Prishtinë, 29 korrik 2026 – Instituti i Kosovës për Drejtësi shpreh shqetësim për moszbatim të aktgjykimeve të gjykatës nga Departamentet e Pensioneve – Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare (MPFVLÇ) lidhur me pensionet e kategorive të dala nga lufta. Këto vendime u njohin qytetarëve të drejtën për pension të dyfishtë.
Rastet e trajtuara nga Qendra për Ndihmë Juridike Falas e IKD-së tregojnë se nuk bëhet fjalë për raste të izoluara. Edhe pas përfundimit të procedurave gjyqësore, MPFVLÇ në raste të caktuara nuk i ekzekuton aktgjykimet, nuk i alokon mjetet financiare tek qytetarët përfitues të kësaj të drejte ose nxjerr vendime të reja që bien ndesh me atë që ka vendosur gjykata.
Në praktikë, kjo sjellje manifestohet në forma të ndryshme të moszbatimit të vendimeve gjyqësore.
Në disa raste, edhe kur e drejta është konfirmuar nga të gjitha instancat gjyqësore, përfshirë edhe Gjykatën Supreme, aktgjykimet vazhdojnë të mos ekzekutohen, duke mos u alokuar mjetet financiare për qytetarët përfitues, të cilët mbesin pa i realizuar përfitimet që u janë njohur me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Në raste të tjera, kur gjykata e anulon vendimin administrativ dhe e kthen çështjen në rivendosje, ndërsa Ministria nxjerr përsëri vendim refuzues me të njëjtin arsyetim. Kthimi i çështjes në rivendosje nuk i jep Ministrisë të drejtë ta përsërisë vendimin e anuluar, pa i marrë në konsideratë vërejtjet dhe udhëzimet e gjykatës. Pra, ajo është e obliguar ta respektojë qëndrimin juridik të gjykatës dhe ta shqyrtojë rastin sipas udhëzimeve të saj.
Veçanërisht shqetësuese janë rastet kur pavarësisht se qytetarëve u është njohur e drejta me aktgjykime të plotfuqishme, Ministria vazhdon t’ua ndërpresë këtë të drejtë duke nxjerrë vendime të reja të mbështetura në të njëjtat arsye faktike dhe juridike që tashmë janë shqyrtuar dhe refuzuar nga gjykatat. Këto veprime jo vetëm që bien ndesh me autoritetin e vendimeve gjyqësore dhe parimin e res judicata, por krijojnë një situatë ku administrata publike, në vend se të zbatojë vendimet e gjykatave, i detyron qytetarët të përballen me procedura të përsëritura administrative dhe gjyqësore për të njëjtën çështje, duke cenuar rëndë sigurinë juridike dhe efektivitetin e mbrojtjes gjyqësore.
Kur me aktgjykim të formës së prerë është njohur e drejta e qytetarit, çështja nuk mund të trajtohet sikur po shqyrtohet për herë të parë. Qytetari nuk duhet të detyrohet të kalojë vazhdimisht nëpër procedura administrative apo gjyqësore vetëm për ta realizuar një të drejtë që tashmë i është njohur nga gjykata. Detyrimi i Ministrisë është ta zbatojë aktgjykimin, jo ta pengojë zbatimin e tij përmes një vendimi tjetër administrativ.
Kjo praktikë cenon sigurinë juridike dhe sundimin e ligjit. Vendimet gjyqësore janë të detyrueshme edhe për administratën publike. Mbrojtja gjyqësore nuk ka kuptim nëse aktgjykimi mbetet vetëm në letër dhe institucioni kundër të cilit është nxjerrë vazhdon të veprojë në të njëjtën mënyrë.
Kur personi zyrtar e di, ose duhet ta dijë, se ekziston një aktgjykim i plotfuqishëm dhe prapë refuzon ta zbatojë atë, veprimi nuk mund të arsyetohet. Neni 394 i Kodit Penal e përcakton si vepër penale refuzimin ose mosekzekutimin brenda afatit të një vendimi apo aktgjykimi të plotfuqishëm gjyqesor. Varësisht nga pasojat, dënimi per kete veper penale mund të arrijë deri në pesë vjet burgim.
Në varësi të qëllimit dhe rrethanave konkrete, këto veprime mund të ngrenë dyshime edhe për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas nenit 414 të Kodit Penal. Kjo vlen veçanërisht kur detyra zyrtare nuk përmbushet ose autoriteti tejkalohet me qëllim që qytetarit t’i shkaktohet dëm apo t’i mohohet një e drejtë.
Moszbatimi i këtyre vendimeve u shkakton pensionistëve pasoja të drejtpërdrejta financiare, i detyron të presin me vite dhe krijon procedura e shpenzime të panevojshme. Në vend se ta zbatojë ligjin, administrata shndërrohet në pengesë për realizimin e të drejtave të qytetarëve.
IKD kërkon nga MPFVLÇ që t’i evidentojë dhe t’i zbatojë menjëherë të gjitha aktgjykimet e formës së prerë, t’i kryejë pagesat që burojnë prej tyre dhe ta ndalë nxjerrjen e vendimeve në kundërshtim me qëndrimet e gjykatës.
IKD kërkon gjithashtu nga Prokurori i Shtetit që ta hetojë këtë situatë në kuptim të dyshimeve të ngritura për vepër penale të mos ekzekutimit të vendimeve gjyqësore.
