IKD: Auditimi jofinanciar i ZKA-së, ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë

IKD: Auditimi jofinanciar i ZKA-së, ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë

IKD: Auditimi jofinanciar i ZKA-së, ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të drejtësisë

Prishtinë– Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të shtunën, ka mbajtur konferencë për media, ku është prezantuar raporti me titull “Auditimi jofinanciar nga ZKA: Ndërhyrje në sistemin e Drejtësisë”, aktivitet ky në kuadër të “Java Kundër Korrupsion 2023”, e cila organizohet nga Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile me moton “Bashkë kundër Korrupsionit”.

Ky raport i prezantuar përmban analizën e ligjshmërisë së auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), të bërë në Gjykatat dhe Prokuroritë Themelore të Prishtinës dhe Pejës, si dhe në Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave (ZMNV), përkatësisht zyrat rajonale të Prishtinës dhe Pejës.

Në raportin e publikuar, IKD gjeti se ky auditim paraqet tejkalim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të ZKA. Ky veprim, sipas Drejtorit Ekzekutiv të IKD, Ehat Miftaraj, është i pakuptimt: “ZKA është duke bërë një punë të mirë të auditimit, por për ne ka qenë e pakuptimtë që kjo Zyrë të bëjë një gabim amatoreskt, të ndërhyjë në punën e gjykatave dhe prokurorive, në kuptim të vlerësimit të performancës apo të qasjes në dosje të cilat  janë konfidenciale apo të qasshme vetëm për palët e autorizuara”, tha Miftaraj.

Në anën tjetër, hulumtuesi i lartë i IKD-së, Astrit Kolaj, tha se ky auditim i performancës i bërë nga ZKA, është në kundërshtim me kompetencat që këtij institucioni ia ka dhënë Kushtetuta dhe Ligji.

“Zyra Kombëtare e Auditimit në kundërshtim me kompetencat e veta të dhëna nga Kushtetuta, konkretisht neni 136, pika 1, e saj ku thotë se: Zyra Kombëtare e Auditimit përcaktohet si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar, dhe në kundërshtim me Ligjin që rregullon këtë institucion, dhe duke u thirrur në Auditimin e Performancës, ka audituar institucionet përgjegjëse që merren me trajtimin e rasteve të dhunës në familje, përfshirë këtu institucione të sistemit të drejtësisë” tha Kolaj.

Sipas tij, vlerësimi i performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve është kompetencë e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Kosovës, jo e ZKA-së.

Me tutje, Kolaj tha se IKD ka gjetur se pos tejkalimit të kompetencave, ZKA ka ndërhyrë në kompetencat e kushtetuese për administrimin e sistemit të drejtësisë, sicc janë KGJK dhe KPK. Kolaj tha se kjo mënyrë e veprimit rrezikoj rastet e dhunës në familje: “ZKA në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale ka pasur qasje në disa raste të dhunës në familje, të ofruara nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave. Në kundërshtim me këto dispozitë, ZKA kërkoj qasje në shkresat e lëndës edhe nga gjykatat dhe prokuroritë, të cilat refuzuan ta bëjnë këtë”, theksoi Kolaj

Po ashtu, sipas tij, është me rendësi të ceket se ZKA në kundërshtim me mandatin e vet ka dalë me konstatime sa i përket punës profesionale të institucioneve të sistemit të drejtësisë. Duke vepruar në këtë mënyrë, Kolaj tha se duke kryer detyra të cilat nuk i takojnë dhe janë jashtë kompetencave të veta kushtetuese dhe ligjore, ZKA keq menaxhoj resurset e saja: “Përdorimi i resurseve të ZKA-së në objektiva të tjera, si në rastin konkret, vlerësimi profesional i veprimeve institucionale në drejtim të trajtimit të rasteve të dhunës në familje, paraqet përdorim të resurseve për detyra të cilat nuk i takojnë këtij institucioni”, tha shtoi Kolaj.

Gjithashtu, Kolaj tha se hulumtimi i IKD gjeti se të gjithë zyrtarët që audituan punën profesionale juridike ishin ekonomist.

Në fund të prezantimit të raportit, Kolaj tha se ZKA ka pasur mundësi që në mënyrë meritore të auditojë një segment financiar i cili lidhet drejtpërdrejtë me rastet e dhunë në familje, dhe që do të ishte në domenin e kompetencave të saja, ajo e ka bërë këtë gjë vetëm përgjithësisht.

”Në fund të vitit 2022 Qeveria e Republikës së Kosovës  ka ndarë 500,000 euro për Organizatat Jo-qeveritare të cilat ofrojnë shërbime sociale dhe Strehimoreve. ZKA në vend që të bëjë auditimin meritor për vlerësimin e efektivitetit të OJQ-ve dhe strehimoreve përfituese të donacionit financiar të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në zbatimin e objektivave të Vendimit të Qeverisë, dhe për të parë nëse veprimet e OJQ-ve dhe strehimoreve përfituese të donacionit qeveritar janë në përputhje me rezultatet e synuara të vendimit të Qeverisë, ajo ka zgjedhur që këtë çështje ta trajtojë vetëm përgjithësisht, duke e trajtuar vetëm përmes anketave”, përfundoi Kolaj.

Mbi bazën e analizës së ligjshmërisë së këtij auditimi, IKD përmes këtij raporti ka dalë edhe me rekomandime për disa institucione. Ndër të tjera, ZKA-së i është rekomanduar që mos të kryej auditime jashtë kompetencave të veta kushtetuese dhe ligjore dhe të mjaftohet me auditimin e rregullt financiar të institucioneve të sistemit të drejtësisë duke mos u lëshuar në vlerësimin profesional të punës së gjykatësve dhe prokurorëve. Po ashtu, Gjykatave dhe prokurorive i është rekomanduar që të mos lejojnë qasjen e ZKA në dosjet e lëndëve. Ndërsa, Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave rekomandohet të respektojë ligjin dhe të mbrojë konfidencialitetin e dosjeve, duke mos i ofruar qasje ZKA-së në dosjet e lëndëve që ka në punë. Po ashtu, një rekomandim është bërë edhe për donatorët që të mos mbështesin projekte që ndërhyjnë në pavarësinë e gjyqësorit.

Raportin “Auditimi jofinanciar nga ZKA: Ndërhyrje në sistemin e Drejtësisë” mund ta gjeni në këtë link.