Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit kanë organizuar të mërkurën në Gjilan tryezën e shtatë dhe të fundit “Drejtësia në zgjedhjet e 3 nëntorit”, me pjesëmarrjen e të gjithë akterëve të institucioneve të drejtësisë të nivelit qendror dhe lokal, me kandidatët e partive politike, shoqërinë civile dhe mediat.
Përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë kanë paralajmëruar masa të rrepta ndaj të gjithë keqpërdoruesve eventualë të votave që mund të ndodhin lidhur me zgjedhjet e 3 nëntorit të këtij viti. Koordinatorja Nacionale për zgjedhje nga Prokurori i Shtetit, znj. Laura Pula, tha se institucionet e drejtësisë për zgjedhjet e 3 nëntorit janë përgatitur si asnjëherë më parë për të luajtur rol proaktiv në parandalimin dhe luftimin e të gjitha veprave penale kundër të drejtave të votimit. Pula, tha se institucionet e drejtësisë kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit “Lidhur me zgjedhjet 2013”, nga i cili Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë përpiluar Procedurat Standarde të Veprimit (PSV), që sigurojnë efikasitetit për luftimin e të gjitha veprave penale kundër të drejtave të votimit. Pula theksoi se në të gjithë Kosovën do të jenë kujdestar 50 prokuror së bashku me Hetues nga Policia e Kosovës. “Parimi kryesor që del nga PSV-të është ndalim/arrestimi i të gjithë personave të cilët në një apo mënyrë tjetër do të veprojnë kundër të drejtave të votimit”.
Komunikatën e plotë mund ta gjeni duke klikuar këtu.