Prishtinë, 24 dhjetor 2025 – Moszbatimi i aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese përbën një nga shkeljet më serioze të parimit të sundimit të ligjit. Në këtë kontekst, Ligji Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, i cili hyri në fuqi më 5 shkurt 2023, uli shtesën për përvojën e punës për 15 vitet e para nga 0.5% në 0.25%, duke ndikuar drejtpërdrejt në të ardhurat e mbi 90,000 zyrtarëve publik. Ky ndryshim ligjor pati pasoja të menjëhershme financiare dhe sociale për një kategori të gjerë punonjësish në sektorin publik.
Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin KO79/23, konstatoi se kjo ulje është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Edhe pse dispozita nuk u shfuqizua, Gjykata vendosi qartë obligim për Kuvendin që brenda gjashtë muajve, deri më 1 gusht 2024, ta rikthejë shtesën për përvojën e punës në të paktën 0.5%, me efekt nga data 1 shkurt 2024. Ky vendim kishte karakter detyrues dhe fuqi të barasvlershme me normën kushtetuese.
Megjithatë, Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk e zbatoi këtë aktgjykim brenda afatit të caktuar. Mosveprimi i Kuvendit përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës dhe cenon të drejtat e zyrtarëve publik, të cilët vazhdojnë të pësojnë dëm financiar si pasojë e një ligji që Gjykata Kushtetuese e ka vlerësuar si antikushtetues në përmbajtje. Ky mosrespektim i vendimeve kushtetuese minon seriozisht parimin e ndarjes së pushteteve dhe besimin në rendin juridik.
Pasojat e këtij mosveprimi nuk janë vetëm juridike, por edhe financiare dhe institucionale. Në mungesë të zgjidhjes ligjore, zyrtarët publik janë të detyruar të kërkojnë mbrojtje gjyqësore individuale, duke rrezikuar vërshimin e gjykatave me rreth 90,000 padi të reja. Një situatë e tillë do të cenonte efikasitetin e sistemit gjyqësor dhe do t’i shkaktonte buxhetit të shtetit kosto të konsiderueshme, të vlerësuara në mbi 35 milionë euro vetëm për shpenzime procedurale, pa përfshirë kamatat ligjore dhe shpenzimet përmbarimore.
Në këtë situatë, Legjislatura X ka obligim kushtetues që ta adresojë urgjentisht këtë çështje. Zbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese përmes ndryshimit të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik është zgjidhja e vetme ligjore, efektive dhe kolektive, e cila mbron të drejtat e zyrtarëve publik, shmang kosto të panevojshme për buxhetin dhe garanton respektimin e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit në Kosovë.
