Drejtësia në zgjedhjet 2013 në Prishtinë

Drejtësia në zgjedhjet 2013 në Prishtinë

Drejtësia në zgjedhjet 2013 në Prishtinë

Prishtinë, 22 tetor – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit kanë organizuar të martën tryezën e gjashtë me radhë “Drejtësia në zgjedhjet e 3 nëntorit”, me pjesëmarrjen e të gjithë akterëve të institucioneve të drejtësisë të nivelit qendror dhe lokal, me kandidatët e partive politike, shoqërinë civile dhe mediat.


Qëllimi i kësaj tryeze ishte ngritja e debatit dhe senzibilizimi i të gjithë akterëve, partive politike dhe opinionit të gjerë rreth gatishmërisë së institucioneve të drejtësisë për të luftuar çdo veprim në drejtim të manipulimit të votave në zgjedhjet e 3 nëntorit 2013. Betim Musliu nga IKD, tha se për dallim nga zgjedhjet e kaluara, në të cilat roli i organeve ndjekëse nuk ka qenë proaktiv, sivjet me inciativë të Kryeprokurori të Shtetit janë aktivizuar institucionet e drejtësisë, duke luajtur rol proaktiv në parandalimin dhe luftimin e veprave penale kundër të drejtave të votimit. Ky rol proaktiv, ishte edhe rekomandim i dal nga raporti i IKD-së, “Krimi i Organizuar në zgjedhje: Analizë e politikës së ndjekjes dhe dënimeve”. Musliu tha se krijimi i Procedurave Standarde të Veprimit (PSV) do të obligojë policinë dhe prokurorinë që në secilin rast ku ka persona të përfshirë në krime të zgjedhjeve, të hetohen elementet e krimit të organizuar në zgjedhje. IKD do të monitorojë zbatimin e Memorandumit të Bashkëpunimit “Lidhur me zgjedhjet 2013, prej të cilave burojnë PSV-të.


Koordinatorja Nacionale për zgjedhje nga Prokurori i Shtetit, znj. Laura Pula, tha se Prokurori i Shtetit është shumë proaktiv, pasi ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi dhe ka krijuar PSV. Ajo tha se parimi kryesor që del nga PSV-të është ndalim/arrestimi i të gjithë personave të cilët në një apo mënyrë tjetër do të veprojnë kundër të drejtave të votimit. Pula tha se janë caktuar 50 prokuror në të gjithë territorin e Kosovës që së bashku me Hetues nga Policia e Kosovës do të kooperojnë për të luftuar çdo lloj veprimtarie që biesh ndesh me veprat penale kundër të drejtave të votimit. “Këtë herë bazuar edhe në PSV do të reagojmë dhe arrestojmë edhe ata persona, të cilët në rastet kur kryhen veprat penale kundër të drejtave të votimit nuk lajmërojnë përgjegjësit ndërsa obligohen ta bëjnë këtë … Do të ndalojmë edhe ata persona që deklarojnë rrejshëm, të cilat krijojnë opinion të gabuar për qëllime të caktuara”. Për zgjedhjet e 3 nëntorit, Pula tha se tashmë kanë inicuar disa raste të cilat janë nën hetime dhe kanë shqiptuar masa të caktuara ndaj personave të dyshuar për këto zgjedhje. Ajo ka inkurajuar të gjithë qytetarët, partitë politike dhe shoqërinë civile që të raportojnë rastet e keqpërdorimeve në polici dhe prokurori.


Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, z.Imer Beka, tha se kjo prokurori për zgjedhjet e 3 nëntorit ka caktuar prokurorët kujdestar që do të bashkëpunojnë me hetuesinë dhe policinë për Rajonin e Prishtinës. “Për të gjitha komunat kemi caktuar prokurorët kujdestar që do të reagojnë me urgjencë në të gjitha rastet që mund të paraqiten”.


Koordinatori për zgjedhje nga Policia e Kosovës, z. Rashit Qalaj, tha se organet policore si gjithmonë edhe këtë herë kanë bërë përgatitjet e nevojshme për të siguruar procesin zgjedhor. “Policia e Kosovës si gjithmonë edhe këtë herë ka analizuar përvojat e zgjedhjeve të kaluara dhe ka përgatitur planet e veprimit, të cilat do të mundësojnë një bashkëpunim të ngushtë me prokurorët, me të cilët si asnjëherë më parë do të sigurohet një zbatim efikas i PSV-ve”. Koordinatori Qalaj, tha se tashmë partitë politike por edhe opinioni publik e ka kuptuar se nuk do të ketë pardon për askend, duhet ta dinë të gjithë se veprimet do të jenë urgjente në përputhje me ligjin për të luftuar çdo manipulim me votat.


Pjesa e diskutimeve me të gjithë pjesëmarrësit nga partitë politike, pjesa dërrmuese kandidatë për kryetar, shefat e shtabeve zgjedhore, kandidat për asambleistë nga partitë politike, drejtorët e shkollave njëherësh menaxherët e vendvotimeve, shoqëria civile dhe mediat ishte shumë aktiv për tu informuar me rolin e institucioneve të drejtësisë. Pjesëmarrësit në diskutime kanë përgëzuar iniciativën dhe kanë shprehur shqetësimet e tyre rreth pastrimit të listës së votuesve, menaxherëve të vendvotimeve, emërimit të komisionerëve të partive politike, ndaljen e rrymës në kohën kur fillon procesi i numërimit të votave, etj.


Ky aktivitet është pjesë e serisë së tryezave të diskutimit në qendrat kryesore të Kosovës, që zhvillohen në kuadër të projektit “Iniciativa për ngritje të efikasitetit të institucioneve të drejtësisë për zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike në Kosovë” që përkrahet nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë. Tryeza e radhës dhe e fundit do të mbahet nesra në Gjilan (e mërkurë, 23 tetor).