Prishtinë, 6 maj 2026 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) organizoi tryezë diskutimi, në kuadër të së cilës u publikuan dy raporte: “Krimet e përgjithshme 2025”, që ofron një pasqyrë të detajuar të trajtimit të rasteve në departamentet e përgjithshme të prokurorive dhe gjykatave, si dhe “Krimet e rënda 2025”, i cili analizon mënyrën e trajtimit të veprave penale të rënda nga institucionet e drejtësisë.
Hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala, prezantoi gjetjet kryesore të të dy raporteve, duke theksuar se sistemi prokurorial dhe gjyqësor në Kosovë vazhdon të përballet me ngarkesë të madhe të lëndëve, si dhe me dallime të dukshme në nivelin e efikasitetit ndërmjet institucioneve. Ai theksoi se një prokuror ka mesatarisht mbi 500 raste në trajtim, ndërsa në disa prokurori dhe gjykata kohëzgjatja e procedurave tejkalon 1,000 ditë.
Sipas Shalës, rastet e krimeve të rënda kanë shënuar rritje të lehtë, ndërkohë që mbeten të dukshme mospërputhjet në trajtim dhe rezultate kur bëhet krahasimi në mes prokurorive. Ai theksoi gjithashtu se përdorimi i masave si sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë mbetet i kufizuar, po ashtu edhe shqiptimi i dënimeve plotësuese dhe referimi ndaj praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNJ). Shala shtoi se edhe pse numri i lëndëve të pazgjidhura ka rënë, sfidat që lidhen me politikën ndëshkimore, barazinë në trajtim dhe rritjen e efikasitetit vazhdojnë të jenë të pranishme.
Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Ngadhnjim Arrni, tha se kohëzgjatja e trajtimit të rasteve në Departamentin e Krimeve të Rënda mbetet shqetësuese, ndonëse sipas tij duhet të analizohen edhe faktorët objektivë që ndikojnë në vonesa. Ai theksoi se statistikat e efikasitetit duhet të interpretohen me kujdes, pasi përfshijnë edhe rastet në procedurë paraprake.
Arrni ngriti shqetësime edhe për mosshqiptimin e dënimeve plotësuese dhe mungesën e trajtimit të kërkesave pasurore-juridike, duke theksuar se drejtësia duhet të jetë më e parashikueshme dhe rastet e ngjashme të trajtohen në mënyrë të barabartë. Sipas tij, dallimet në politikën ndëshkimore vazhdojnë të mbeten sfidë në praktikën gjyqësore.
Përveç kësaj, Arrni ngriti shqetësime lidhur me praktikën e ngritjes së aktakuzave të drejtpërdrejta të shoqëruara me kërkesa për paraburgim. Sipas tij, raste të tilla lënë përshtypjen e një ngutie nga ana e Prokurorisë, pasi sipas tij, nëse ekziston nevoja për hetime, atëherë duhet të kërkohet paraburgimi gjatë fazës hetimore dhe jo pas ngritjes së aktakuzës.
Gjatë diskutimeve, Lumturije Vuçetaj, kryeprokurore e Prokurorisë Themelore në Pejë, theksoi se prokurorët përballen me një ngarkesë pune dukshëm më të lartë se norma orientuese e përcaktuar. Ajo vuri në dukje se, sipas të dhënave të raportit, Prokurori i Shtetit jo vetëm që e ka tejkaluar këtë normë, por në raste të caktuara ajo është edhe dyfishuar.
Vuçetaj ngriti shqetësime lidhur me mungesën e kapaciteteve njerëzore, duke nënvizuar se numri i pamjaftueshëm i prokurorëve, si dhe mungesa e bashkëpunëtorëve profesionalë dhe zyrtarëve ligjorë, ndikon drejtpërdrejt në efikasitetin e punës. Megjithatë, ajo theksoi se, përkundër këtyre sfidave, është arritur përparim në zbatimin e masave të sekuestrimit dhe konfiskimit nga ana e prokurorëve.
Avokatja Albulena Ukimeri theksoi se sistemi i drejtësisë vazhdon të përballet me ngarkesë të lartë të lëndëve duke shtuar se edhe kur arrihet ekuilibër ndërmjet rasteve të pranuara dhe atyre të zgjidhura, barra e përgjithshme e lëndëve nuk zvogëlohet. Ajo tha se kohëzgjatja e trajtimit të rasteve mbetet një nga shqetësimet kryesore për qytetarët, duke ndikuar në besimin ndaj sistemit të drejtësisë. Ukimeri ngriti shqetësime edhe për cilësinë e vendimmarrjes, duke theksuar se arsyetimet e aktgjykimeve shpesh mbeten formale, ndërsa jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, masa e sekuestrimit dhe konfiskimit, si dhe dënimet plotësuese aplikohen në masë të kufizuar. Sipas saj, sistemi ka nevojë për shpërndarje më të balancuar të lëndëve, njëtrajtshmëri në vendimmarrje dhe rritje të efikasitetit.
Gjatë pjesës së diskutimit, Burim Blakaj, zyrtar ligjor i OSBE-së, theksoi se ngritja e aktakuzave jokualitative nuk duhet të konsiderohet sukses në trajtimin e rasteve penale. Sipas tij, suksesi i prokurorit duhet të matet me cilësinë e aktakuzave dhe rezultatet pozitive të tyre në gjykatë, e jo vetëm me numrin e rasteve të ngritura. Blakaj kritikoi qasjen që fokusohet në statistika dhe numër aktakuzash, duke theksuar se shpesh neglizhohet zhvillimi i procedurës gjyqësore dhe rezultati final i rasteve.
Isuf Sadiku, prokuror në Prokurorinë Themelore në Gjilan, theksoi se prokurorët përballen me një sërë sfidash në trajtimin e rasteve, të cilat shpesh mbeten jashtë vëmendjes së publikut. Ai nënvizoi se përmbushja e standardeve të kërkuara në hetime dhe procedura ndikohet ndjeshëm nga mungesa e ekspertizave të specializuara, sidomos në rastet që lidhen me krimet kibernetike dhe financiare.
Sipas tij, vonesat në sigurimin e ekspertizave nga institucionet përkatëse, përfshirë ato forenzike, kanë ndikim të drejtpërdrejtë në efikasitetin e trajtimit të lëndëve, ndërkohë që përgjegjësia për këto vonesa shpesh i atribuohet prokurorive.
Ersan Qavolli, prokuror në Prokurorinë Themelore në Pejë dhe anëtar i Komisionit për administrim dhe buxhet të prokurorive, tha se sistemi prokurorial vazhdon të përballet me numër të madh të lëndëve, ndërsa prej dy vitesh nuk janë shtuar prokurorë të rinj. Ai bëri të ditur se është duke u përgatitur një raport për secilën prokurori dhe se pritet shpallja e konkursit për prokurorë të rinj.
Qavolli ngriti shqetësime edhe për vonesat në ekspertiza, veçanërisht në rastet e ADN-së dhe narkotikëve, duke theksuar se në disa raste afatet e paraburgimit tejkalohen për shkak të mungesës së rezultateve të ekspertizave. Ai kritikoi edhe kufizimet procedurale për numrin e mostrave të ADN-së që mund të dërgohen për ekzaminim, duke vlerësuar se ato mund të ndikojnë negativisht në hetime.
Shpresa Emra, kryetare e Gjykatës Themelore në Prizren, vlerësoi se raportet e IKD-së pasqyrojnë problemet reale të sistemit të drejtësisë dhe shërbejnë për të identifikuar sfidat me të cilat përballen gjykatat dhe prokuroritë. Ajo theksoi se zgjidhja e këtyre problemeve kërkon angazhim të përbashkët institucional, ndërsa ngriti shqetësime për trashëgimin e numrit të madh të lëndëve të pazgjidhura, përfshirë rastet e kontratave kolektive. Emra shtoi se fokusi duhet të jetë jo vetëm në numrin e lëndëve të përfunduara, por edhe në cilësinë e vendimeve dhe njëtrajtshmërinë e politikës ndëshkimore, duke theksuar se statistikat duhet të shërbejnë si mekanizëm orientues për përmirësimin e performancës së institucioneve.
Andrea Lako nga UNMIK, duke bërë një krahasim ndërmjet sistemeve të drejtësisë në Kosovë dhe Shqipëri, vlerësoi se Kosova ka arritur të ruajë një nivel më të qëndrueshëm të funksionimit dhe pavarësisë institucionale. Sipas tij, në Shqipëri ndërhyrjet politike kanë ndikuar negativisht në sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial, duke kontribuar në rritjen e korrupsionit dhe numrit të lartë të lëndëve të pazgjidhura. Ai theksoi se, ndonëse ekziston hapësirë për përmirësime të mëtejshme, Kosova duhet të fokusohet në ruajtjen dhe konsolidimin e arritjeve të deritanishme, veçanërisht në drejtim të garantimit të pavarësisë së institucioneve të drejtësisë.
Raportin e publikuar “Krimet e përgjithshme 2025” e gjeni në këtë link. Ndërsa, raportin “Krimet e rënda 2025” këtë link.
