Përgjigje e “Betimi për Drejtësi” mbi keqinterpretimet e avokatit Besnik Berisha, i cili cenoi pajisjet e punës së monitorueses gjatë seancës gjyqësore

Përgjigje e “Betimi për Drejtësi” mbi keqinterpretimet e avokatit Besnik Berisha, i cili cenoi pajisjet e punës së monitorueses gjatë seancës gjyqësore

Prishtinë, 3 prill 2026: Dje, avokati Besnik Berisha, gjatë një pauze pesëminutëshe në një seancë gjyqësore penale për krim të organizuar me narkotikë, në rolin e “policit”, ka marrë diktafonin e ekipit të “Betimi për Drejtësi”. Seanca gjyqësore ishte publike. Ndaj këtij veprimi ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i cili ka dënuar pengimin e punës së ekipit të “Betimi për Drejtësi” nga avokati Besnik Berisha.

 

Lidhur me këtë, avokati Berisha ka reaguar në cilësinë e tij si avokat mbrojtës përmes profilit të tij në Facebook, përmes portalit të lajmeve “Sinjali”, ku është pronar, si dhe duke shfrytëzuar Odën e Avokatëve të Kosovës, ku është kryetar.

 

Përgjigjet dhe pretendimet e avokatit Berisha, të shpërndara në këto platforma, janë të pabazuara dhe përmbajnë keqinterpretim të dispozitave kushtetuese dhe ligjore me qëllim të keqinformimit të publikut.

 

Avokati Berisha thekson se fakti që diktafoni, i cili përbën mjet pune të monitorueses, ishte ndezur gjatë një ndërprerjeje të shkurtër të seancës gjyqësore, ka cenuar raportin e privilegjuar avokat-klient. Sipas tij, në rastin konkret kemi pasur të bëjmë me incizimin e një komunikimi të mbrojtur, gjë që, gjithnjë sipas tij, bie ndesh me ligjin dhe Kushtetutën. Në këtë drejtim, ai i referohet neneve 31 dhe 36 të Kushtetutës. Në reagimet e tij, Berisha pretendon se monitoruesja e IKD-së ka kryer veprën penale të incizimit të paautorizuar.

 

Përmes kësaj shkrese, redaksia e “Betimi për Drejtësi” jep këtë përgjigje me qëllim të qartësimit të pretendimeve ligjërisht dhe konceptualisht të gabuara të avokatit Besnik Berisha.

 

Në radhë të parë, njoftojmë publikun se redaksia e “Betimi për Drejtësi” ka themeluar një komision për të vlerësuar sjelljen dhe veprimet e monitorueses së “Betimi për Drejtësi” dhe ka konstatuar se e njëjta ka vepruar në pajtim të plotë me rendin shtëpiak të Gjykatës Themelore në Prishtinë, si dhe ka kryer detyrat dhe përgjegjësitë e saj si monitoruese/gazetare në pajtim të plotë me ligjin dhe standardet më të larta gazetareske.

 

Për më tepër, me qëllim të ruajtjes së integritetit të gjykatës dhe procesit gjyqësor, e njëjta, edhe pse iu është marrë në mënyrë të padrejtë diktafoni nga avokati Berisha, me qëllim të qetësimit të situatës ka pritur trupin gjykues për ta adresuar këtë veprim joprofesional të avokatit Berisha. Për sjelljen e avokatit Berisha, kryetari i trupit gjykues shprehu keqardhje për atë që ka ndodhur, duke theksuar se seanca ka qenë publike dhe se gjatë kohës kur ka ndodhur incidenti, trupi gjykues nuk ka qenë prezent në sallë.

 

Për më tepër, reagimet e z. Berisha, duke shfrytëzuar platformat e tij në Facebook, gazetën “Sinjali” dhe Odën e Avokatëve të Kosovës, janë të pabazuara në aspektin kushtetues dhe ligjor. Duke filluar nga raporti i privilegjuar avokat-klient dhe përmendja e nenit 31 të Kushtetutës, avokati Berisha tenton të paraqitet para publikut se atij dhe klientit të tij i është cenuar një e drejtë, duke e keqinterpretuar konceptin e shtrirjes së raportit të privilegjuar.

 

Për të interpretuar saktë këtë raport, avokati Berisha duhet të lexojë dhe të kuptojë konceptualisht nenin 123 të Kodit të Procedurës Penale, i cili ka listuar dëshmitarët e privilegjuar, ku bën pjesë edhe “mbrojtësi, për atë që i pandehuri ia ka besuar atij në cilësi të mbrojtësit të vet, përveç kur kërkon vetë i pandehuri”.

 

Megjithatë, në kontekst të reagimit të avokatit Berisha, relevancën kryesore e ka neni 1 i Kodit të Procedurës Penale. Sipas këtij neni, “Qëllimi i këtij Kodi është përcaktimi i rregullave të procedurës penale, të cilat janë të detyrueshme për punën e gjykatave, prokurorisë së shtetit, si dhe të pjesëmarrësve të tjerë në procedurën penale të paraparë me këtë Kod”. Sipas dispozitave të këtij Kodi, monitoruesit, gazetarët dhe publiku nuk cilësohen pjesëmarrës në procedurë. Për këtë arsye, asnjë rregullim që ka të bëjë me raportin e privilegjuar, që e përmend z. Berisha, nuk mund të aplikohet në raport me monitoruesit, gazetarët apo publikun. Këtë çështje, supozohet, duhet ta dijë secili profesionist i fushës.

 

Në anën tjetër, për dallim nga monitoruesit, gazetarët dhe publiku, sipas Kodit të Procedurës Penale, z. Berisha është pjesëmarrës në procedurë penale. Si rrjedhojë, në drejtim të mbrojtjes së interesave të klientit të tij, barra i bie atij, dhe jo palëve të tjera, që ta mbrojë komunikimin me klientin e tij. Salla e gjykimit përbën një hapësirë publike, në të cilën askush nuk ka pritje për privatësi. Një komunikim që synohet të mbahet i fshehtë nuk cenohet vetëm nga një pajisje elektronike, por edhe nga dëgjimi i tij nga çdo palë tjetër. Në sallën e gjykimit nuk ishte vetëm diktafoni, por edhe një numër i konsiderueshëm i personave të tjerë. Kështu, pretendimi për mbrojtje të komunikimit përmes luajtjes së rolit të “policit” është logjikisht i paarsyeshëm.

 

Sa i përket pretendimit për kryerjen e veprës penale të incizimit të paautorizuar, neni 202 i Kodit Penal thekson se kjo vepër kryhet në situata ku personi ka pritje të arsyeshme për privatësi. Se si mund të pretendohet një pritje e tillë në një sallë gjykimi, ku ndodhen një numër i konsiderueshëm i pjesëmarrësve, është e paqëndrueshme. Aq më tepër kur vetë kryetari i trupit gjykues thekson se seanca ishte publike dhe nuk kishte një vendim për mbylljen e saj të plotë ose të pjesshme për publikun.

 

Neni 36 i Kushtetutës, të cilit i referohet z. Berisha, në thelb trajton respektimin e jetës private dhe familjare, pacenueshmërinë e banesës, fshehtësinë e korrespondencës, telefonisë dhe komunikimeve të tjera, si dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Asnjë nga këto nuk është i aplikueshëm në rastin konkret. Diktafoni nuk ishte në hapësirë private dhe nuk kishte të bënte me komunikime të mbrojtura në kuptimin e këtij neni. Pra, thirrja në këtë nen nga z. Berisha është tërësisht jashtë kontekstit dhe jashtë çdo realiteti juridik.

 

Tutje, referimi në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut është i pasaktë, pasi kjo dispozitë i referohet të drejtës për gjykim të drejtë të personave të akuzuar dhe obligimeve të gjykatave, dhe jo veprimeve të monitoruesve.

 

Berisha, duke qenë avokat dhe njëkohësisht pronar i një mediumi, duhet të jetë i vetëdijshëm për të drejtat e monitoruesve në kuptim të Kushtetutës, ligjit dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gazetarët raportojnë në interes publik dhe vëzhgimi i proceseve gjyqësore është pjesë e këtij misioni.

 

Në rastin konkret, diktafoni nuk ishte i vendosur në tavolinën e z. Berisha dhe nuk kishte për qëllim incizimin e komunikimit të tij me klientin, por zhvillimet në sallën e gjykimit. Nëse argumenti i z. Berisha do të merrej si i bazuar, kjo do të nënkuptonte lehtësisht se e gjithë salla do të duhej të largohej apo të “mbyllte veshët” derisa ai komunikon me klientin e tij.

 

Në këtë mënyrë, pa asnjë bazë ligjore dhe në kundërshtim me parimet mbi të cilat funksionojnë gjykatat dhe media, z. Berisha, në rolin e “policit”, ka cenuar pajisjet e monitorueses. Siç u tha më lart, pretendimet e tij janë tendencioze dhe synojnë të mbulojnë shkeljet e tij.

 

Fatkeqësisht, përballë veprimeve të tij, në sallë nuk reagoi prokurori i shtetit. Në kuptim të obligimeve ligjore, përballë një situate ku një person cenon sendin e një tjetri, reagimi institucional do të duhej të ishte i menjëhershëm, e jo indeferenca.

 

Fatkeqësisht, përballë kësaj shkeljeje, z. Berisha reagon në tri (3) kapacitete: si avokat i çështjes, si pronar i një mediumi, si dhe, më pas, si kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës, duke shfrytëzuar kapacitetet e institucionit kryesor që rregullon avokatinë si fushë kushtetuese. Përballë kësaj situate, ku vetë sistemi i avokatisë nuk është në gjendje t’i evitojë këto situata, i mbetet Ministrisë së Drejtësisë që t’i rregullojë situata dhe sjellje të tilla, veçanërisht në fazën kur është duke u rishikuar Projektligji për Avokatinë, në të cilin IKD do të dërgojë propozimet dhe komentet e saj.