IKD: Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 konfirmon gjendjen shqetësuese në sundimin e ligjit dhe dështimin për të avancuar reformat

IKD: Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 konfirmon gjendjen shqetësuese në sundimin e ligjit dhe dështimin për të avancuar reformat

IKD: Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 konfirmon gjendjen shqetësuese në sundimin e ligjit dhe dështimin për të avancuar reformat

Prishtinë, 4 nëntor 2026 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerëson se Raporti i Komisionit Evropian (KE) për Kosovën për vitin 2026 paraqet një pasqyrë shqetësuese të gjendjes së sundimit të ligjit, funksionimit të institucioneve demokratike dhe zbatimit të reformave. Gjetjet e raportit dëshmojnë se Kosova vazhdon të përballet me probleme serioze dhe të përsëritura, të cilat janë evidentuar edhe në raportet e viteve paraprake, pa u adresuar në mënyrë të qëndrueshme nga institucionet përgjegjëse.

Veçanërisht shqetësues është vlerësimi i Komisionit Evropian se gjatë periudhës raportuese Kosova nuk ka shënuar progres në funksionimin e gjyqësorit. Ky vlerësim paraqet përkeqësim krahasuar me tri vitet paraprake, kur progresi ishte vlerësuar si i kufizuar. Për më tepër, KE ka evidentuar zhvillime shqetësuese në respektimin e të drejtave themelore dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë.

IKD vlerëson se këto gjetje nuk duhet të trajtohen si probleme të izoluara të një viti, por si vazhdimësi e mangësive strukturore, vonesave në reforma dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale. Për vite me radhë, raportet e KE-së kanë identifikuar pothuajse të njëjtat sfida, ndërsa masat e ndërmarra nuk kanë qenë të mjaftueshme për të siguruar ndryshime thelbësore.

Kriza politike dhe institucionale që ka përcjellë Kosovën që nga zgjedhjet e shkurtit 2025 e ka rënduar edhe më tej këtë gjendje. Bllokadat në funksionimin e institucioneve, zgjedhjet e përsëritura dhe vonesat në vendimmarrje kanë penguar zbatimin e reformave të domosdoshme, duke ndikuar negativisht në agjendën e integrimit evropian.

Drejtësia: nga progresi i kufizuar në mungesë progresi

Vlerësimi i KE-së për mungesën e progresit në funksionimin e gjyqësorit përbën një nga gjetjet më serioze të raportit të vitit 2026. Në vend të konsolidimit të reformave, sistemi i drejtësisë vazhdon të përballet me sfida që ndërlidhen me pavarësinë, llogaridhënien, efikasitetin dhe funksionimin institucional.

Veçanërisht shqetësuese janë konstatimet lidhur me ndikimet e papërshtatshme politike dhe ekonomike në sistemin e drejtësisë. Pavarësia e gjyqësorit dhe prokurorisë përbën parakusht për funksionimin e shtetit të së drejtës, ndërsa çdo përpjekje për ndikim apo ndërhyrje e cenon besimin e qytetarëve në drejtësi.

IKD vlerëson se vonesat në miratimin dhe zbatimin e reformave, përfshirë legjislacionin sipas që rrjedh nga procesi i reformës sipas deklaratës së përbashkët të zotimeve, kanë ndikuar në vazhdimin e problemeve të evidentuara nga KE-ja. Reformat nuk mund të konsiderohen të suksesshme nëse ato vetëm iniciohen apo vetëm formalisht miratohen.

Luftimi i korrupsionit: mungesë e rezultateve të qëndrueshme

Edhe në luftimin e korrupsionit, raporti vazhdon të evidentojë progres të kufizuar. Kjo tregon se përpjekjet institucionale ende nuk kanë arritur të krijojnë rezultate të qëndrueshme, veçanërisht në trajtimin e korrupsionit të nivelit të lartë.

IKD vlerëson se luftimi efektiv i korrupsionit kërkon jo vetëm një kornizë ligjore adekuate, por edhe institucione të pavarura, hetime profesionale, ndjekje penale efektive dhe vendime gjyqësore përfundimtare. Përmirësimet në tregues të caktuar nuk mund të zëvendësojnë nevojën për rezultate të qëndrueshme dhe të matshme në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Për më tepër KE paraqet faktin që Kosova ende nuk ka një kornizë strategjike gjithëpërfshirëse për luftimin e korrupsionit dhe nuk ka një qasje koherente për forcimin e përpjekjeve antikorrupsion.

Mungesa e progresit domethënës në këtë fushë, e përsëritur në raportet e KE-së, duhet të shërbejë si alarm për institucionet përgjegjëse dhe si bazë për masa konkrete korrigjuese.

Kuvendi dhe Qeveria: kriza institucionale pengoi reformat

Raporti i vitit 2026 evidenton se procesi i reformave të ndërlidhura me integrimin evropian është penguar nga kriza e zgjatur institucionale. Mosfunksionimi i rregullt i institucioneve dhe mungesa e stabilitetit politik kanë ndikuar në procesin legjislativ, mbikëqyrjen parlamentare dhe zbatimin e politikave publike.

Kuvendi i Kosovës duhet të jetë institucioni qendror i përfaqësimit demokratik, ligjvënies dhe kontrollit parlamentar ndaj Qeverisë. Megjithatë, krizat e vazhdueshme politike kanë dobësuar aftësinë e tij për të ushtruar këto funksione në mënyrë efektive.

Në të njëjtën kohë, mungesa e funksionimit të plotë dhe të qëndrueshëm të institucioneve ekzekutive ka penguar avancimin e reformave, përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe zbatimin e agjendës evropiane.

IKD konsideron se përgjegjësia për këtë gjendje nuk mund t’i atribuohet vetëm rrethanave politike. Institucionet dhe subjektet politike kanë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për krijimin e kushteve që sigurojnë funksionimin demokratik, respektimin e Kushtetutës dhe vazhdimësinë e reformave.

Reforma e administratës publike: përmirësime të pjesshme, probleme të vazhdueshme

Në reformën e administratës publike, raporti evidenton disa përparime, por problemet strukturore vazhdojnë të mbeten të pranishme. Profesionalizimi i shërbimit civil, rekrutimi mbi bazën e meritës, llogaridhënia dhe zbatimi efektiv i reformave vazhdojnë të kërkojnë angazhim institucional.

IKD vlerëson se një administratë profesionale dhe e depolitizuar është parakusht për qeverisje efektive dhe zbatim të qëndrueshëm të ligjeve dhe politikave publike. Pa kapacitete të qëndrueshme institucionale dhe pa respektim të meritokracisë, edhe reformat e miratuara rrezikojnë të mbeten vetëm në nivel formal.

Raporti i KE-së, po ashtu evidenton kritikat e shoqërisë civile për mungesë transparence dhe parregullsi në përzgjedhjen e anëtarëve të KPM-së dhe RTK-së, si dhe për vendimet dhe gjobat e KPM-së ndaj mediave, ligjshmëria e të cilave është kontestuar. Veçanërisht shqetësues mbetet mosfunksionimi i Bordit të Ankesave të KPM-së që nga nëntori 2023, ndërsa RTK vazhdon të përballet me krizë të rëndë financiare dhe mungesë të një modeli të qëndrueshëm e të pavarur financimi.

IKD kërkon përgjegjësi institucionale dhe ndryshim të qasjes ndaj reformave

Për IKD-në, mesazhi kryesor i Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2026 është se Kosova nuk mund të vazhdojë me të njëjtën qasje ndaj reformave dhe të presë rezultate të ndryshme.

Raportet e njëpasnjëshme të KE-së kanë identifikuar probleme të ngjashme në sundimin e ligjit, drejtësi, korrupsion, administratë publike dhe funksionimin e institucioneve demokratike. Përsëritja e këtyre gjetjeve tregon se problemet nuk janë adresuar me seriozitetin dhe efektivitetin e nevojshëm.

IKD u bën thirrje Kuvendit, Qeverisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të ndërmarrin masa konkrete për adresimin e rekomandimeve të KE-së, duke përcaktuar përgjegjësi të qarta institucionale, afate të matshme dhe mekanizma transparentë të raportimit.

Prioritet duhet t’u jepet reformave që forcojnë pavarësinë dhe llogaridhënien e gjyqësorit dhe prokurorisë, përmirësojnë rezultatet në luftimin e korrupsionit, sigurojnë funksionimin efektiv të Kuvendit dhe Qeverisë dhe avancojnë profesionalizimin e administratës publike.

IKD thekson se raporti i vitit 2026 duhet të shërbejë si një thirrje serioze për ndryshimin e qasjes institucionale. Kosova nuk ka nevojë për përsëritjen e premtimeve për reforma, por për institucione funksionale, përgjegjësi politike dhe rezultate të matshme.

Vazhdimi i stagnimit dhe përkeqësimi i gjendjes në fusha të caktuara të sundimit të ligjit nuk e dëmtojnë vetëm procesin e integrimit evropian, por mbi të gjitha cenojnë të drejtën e qytetarëve për drejtësi efektive, siguri juridike dhe qeverisje të përgjegjshme.