatuari.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka pasur 90 aktivitete të planifikuara, janë zbatuar më shumë se gjysma e aktiviteteve, 51% e tyre. 38% të aktivitete janë në zbatim e sipër ndërsa 11% e aktiviteteve nuk kanë filluar së zbatuari.
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka pasur 63 aktivitete të planifikuara, janë zbatuar më shumë se gjysma e aktiviteteve, 57% e tyre. 29% të aktivitete janë në zbatim e sipër ndërsa 14% e aktiviteteve nuk kanë filluar së zbatuari.