Prishtinë, 30 gusht 2018 – Ambasadori Amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka mbajtur një ligjeratë para juristëve të rinj, përfshi stafin e praktikantëve monitorues të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD).
Ambasadori Delawie në fund të mandatit të tij si ambasador i shtetit mik të Kosovës, deklaroi se sipas hulumtimeve në arkivat në Uashington, Kosova kurrë nuk ka pasur më shumë se 15 mijë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). “Pres hetime të mëtejme dhe veprime për ta eliminuar hendekun e stërmadh në mes të numrit të pensioneve dhe numrit të luftëtarëve të identifikuar pas luftës. I kemi hulumtuar arkivat në Uashington dhe Kosova kurrë nuk ka pohuar që ka pasur me shumë se 15 mijë luftëtarë të UÇK-së”, ka deklaruar Delawie.
“Është marramendëse se si numri i përfituesve, 20 vjet pas konfliktit, po rritet e nuk po zvogëlohet. Shkurt, nuk po del llogaria.”
Delawie u bëri thirrje që politikanët e Kosovës të heqin dorë nga ndikimi në drejtësi sidomos kur bëhen hetime për korrupsion.
“Kosovës i duhen udhëheqës guximtarë sepse Kosova do të gjykohet: nga vetë qytetarët e saj, nga qeveritë evropiane dhe të tjerët, si unë, që po vështrojnë – jo për faktin se ekziston një skandal i korrupsionit të nivelit të lartë, por për mënyrën se si do ti trajtojë problemet që ky rast i ka nxjerrë në shesh”, thekosi ai.
Ambasadori përsëriti se Kosova duhet të jetë e përkushtuar për fuqizimin sa më të shpejtë të sundimit të ligjit.