Në takimin përmbyllës, IKD dhe INPO prezantojnë raportin “Praktikat e Prokurimit Publik: Nga Buxhetimi deri tek Menaxhimi i Kontratave”

Në takimin përmbyllës, IKD dhe INPO prezantojnë raportin “Praktikat e Prokurimit Publik: Nga Buxhetimi deri tek Menaxhimi i Kontratave”

Në takimin përmbyllës, IKD dhe INPO prezantojnë raportin “Praktikat e Prokurimit Publik: Nga Buxhetimi deri tek Menaxhimi i Kontratave”

Prishtinë, 8 tetor 2021 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Iniciativa për Progres (INPO), të premten, kanë mbajtur takimin përmbyllës për projektin: Kërkesa për Komuna Transparente dhe Llogaridhënëse: Monitorimi i prokurimit publik dhe fuqizimi i qytetarëve për të sjellë ndryshime pozitive, i cili projekt është realizuar me mbështetje nga USAID përmes projektit për Komuna Transparente, Llogaridhënëse dhe Efektive. Në këtë takim është prezantuar raporti “Praktikat e Prokurimit Publik: Nga Buxhetimi deri tek Menaxhimi i Kontratave (Rastet nga komunat: Prishtinë, Gjakovë, Pejë, Rahovec, Vushtrri, Gjilan, Deçan, Junik dhe Hani i Elezit)”.

Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, z. Ehat Miftaraj ka bërë hapjen e këtij takimi dhe ka treguar se përgjatë periudhës së zbatimit të projektit është realizuar procesi i monitorimit për katër faza të ndryshme të prokurimit publik: 1. Planifikimi i buxhetit komunal; 2. Planifikimi i prokurimit; 3. Procesi i prokurimit, dhe 4. Menaxhimi i kontratave dhe ky proces me gjetjet e analizuara është përkthyer në publikimin e katër raporteve të ndryshme.

Tutje, Udhëheqësi i Komponentës së Tretë, USAID Aktiviteti për Komuna Transparente, Llogaridhënëse dhe Efektive, z. Jetmir Bakija deklaroi se puna e bërë në kuadër të projektit ka përfshirë gjetje specifike, prandaj ka inkurajuar komunat që mos t’i marrin ato vetëm si kritikë, por t’i shohin si shtytje që të punojnë më mirë në të ardhmen dhe t’i adresojnë problemet eventuale.

Në anën tjetër, hulumtuesja e IKD-së, znj. Arrita Rezniqi tregoi se është monitoruar në detaje procedura e buxhetimit për nëntë komunat e përzgjedhura dhe standardet e aplikuara nga komunat në procesin e konsultimit publik për hartimin dhe miratimin e buxhetit. Nga kjo, Rezniqi tha se kanë gjetur që konsultimi me shkrim dhe ai elektronik, si një nga standardet minimale të procesit të konsultimit publik me rastin e hartimit të Draft-Buxhetit është pothuajse formë e pazbatuar e konsultimit, përkundër faktit se ky lloj i konsultimit paraqitet si obligativ.

Sa i përket dëgjimeve buxhetore gjatë hartimit të propozim-buxhetit nga ekzekutivi i komunës përkatëse, Rezniqi theksoi se nga nëntë komunat e monitoruara, pesë prej tyre kanë mbajtur dëgjime buxhetore, derisa katër komuna të tjera nuk e kanë zhvilluar këtë formë të konsultimeve publike me rastin e hartimit të buxhetit komunal. Rezniqi bëri me dije se një specifikë e veçantë e dëgjimeve buxhetore është pjesëmarrja e ulët e qytetarëve dhe disbalanca e theksuar gjinore, ku nga të gjithë pjesëmarrësit në këto dëgjime buxhetore, 428 kanë qenë burra, derisa vetëm 70 kanë qenë gra. Rezniqi tregoi se IKD dhe INPO përkitazi me këtë kanë rekomanduar që komunat të hartojnë një plan të dëgjimeve buxhetore, në mënyrë që këto dëgjime të përfshijnë sa më shumë qytetarë dhe të ketë shtrirje në të gjitha fshatrat, lagjet, vendbanimet dhe zonat urbane. Ky plan të përshtatet varësisht specifikave të komunës dhe të synojë gjithë përfshirje të qytetarëve, e veçanërisht grave.

Më tej Rezniqi po ashtu shtoi se IKD dhe INPO inkurajojnë komunat të aplikojnë edhe format e tjera të konsultimit publik, jo vetëm ato obligative sipas Udhëzimit Administrativ për Standardet Minimale të Konsultimit Publik në Komuna.

Ndërsa, sa i përket fazës së dytë – planifikimit të prokurimit, Rezniqi tregoi se kanë monitoruar planifikimin e prokurimit për vitin fiskal 2020, përkatësisht implementimin e planeve përfundimtare të prokurimit të cilat komunat çdo vit janë të obliguara t’i hartojnë. Po ashtu, ajo tha se gjatë monitorimit është analizuar nëse planet e prokurimit të hartuara nga komunat i përmbushin kriteret e kërkuara ligjore dhe në çfarë niveli janë zbatuar këto plane.

Rezniqi tregoi se gjetjet e raportit tregojnë se asnjëra komunë nuk e ka plotësuar planin e prokurimit në bazë të kërkesave ligjore, përkatësisht të dhënat për aktivitetet e furnizimeve nuk janë të plota dhe të sakta. Ajo tha se është komunat në shumë raste kanë përdorur shabllone të ndryshme për plotësimin e kolonave ku kërkohen sasitë dhe njësitë, sepse gjatë fazës tenderuese ato njësi dhe sasi s’kanë pas të bëjë fare me atë furnizim ose janë identifikuar sasi shumë më të mëdha.

Hulumtuesja Rezniqi theksoi se një pjesë tjetër e raportit përfshin analizën e asaj se si komunat e vlerësojnë tregun gjatë planifikimit të prokurimit dhe se gjetjet dëshmojnë që komunat kanë mangësi në vlerësimin e tregut dhe këto mangësi lidhen me metodat ose mënyrat e vlerësimit të tregut, përkatësisht kufizimi në vetëm një metodë vlerësuese dhe mosbashkëpunimi i kënaqshëm në mes zyrave të prokurimit dhe njësive kërkuese.

Rezniqi në fund tha se kanë kërkuar nga komunat që të sigurohen se planifikimet që i bëjnë të kenë mbulueshmëri në buxhet, përkatësisht kosto e aktiviteteve të planifikuara për punë të jetë e njëjta edhe në buxhet, respektivisht të mos jetë më e lartë siç është evidentuar në raport për pjesën dërrmuese të komunave, por as më e ulët siç e është evidentuar tek njëra komunë. Si dhe, gjatë analizimit të tregut, komunat të mos fokusohen vetëm tek dalja në terren ose kontratat e mëparshme, mirëpo t’i konsiderojë gjithmonë që të dyja dhe gjithashtu të shikojë manualet për çmime referente të publikuara nga KRPP dhe çdo mundësi tjetër që sjellë rezultate të një planifikimi real.

Në anën tjetër, hulumtuesi nga organizata INPO, z. Qëndrim Arifi potencoi se në fazën e procesit të prokurimit janë përzgjedhur nga dy aktivitete për secilën nga nëntë komunat e monitoruara, duke u bazuar në disa kritere, si: vlera e kontratës, numri i ankesave, rreziku, procedura dhe rëndësia që ka pasur për komunitetin. Nga këto, njëra ka qenë kontratë e vlerës së madhe, ndërsa tjetra kontratë e vlerës së mesme.

Sipas Arifit, fillimisht është analizuar nëse aktivitetet kanë qenë të përfshira në plan të prokurimit, ku shtatë prej komunave të monitoruara njërin nga dy aktivitetet e monitoruara, nuk e kanë paraparë në plan të prokurimit për vitin respektiv. Ndërsa, pesë komuna njërin nga dy aktivitetet e monitoruara i kanë përfshirë në planin e tyre të prokurimit për vitin përkatës, por kanë paraparë vlerë më të ulët krahasuar me vlerën e parashikuar në fazën e inicimit të aktivitetit.

Tutje Arifi shtoi se në tri aktivitete të prokurimit në dy komuna të ndryshme janë identifikuar komisione të vlerësimit të ofertave, anëtarë të të cilëve, nuk kanë pasur kualifikimin e duhur. Kurse, ai tha se kur kanë monitoruar dhe vlerësuar nëse për secilin nga këto aktivitete është ndjekur dhe zbatuar procedura e duhur ligjore nga ana e autoritetit kontraktues, kanë gjetur se procedurën e duhur ligjore nuk e ka zbatuar Komuna e Prishtinës për aktivitetin “Sigurimi fizik për objektet e Komunës së Prishtinës”, ku ka përdorur procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë duke e kufizuar konkurrencën e lirë, si një parim i rëndësishëm në procedurën e prokurimit.

Hulumtuesi Arifi tregoi se në pjesën ku trajtohet aspekti menaxhues i kontratave, gjetjet tregojnë se komuna e Deçanit dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit si donator i këtij projekti, nuk kanë arritur që konform kushteve të kontratës dhe nivelit të punëve të kryera t’i ekzekutojnë pagesat tek operatori ekonomik. Pastaj, ai shtoi se si rrjedhojë e hulumtimit të validitetit të sigurisë së ekzekutimit të kontratës, IKD dhe INPO kanë gjetur se komuna e Prishtinës dhe komuna e Junikut nuk kanë arritur t’i respektojnë dispozitat ligjore lidhur me këtë, përkatësisht kanë nënshkruar kontratë pa siguri të ekzekutimit valide dhe në kundërshtim me kërkesat e dosjes së tenderit.

Lidhur me atë se a zbatohet kontrata konform kushteve të kontratës dhe paramasës, Arifi tha se gjetjet dëshmojnë se komuna e Gjakovës dhe ajo e Gjilanit nuk kanë arritur që implementimin ta bëjnë konform kushteve të kontratës, ndërsa Komuna e Hanit të Elezit dhe komuna e Prishtinës nuk kanë arritur që t’i planifikojnë projektet në mënyrë profesionale, me çka pastaj është shtruar nevoja për ndryshime në pozicione të ndryshme.

Arifi shpjegoi se gjatë vizitës ne terren, është vërejtur fakti se komuna e Junikut për aktivitetin “Ndërtimi i Qendrës për Kulturë, Turizëm dhe Agrobiznes”, ka lejuar ekzekutimin e pagesave pa u kryer punët e caktuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave përkundër që punët nuk janë kryer në përputhje me paramasën, duke pranuar ndryshimin e pozicioneve të paramasës në kundërshtim me dispozitat ligjore. Komuna e Vushtrrisë për kontratën “Asfaltimi i rrugëve lokale në qytet” nuk ka arritur që të sigurohet për cilësinë e punimeve, ndërsa komuna e Prishtinës për kontratën “Furnizim me kifle për nxënësit e klasave 1-5”, si pasojë e vonesave të Agjencia Qendrore e Prokurimit në kuadër të furnizimeve të përbashkëta, ka udhëhequr e vetme procedurën dhe ka nënshkruar kontratë, mirëpo, komuna nuk ishte kujdesur që ta lë një klauzolë se kjo kontratë nuk do të kishte fuqi juridike në momentin që AQP nënshkruan kontratën për furnizime të përbashkëta. Kështu, komuna rrezikon që të paditet për mos përmbushje të kontratës nga operatori ekonomik me të cilin ka nënshkruar kontratë.

Arifi gjithashtu potencoi se gjatë daljes në terren dhe intervistave të zhvilluara nga IKD dhe INPO është konstatuar edhe fakti se komunat në përgjithësi nuk i konsultojnë paraprakisht qytetarët për projekte të caktuara dhe shumica dërmuese e qytetarëve të anketuar nuk kanë njohuri për koston dhe kohëzgjatjen e kontratës.

Ai në fund rekomandoi që komunat të hartojnë kërkesat teknike dhe profesionale në përputhje me dispozitat e LPP-së, të shmangin praktikën e shkurtimit të afateve të rregullta ligjore pa pasur arsye reale dhe pa u gjendur në situata të jashtëzakonshme, si dhe të shmangin përdorimin e procedurave të cilat e cenojnë lirinë e tregut. Njëkohësisht, kërkoi që komunat të angazhohen që aktiviteti të planifikohet mirë, menaxhimi i kontratave të jetë adekuat, të mos pranohen punë në kundërshtim me kushtet e kontratës, përkatësisht punë jo cilësore, të mos kryhen pagesa pa përfunduar punët dhe të sigurohen që marrin punën, shërbimin apo furnizimin e kërkuar në përputhje dhe në proporcion me vlerën monetare të paguar për to.

Për më tepër, gjeni bashkangjitur raportin “Praktikat e Prokurimit Publik: Nga Buxhetimi deri tek Menaxhimi i Kontratave“.