Prishtinë, 29 mars 2022 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, të martën ka mbajtur konferencë për media, ku ka publikuar analizën: “Rregullorja e re e Punës së Kuvendit: mes nevojës për efikasitet dhe respektim të Kushtetutës”.
Hulumtuesi i lartë i IKD-së, Jeton Hasani, ka thënë se Draft-Rregullorja e re e Kuvendit të Kosovës themelon Konferencën e Kryetarëve, e cila do të përbëhet nga kryetari i Kuvendit dhe kryetarët e të gjitha grupeve parlamentare. Sipas tij, shumë nga kompetencat që i përcaktohen kësaj konference si dhe kompetencat që i shtohen seancës plenare të Kuvendit për çështje procedurale, ndërhyjnë në kompetencat kushtetuese të kryetarit të Kuvendit dhe të Kryesisë së Kuvendit për funksionim administrativ të Kuvendit.
Tutje, Hasani ka thënë se sipas Draft-Rregullores së re të Punës së Kuvendit, parashihen sanksione financiare për deputetët që nuk njoftojnë për mungesa në seanca plenare apo mbledhje të komisioneve. Sipas tij, megjithëse një sanksionim i tillë është i mirëpritur, Rregullorja duhet të njohë edhe format legjitime të veprimit politik që nuk kufizohen me pjesëmarrje fizike në seancë, siç është bojkoti opozitar, si dhe të evitojë paqartësitë procedurale.
Ndërkaq Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, ka thënë se sipas Draft-Rregullores së re të punës së Kuvendit, ky i fundit e pezullon punën një ditë para fillimit të fushatës për zgjedhjet e rregullta për Kuvendin dhe qëndron i tillë deri në seancën konstituive të Kuvendit të ri. Sipas tij, kjo zgjidhje e Rregullores paraqet pezullim kundërkushtetues të punës së Kuvendit.
Sipas Shalës, dispozitat e Draft-Rregullores së Punës së Kuvendit që kanë të bëjnë me konfliktin e interesit duhet të precizohen tutje, ashtu që të mos përfshijnë obligimin e deputetëve që të tërhiqen nga votimi në rastet kur ata (apo të afërmit e tyre) përfitojnë nga një akt i parlamentit vetëm si pjesë e publikut të përgjithshëm apo e një kategorie të gjerë të personave.
“Analiza e IKD ka gjetur edhe probleme të tjera juridike, si roli i Kryetarit të Kuvendit në publikimin e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, mundësia e mocionit individual të mosbesimit, procedura e shkarkimit të Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, e çështje tjera. Këto probleme në aspekt të hartimit, por edhe problemet tjera të trajtuara në këtë punim, tregojnë që Rregullorja e re e Kuvendit është larg finalizimit adekuat dhe ka nevojë të shqyrtohet e formulohet tutje për të qenë në nivel të duhur”, ka përfunduar Shala.
Për më tepër, gjeni të bashkangjitur analizën e IKD-së: “Rregullorja e re e Punës së Kuvendit: mes nevojës për efikasitet dhe respektim të Kushtetutës”.