IKD publikon analizën “Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, kërkon përgjegjësi penale për moszbatimin e qëllimshëm të tyre

IKD publikon analizën “Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, kërkon përgjegjësi penale për moszbatimin e qëllimshëm të tyre

IKD publikon analizën “Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, kërkon përgjegjësi penale për moszbatimin e qëllimshëm të tyre

Prishtinë, 6 nëntor 2026 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me mbështetje të Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Prishtinë, ka publikuar sot analizën “Moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, në një tryezë diskutimi të mbajtur në European House në Prishtinë, ku morën pjesë deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe pjesëmarrës të tjerë.

Në hapje të tryezës, Hulumtuesi i Lartë i IKD-së, Naim Jakaj, prezantoi gjetjet kryesore të analizës, duke theksuar se, pavarësisht detyrueshmërisë kushtetuese, vendimet e Gjykatës Kushtetuese në raste të ndryshme nuk janë zbatuar ose janë zbatuar me vonesa të konsiderueshme. Ai përmendi rastin e 572 punëtorëve të Fabrikës së Çelikut në Ferizaj, rastin e Fadil Hoxhës dhe 59 qytetarëve të Prizrenit, si dhe rastet që lidhen me Ligjin për Pagat dhe konstituimin e Kuvendit.

Jakaj theksoi se moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese cenon të drejtat e qytetarëve, sigurinë juridike dhe besimin në institucionet e shtetit. Ai identifikoi si problem edhe mungesën e përfshirjes së shprehur të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në nenin 394 të Kodit Penal, duke theksuar nevojën për përgjegjësi të qartë penale në rastet e moszbatimit të qëllimshëm dhe të pajustifikuar.

Duke folur për Nismën Legjislative Qytetare, Jakaj bëri të ditur se 12.120 qytetarë e kanë mbështetur propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal, i cili është dorëzuar në Kuvend më 26 tetor 2026. Ai kërkoi që Kuvendi ta trajtojë me seriozitet nismën, e cila përfshin edhe përgjegjësinë penale për përdorimin e parasë publike për përfitim elektoral.

Nënkryetarja e Kuvendit dhe deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, shprehu mbështetjen për nismën e IKD-së, duke theksuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen pavarësisht qëndrimeve politike të partive.

“Me çfarë autoriteti ne mund të u themi qytetarëve të Kosovës të zbatojnë ligjin kur vetë institucioni e shkel atë vazhdimisht”, tha Çitaku.

Ajo theksoi se edhe PDK-ja ka detyrim t’i respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe se publiku ka të drejtë të kërkojë llogari nga çdo institucion përgjegjës për moszbatimin e tyre.

“Kur një zyrtar publik i veshur me kompetencë dhe zgjedh me dashje të shpërfillë një vendim të detyrueshëm kjo çështje kërkon trajtim shumë më serioz se që e kemi pasur”, deklaroi Çitaku.

Çitaku propozoi gjithashtu krijimin e një komisioni parlamentar që do të kërkonte raportim publik për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke identifikuar institucionet përgjegjëse, veprimet e nevojshme dhe afatet për përmbushjen e detyrimeve.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, theksoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme dhe nuk duhet të trajtohen si rekomandime.

“Në një shtet demokratik vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të shihen si rekomandime, por ato janë të obligueshme”, tha Zemaj.

Ai shtoi se në diskutimet që prekin interesat thelbësore të shtetit duhet të marrin pjesë të gjitha partitë politike.

Deputeti i AAK-së, Burim Ramadani, deklaroi se mosndëshkueshmëria për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është normalizuar dhe se debati politik mbi vendimet shpesh merr më shumë vëmendje sesa zbatimi i tyre.

“Pra, duket që në këtë kuptim, diskutimi politik mbi atë se çka ka thënë Gjykata Kushtetuese ka më shumë vlerë sesa vetë vendimi”, tha Ramadani.

Ai kritikoi gjithashtu mungesën e qëndrimeve publike të Qeverisë lidhur me moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar këtë si sinjal negativ.

Hulumtuesi i Lartë i IKD-së, Gzim Shala, theksoi se moszbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese nënkupton edhe mosrespektimin e vetë Kushtetutës. Sipas tij, standardet ndërkombëtare kërkojnë zbatimin e këtyre vendimeve, por nuk e imponojnë domosdoshmërisht kriminalizimin e moszbatimit të tyre.

Shala shpjegoi se IKD ka propozuar ndryshimin e nenit 394 të Kodit Penal, duke synuar që përgjegjësia penale të kufizohet në rastet e moszbatimit të qëllimshëm, pa përfshirë vonesat apo vështirësitë objektive.

“Ajo që shpresojmë dhe synojmë, dhe që e kemi përmendur edhe në punim, nuk është shtimi i procedurave penale për moszbatimin e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ndoshta mënyra më adekuate dhe rezultati më i madh që mund të arrijmë në këtë rast është pikërisht mungesa e procedurave penale”, deklaroi Shala.

Në tryezë nuk morën pjesë përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Në përfundim, IKD ritheksoi rëndësinë e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe nevojën që Kuvendi ta shqyrtojë Nismën Legjislative Qytetare, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit, sigurisë juridike dhe përgjegjësisë së institucioneve.