Studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së vizituan Agjencinë për Informim dhe Privatësi

Studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së vizituan Agjencinë për Informim dhe Privatësi

Studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së vizituan Agjencinë për Informim dhe Privatësi

Prishtinë, 23 nëntor 2026 – Studentët e Programit të Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), të shoqëruar nga menaxherja e programeve në IKD, Arrita Rezniqi, të hënën, kanë vizituar Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP).

Ata u pritën nga Komisionerja e AIP-së, znj. Krenare Sogojeva Dërmaku, dhe Drejtorja e Përgjithshme e AIP-së, znj. Lumnije Demi.

Gjatë takimit, studentët u informuan për rolin dhe përgjegjësitë e AIP-së në zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Diskutimi u përqendrua te e drejta për informim dhe e drejta për privatësi, si dy shtyllat kryesore të punës së AIP-së.

Komisionerja i informoi studentët edhe për rëndësinë e qasjes në dokumente publike dhe mbrojtjes së të dhënave personale për transparencën dhe llogaridhënien në një shoqëri demokratike.

Komisionerja i njoftoi studentët me çështje që lidhen me mbrojtjen e të dhënave personale, përfshirë të dhënat që identifikojnë një person drejtpërdrejt ose tërthorazi, përdorimin e kamerave të sigurisë dhe mbrojtjen e privatësisë. U diskutua edhe për sigurinë dhe privatësinë në epokën e inteligjencës artificiale, blerjet online dhe politikat e privatësisë, si dhe për raste praktike e aktuale. Ajo i inkurajoi të raportojnë rastet kur u cenohen të drejtat dhe, në fund, ndau me ta këshilla për zhvillimin e tyre profesional dhe ushtrimin e ardhshëm të profesionit.

Studentët patën mundësi t’i parashtrojnë pyetje Komisioneres dhe Drejtores së AIP-së për procedura të caktuara dhe çështje të tjera aktuale që lidhen me mbrojtjen e privatësisë dhe qasjen në dokumente publike.

Vizita u realizua me qëllim të ofrimit të përvojës praktike për studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së dhe të zgjerimit të njohurive të tyre profesionale për sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Krahas vizitave, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore ndjekin programin trajnues për ngritjen e njohurive profesionale, angazhohen në monitorim dhe marrin pjesë drejtpërdrejt në punën e Qendrës për Ndihmë Juridike Falas të IKD-së, ku ofrohet ndihmë juridike.