50 prokurorë kujdestarë në ditën e zgjedhjeve

50 prokurorë kujdestarë në ditën e zgjedhjeve

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi moderator i tryezës ka thënë se tryeza është organizuar me qëllim të sensibilizimit të gjithë akterëve kyç nga organet e drejtësisë , partive politike dhe opinionit të gjerë rreth gatishmërisë së institucioneve të drejtësisë për të luftuar çdo veprim në drejtim të manipulimit të votave në zgjedhjet e 3 nëntorit 2013.

Musliu ka bërë të ditur se IKD gjatë vitit të kaluar ka publikuar raportin “Krimi i Organizuar në zgjedhje: Analizë e politikës së ndjekjes dhe dënimeve”, në të cilën kishte bërë rekomandime konkrete rreth rolit proaktiv që duhet ta ketë Prokurori i Shtetit në rastet që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit.

Ndërkaq sipas Musliut në zgjedhjet e sivjetme me iniciativë të Kryeprokurorit të Shtetit, z. Ismet Kabashi me 18 shtator 2013 është nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi “Lidhur me zgjedhjet 2013” në mes Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës, Komisionit Qendror Zgjedhor dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa me qëllim të ngritjes së bashkëpunimit dhe koordinimit në mes të këtyre institucioneve në ndërmarrjen e aktiviteteve për luftim të suksesshëm të veprave penale kundër të drejtave të votimit duke përfshirë këtu, edhe parandalimin e këtyre veprave penale që bien ndesh me legjislacionin në fuqi.