Efikasiteti, Llogaridhënia dhe Integriteti i Sistemit Gjyqësor dhe Sistemit Prokurorial: Analizë e zbatimit të obligimeve ligjore nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial

Efikasiteti, Llogaridhënia dhe Integriteti i Sistemit Gjyqësor dhe Sistemit Prokurorial: Analizë e zbatimit të obligimeve ligjore nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial

Shkarko Dokumentin:
Efikasiteti, Llogaridhënia dhe Integriteti i Sistemit Gjyqësor dhe Sistemit Prokurorial: Analizë e zbatimit të obligimeve ligjore nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial

Prishtinë, 26 dhjetor 2016 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në mbështetje të projektit të Ambasadës Britanike në Kosovë, ka mbajtur të hënën konferencë për media, në të cilën ka prezantuar raportin e monitorimit të Këshillit Gjyqësorit të Kosovës (KGJK) dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për gjashtë mujorin e parë 2016: “Efikasiteti, Llogaridhënia dhe Integriteti i Sistemit Gjyqësor dhe Sistemit Prokurorial: Analizë e zbatimit të obligimeve ligjore nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial”.

Ehat Miftaraj hulumtues i lartë në IKD ka prezantuar gjetjet e raportit, të cilat janë shqetësuese sa i përket efikasitetit, llogaridhënies dhe integritetit të KGJK-së dhe KPK-së në zbatimin e obligimeve ligjore në kuadër të mandatit të tyre. “Këshillat vazhdojnë të përballen me mungesë të efikasitetit, llogaridhënies dhe integritetit në ushtrimin e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore. IKD ka gjetur se Këshillat gjatë miratimit të legjislacionit sekondar që derivon nga pakoja e ligjeve të gjyqësorit kanë devijuar, duke miratuar rregulla dhe vendime në kundërshtim me ligjin dhe duke zbatuar praktika dhe standarde të ndryshme”, tha Miftaraj.

Sipas tij, përkundër faktit se kanë kaluar gati gjashtë vite prej hyrjes në fuqi të pakos së ligjeve të gjyqësorit, Këshillat ende nuk kanë arritur të përmbushin obligimet ligjore për miratimin e legjislacionit sekondar. “Për ma tepër, gatë procesit të miratimit të rregullave dhe vendimeve, mungon debati përmbajtjesor në të dy Këshillat. Ka anëtarë që asnjëherë asnjë fjalë nuk e kanë folur gjatë mbledhjeve të Këshillave. Përderisa në KGJK ka diskutime nga shumica e anëtarëve për shumë pika, në KPK vërehet mungesë e demokracisë dhe dominimin i diskutimit nga dy tre anëtarë gjatë gjithë kohës”.

Miftaraj tha se KGJK ende nuk ka arritur të miratoj rregulloret bazike për zbatimin e obligimeve ligjore të pakos së ligjeve të gjyqësorit. “KGJK ende nuk ka miratuar Rregulloren për Publikimin e Aktgjykimeve, Rregulloren për Kualifikimin dhe Klasifikimin e Dokumenteve, Rregulloren për Gjykatën Supreme lidhur me Menaxhimin dhe Caktimin e Gjykatësve, Rregulloren për Gjykatën e Apelit lidhur me Menaxhimin dhe Caktimin e Gjykatësve. Poashtu, KGJK edhe një vit e gjysmë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve ligjore nuk ka arritur të funksionalizojë Degët e Gjykatave Themelore në Fushë Kosovë, Junik dhe Shtime”.

Sipas Miftaraj, edhe KPK njëjtë sikurse KGJK nuk i ka përmbushur obligimet ligjore të pakos së ligjeve të gjyqësorit as pas gati gjashtë vitesh të hyrjes në fuqi. “KPK ende nuk ka miratuar Rregulloren për Sekretariatin e KPK-së gjatë gjashtë mujorit të parë 2016, Rregulloren për Kualifikimin dhe Klasifikimin e Dokumenteve, Rregulloren për Standardizim lidhur me Ligjërimin e Prokurorëve, Procedurat Standarde të Veprimit lidhur me Evitimin e Konfliktit të Interesit dhe Rregulloren për Procedurat që Qeverisin Ankesat ndaj Vendimeve të KPK-së”.

Hulumtuesi i lartë Ehat Miftaraj tha se kjo dëshmon mungesën e vullnetit për të përmbushur obligimet ligjore, të cilat mundësojnë funksionimin efikas dhe efektiv të sistemit gjyqësor dhe sistemit prokurorial. “Efikasiteti i Këshillave në miratimin e këtyre akteve me rëndësi vitale për funksionimin e sistemit duhet të shtohet në mënyrë që t’iu përgjigjen nevojave dhe kërkesave për ushtrimin e përgjegjësive ligjore”.

IKD gjatë monitorimit ka gjetur se të dy Këshillat kanë miratuar, plotësuar dhe ndryshuar të njëjtat rregullore disa herë vetëm gjatë këtij gjashtë mujori. Kjo është rezultat i mungesës së planifikimit adekuat, mosvlerësimit të rrezikut gjatë hartimit të politikave dhe legjislacionit sekondar, mungesës së kapaciteteve profesionale dhe përshtatjes së interesave personale në këto akte.

Miftaraj tha se aspekti i llogaridhënies së Këshillave vazhdon të mbetet shqetësues. “Ka një varg obligimesh ligjore të pakryera nga Gjykatat dhe Prokuroritë për të cilat nuk ka kërkim të llogaridhënies nga KGJK dhe KPK. Për ma tepër, janë vetë Këshillat ata që nuk i përmbushin obligimet ligjore në këtë drejtim, duke instaluar në këtë mënyrë mungesën e kulturës së llogaridhënies dhe pandëshkueshmërinë në të gjitha hallkat e sistemeve. Kryetarët e Gjykatave e as Kryeprokurorët e Prokurorive nuk kanë raportuar sipas ligjit para Këshillave. Ky obligim nuk është përmbushur as nga Këshillat, të cilat është dashur të sigurohen se një gjë e tillë po zbatohet”. Sipas Miftaraj, përderisa KGJK ka miratuar Raportin Vjetor të Punës për Gjykatat dhe KGJK për vitin 2015, KPK një obligim të tillë nuk e ka përmbushur. “Në fakt, për herë të parë në kundërshtim me ligjin ka ndërruar praktika e miratimit të Raportit të Punës së Prokurorit të Shtetit. Raporti i PSh-së për vitin 2015 është miratuar në Kolegjiumin e Kryeprokurorëve, ndërsa i njëjti nuk është dërguar për shqyrtim dhe miratim në KPK, sikurse përcaktohet me ligj”.

Aspekt tjetër, për të cilin ka folur Miftaraj është procesi i vlerësimit të performancës dhe disiplinimit të gjykatësve dhe prokurorëve. “…Edhe pse janë ndërtuar në letër këta mekanizma në praktikë nuk po funksionojnë. Kanë kaluar gjashtë vite që kur KGJK nuk e ka bërë vlerësimin e performancës së asnjë gjykatësi. KPK ka bërë vlerësimin e performancës së vetëm 1/3 së prokurorëve aktual”. Ndërkohë, sipas tij, ka ankesa të vazhdueshme për mungesë të rezultateve dhe shkelje të vazhdueshme të Kodit të Etikës dhe Sjelljes Profesionale, masat disiplinore vazhdojnë të mungojnë për gjykatësit dhe prokurorët. “Mosfunksionimi i këtyre dy mekanizmave në praktikë dëshmon kritikat e vazhdueshme për mungesë të rezultateve konkrete dhe mungesë të llogaridhënies në sistemin e drejtësisë”.

Miftaraj theksoi se Këshillat sipas Kushtetutës dhe ligjit kanë obligim për të siguruar se sistemi gjyqësor dhe prokurorial e zbatojnë ligjin në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe të pavarur. “IKD gjatë monitorimit ka gjetur se janë vet Këshillat që gjatë procesit të vendimmarrjes, shkelin ligjet dhe rregulloret e miratuara nga vet ata. Miratimi i rregulloreve dhe vendimeve në kundërshtim me ligjin dhe aktet e brendshme të vet Këshillave, janë duke cenuar rëndë ligjshmërinë dhe legjitimitetin e sistemit të drejtësisë në Kosovë”.

Tutje, Miftaraj tha se ligji i aplikueshëm në Kosovë, iu ka siguruar pavarësi të plotë dy Këshillave në ushtrimin e funksioneve dhe përgjegjësive të tyre. “Fatkeqësisht, kjo pavarësi ka filluar të keqpërdoret nga dy Këshillat, duke zbatuar ligjin sipas interesave individuale të personave të caktuar brenda sistemit.  KPK që nga shkurti i këtij viti ka një anëtar me mandat të skaduar dhe i njëjti Këshill nuk ka ndërmarr asnjë veprim për të kthyer ligjshmërinë dhe legjitimitetin. Përkundrazi, duke u fshehur pas pavarësisë së sistemit të njëjtit vazhdojnë të nxjerrin vendime tjera të kundërligjshme”.

Miftaraj tha se qasja e tillë ndikon në humbjen e besimit të publikut në sistem të drejtësisë, dhe cenon rëndë integritetin e tij, duke dëmtuar vazhdimisht kredibilitetin dhe imazhin e tij. “Për më tepër këto praktika të Këshillave, duke qenë vetë shkelës të ligjit pa u frikësuar për pasojat, janë mesazhi më i keq për prokurorët dhe gjykatësit që kanë vullnet dhe guxim për të ushtruar funksionet e tyre me nder dhe dinjitet. Një qasje e tillë, ka ndikuar që tanimë pandëshkueshmëria të instalohet si standard i përditshëm”.

Arbelina Dedushaj dhe Diana Berisha, hulumtuese në IKD, kanë prezantuar rekomandimet konkrete për KGJK-në dhe KPK-në. Gjeni në vazhdim rekomandimet e prezantuara në konferencë.

 

REKOMANDIME PËR KGJK DHE KPK-NË:

  • Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial gjatë procesit të hartimit të politikave lidhur me zbatimin e pakos së ligjeve për KGJK-në dhe KPK-në të bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë aktivitetet në proceset që ndërlidhen me emërimin, ri-emërimin, transferimin, avancimin e gjykatësve dhe prokurorëve, si dhe proceset që ndërlidhen me emërimin e anëtarëve të KGJK-së, KPK-së dhe komisioneve përkatëse të dy Këshillave. KGJK dhe KPK të aplikojnë praktika dhe standarde unike dhe të harmonizuara lidhur me çështjet e lartpërmendura gjithnjë duke marr për bazë specifikat dhe fushë veprimtarinë që zhvillojnë dy Këshillat.

REKOMANDIME PËR KGJK-NË:

  • KGJK para miratimit të rregulloreve dhe akteve të brendshme të KGJK-së të planifikoj dhe vlerësoj rrezikun eventual para procesit të vendim marrjes, në mënyrë që praktika e deri tanishme e plotësimit dhe ndryshimit të rregullave dhe procedurave lidhur me procese të rëndësishme në sistemin gjyqësor.
  • KGJK të përmbush obligimet ligjore që dalin nga ligjet bazike mbi sistemin gjyqësor, duke përfshirë miratimin e legjislacionit sekondar.
  • IKD i rekomandon KGJK-së që me rastin e nxjerrjes së akteve nënligjore, është e mjaftueshme që t’i referohet vetëm bazës ligjore dhe vetëm në ato raste kur me ligj i është bartur një autoritet i tillë dhe jo domosdoshmërish duhet të referohet në dispozita Kushtetuese.
  • IKD i rekomandon KGJK-së që të përmbush obligimin ligjor dhe të ftoj Kryetarët e Gjykatave për të raportuar para KGJK-së lidhur me administrimin dhe menaxhimin e gjykatave respektive.
  • IKD i rekomandon KGJK-së të ndërmarr veprimet e nevojshme në themelimin e degëve të reja të gjykatave në Fushë Kosovë për Komunën e Fushë Kosovës dhe Komunën e Obiliqit, degën në Junik për Komunën e Junikut dhe degën në Shtime për Komunën e Shtimes, ashtu si e përcakton ligji.
  • IKD i rekomandon anëtarëve të KGJK-së që të luajnë rol aktiv në takime të Këshillit gjatë procesit të politik bërjes dhe vendim marrjes në Këshill.
  • IKD i rekomandon KGJK-së që të shfrytëzoj mekanizmat aktual për të luajtur një rol proaktiv në monitorimin dhe mbikëqyrjen e komisioneve të Këshillit, Sekretariatit dhe Njësitit për Vlerësimin e Performancës.
  • IKD i rekomandon KGJK-së që gjatë miratimit të raportit të punës së gjykatave për vitin 2016, të marr për bazë çështjet, si në vijim:
  • Cilat ishin sfidat e sistemit gjatë vitit raportues dhe si u trajtuan nga ana e Këshillit?
  • Të përcaktohen faktorët dhe indikatorët që patën ndikim (pozitiv/negativ) në punën e gjykatave gjatë vitit 2015.
  • Cilat ishin kufizimet (psh. buxhetore) dhe çfarë ndikimi patën në punën e gjykatave?
  • Si u tejkaluan pengesat dhe çfarë synohet që në të ardhmen të mos përsëriten?
  • Cilat ishin rezultatet dhe arritjet kryesore?
  • IKD i rekomandon KGJK-së që të përgatisë një plan të punës i cili duhet të këtë objektiva të qarta lidhur me vlerësimin e performancës së gjykatësve. KGJK duhet të përcaktoj një afat kohor prej tre apo katër viteve për vlerësimin e performancës të gjithë gjykatësve në Kosovë.

REKOMANDIME PËR KPK:

  • IKD i rekomandon KPK-së për të ri shqyrtuar Rregulloren për Transferimin dhe Avancimin e Prokurorëve të Shtetit, respektivisht nenin 9 të saj:
  • IKD i rekomandon KPK-së anulimin e Rregullores për Bashkëpunim Institucional.
  • IKD i rekomandon KPK-së zbatimin në praktikë të Rregullores për Komunikim Publik.
  • IKD i rekomandon KPK-së publikimin e Planin Strategjik (2016-2018) dhe Planin e Veprimit për Ngritjen e Efikasitetit të Sistemit Prokurorial në Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike, përfshirë Sekuestrimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme.  Edhe një vit pas miratimit të këtij plani nga KGJK me 1 dhjetor 2015, i njëjti nuk është publikuar.
  • IKD i rekomandon KPK-së në shqyrtimin e raportet e punës së Prokurorit të Shtetit për vitet 2015 dhe 2016.
  • IKD i rekomandon Sekretariatit dhe KPK-së të hartojnë, respektivisht KPK-së miratojnë raportet e punës së Këshillit për vitet 2015 dhe 2016.
  • IKD i rekomandon KPK-së të përmbush obligimet ligjore lidhur me vlerësimin e Performancës së prokurorëve.
  • IKD i rekomandon Drejtorit të Sekretariatit të përmbush obligimet ligjore ndaj KPK-së;
  • IKD i rekomandon KPK-së fillimin e procesit të rekrutimit të Drejtorit të Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorëve.
  • IKD i rekomandon KPK-së dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit në miratimin e planit të punës së Prokurorit të Shtetit për vitin 2016.
  • IKD i rekomandon KPK-së të raportoj para publikut për zbatimin e objektivave të saj të përcaktuara në mënyrë specifike dhe të bazuar në indikator të matshëm çdo gjashtë (6) muaj.
  • IKD i rekomandon KPK-së të thërras Kryeprokurorët e të gjitha prokurorive për të raportuar lidhur me menaxhimin dhe administrimin e prokurorive përkatëse.
  • IKD i rekomandon anëtarëve të KPK-së të ushtrojnë kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre në pajtim me ligjin, duke u siguruar që të kthehet ligjshmëria dhe legjitimiteti në Këshill;
  • IKD i rekomandon KPK-së të vlerësoj dhe anuloj të gjitha vendimet e kundërligjshme të miratuara në Këshill.
  • IKD i rekomandon anëtarëve të KPK-së që gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre të kenë rol aktiv, përmes pjesëmarrjes në diskutim dhe debat gjatë procesit të politik bërjes dhe vendimmarrjes në KPK.