IKD: KGJK dhe KPK me mungesë efikasiteti, llogaridhënie dhe integriteti në ushtrimin e kompetencave kushtetuese dhe ligjore

IKD: KGJK dhe KPK me mungesë efikasiteti, llogaridhënie dhe integriteti në ushtrimin e kompetencave kushtetuese dhe ligjore

IKD: KGJK dhe KPK me mungesë efikasiteti, llogaridhënie dhe integriteti në ushtrimin e kompetencave kushtetuese dhe ligjore

Prishtinë, 29 janar 2019 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Ambasadës Britanike në Kosovë dhe NED, të martën ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka prezantuar raportin Pavarësia, efikasiteti, llogaridhënia dhe integriteti i sistemit gjyqësor dhe prokurorial (Raport i monitorimit sistematik të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial në vitin 2018)”.

Gzim Shala hulumtues në IKD ka prezantuar gjetjet e raportit, të cilat dëshmojnë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK)  dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) edhe gjatë vitit 2018 janë përballur me mungesë efikasiteti, llogaridhënie dhe integriteti në ushtrimin e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore. “IKD si rezultat i monitorimit sistematik që u bënë dy Këshillave, vlerëson se këto institucione, kompetencat dhe përgjegjësitë e përcaktuara me Kushtetutë dhe ligj, nuk kanë qenë në gjendje që t’i zbatojnë në praktikë” tha Shala.

Sipas IKD-së, Kushtetuta dhe ligji i aplikueshëm përcaktojnë se KGJK dhe KPK, autoritetin e tyre në raport me gjykatat dhe prokuroritë e ushtrojnë përmes mekanizmave të kontrollit, siç janë vlerësimi i performancës së gjykatësve dhe prokurorëve, kryetarëve të gjykatave dhe kryeprokurorëve, si dhe përmes mekanizmit të disiplinimit të tyre në rastet kur ata shkelin Kodin e Etikës dhe Sjelljes Profesionale. Viti 2018, sikurse edhe vitet e mëhershme, nuk ka shënuar progres në drejtim të shtimit të efikasitetit të këtyre mekanizmave të kontrollit. Në anën tjetër, gjatë vitit 2018 janë shënuar shumë raste kur gjykatës, prokuror, kryetar të gjykatave dhe kryeprokuror të caktuar kanë rënë në kundërshtim me parimet dhe Kodin e Etikës, por asnjë prej tyre nuk është shkarkuar për shkak të performancës së dobët apo për shkak të masave disiplinore. Përjashtim bën KPK e cila gjatë këtij viti, përmes masës disiplinore ka degraduar një prokuror nga Departamenti për Krime të Rënda në atë të Përgjithshëm.

Viti 2018 nuk ka shënuar efikasitet sa i përket miratimit të legjislacionit sekondar në KGJK dhe KPK. Përkundrazi, për këtë vit evidentohen vetëm dy rregullore të miratuara nga KGJK, ndërsa vetëm një rregullore e miratuar nga KPK. Të dy Këshillat, ende nuk kanë arritur as në vitin 2018 të përmbyllin miratimin e legjislacionit sekondar lidhur me zbatimin e ligjeve bazike të miratuara qysh në vitin 2011, e të cilat ligje tanimë janë shfuqizuar me miratimin e ligjeve të reja të pakos së gjyqësorit.

Kosova si rezultat i kërkesave të Bashkimit Evropian (BE), lidhur me plotësimin e kritereve për liberalizim të vizave gjatë vitit 2015, kishte plotësuar dhe ndryshuar pakon e ligjeve të gjyqësorit. Ndër kërkesat e BE-së ishte që gjatë miratimit të këtyre ligjeve, t’i kushtohet rëndësi harmonizimit të dispozitave të ligjeve për KGJK, Gjykatat me ligjet për KPK dhe Prokurorin e Shtetit. Derisa BE-ja kishte kërkuar harmonizim, bashkëpunim dhe koordinim në mes të Këshillave, viti 2018 ka shënuar përplasjet më të mëdha në mes tyre. Mungesa e rezultateve konkrete në luftimin e korrupsionit të profilit të lartë dhe krimit të organizuar ka shërbyer si temë për të ngritur akuza të ndërsjella për ta gjetur fajtorin e dështimeve. Në njërën anë, KPK dhe Kryeprokurori i Shtetit, të gjitha dështimet në përfaqësimin dhe mbrojtjen e aktakuzave të profilit të lartë i kanë adresuar tek gjyqësori, duke theksuar se vetëm aktakuzat e profilit të lartë për korrupsion po rrëzohen nga gjykatësit. Në anën tjetër, KGJK ka reaguar publikisht duke akuzuar Prokurorin e Shtetit se po tenton që dështimet t’ia atribuojë gjyqësorit, tentime këto të cilat sipas tyre ndërhyjnë në pavarësinë e punës së tyre.

Nga monitorimi sistematik, IKD ka gjetur se mungon debati mes anëtarëve të Këshillave, sidomos debati dhe kontributi përmbajtjesor i tyre gjatë takimeve ku trajtohen politikat, strategjitë, dhe dokumentet relevante për miratim. Në këtë aspekt, KGJK është një hap më e avancuar. Derisa në mbledhjet e KGJK-së vërehet një debat më i shpërndarë në mes të anëtarëve, në mbledhjet e KPK-së edhe gjatë vitit 2018 ka anëtarë që asnjëherë nuk i’u është dëgjuar zëri. Kontributi i tyre i vetëm në këto mbledhje, është ngritja e dorës për të votuar për pika të ndryshme të propozuara në Këshill. Karakteristikë e mbledhjeve në KPK është fakti se shumica dërrmuese e vendimeve merren në mënyrë unanime. IKD vlerëson se fakti që shumë anëtarë asnjëherë nuk flasin dhe vendimet merren me vota unanime, dëshmon se anëtarët e Këshillave, veçanërisht KPK-së, janë shndërruar në makina votimi.

Transparenca me publikun dhe shoqërinë civile, mbetet ende sfidë për KGJK-në dhe KPK-në. Në mbi 50% të kërkesave për qasje në dokumentet publike, IKD nuk ka marrë përgjigje nga sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial gjatë vitit 2018. Një numër i caktuar i rregulloreve dhe vendimeve të miratuara nga KGJK dhe KPK ende nuk janë bërë publike në uebfaqe as gjatë këtij viti. Në këtë drejtim KPK mbi 85 % të vendimeve të miratuara nuk i ka publikuar në uebfaqe të Këshillit.

IKD gjatë monitorimit të KGJK-së ka gjetur se nuk është përmbushur obligimi ligjor për themelimin e degëve të reja të Gjykatës Themelore të Prishtinës në Komunën e Fushë Kosovës dhe Obiliqit. Sikurse përcaktohet në ligj, themelimi i tyre do të ndikonte në shkarkimin e Gjykatës më të ngarkuar me lëndë në vend, asaj në Prishtinë si dhe do të rriste qasjen në drejtësi për qytetarët e këtyre komunave.

Për më tepër, IKD vlerëson se legjislacioni pozitiv në Kosovë iu ka siguruar pavarësi të plotë dy Këshillave në ushtrimin e funksioneve dhe përgjegjësive të tyre. Kjo pavarësi ka filluar të keqpërdoret nga dy Këshillat, duke zbatuar ligjin sipas interesave individuale të personave të caktuar brenda sistemit, ku për shumë raste konkrete, IKD vazhdimisht ka ngritur shqetësime publikisht. Mungesa e vullnetit dhe integritet të të dy Këshillave për të përmbushur me efikasitet, integritet dhe profesionalizëm obligimet e tyre kushtetuese dhe ligjore është mesazhi më i keq që këta dy Këshilla mund të përçojnë tek gjykatësit dhe prokurorët, si dhe tek publiku i gjerë. Kjo qasje e shndërron në parim të punës joefikasitetin, mungesën e llogaridhënies dhe pandëshkueshmërinë.

Ndër të tjera, IKD e sheh shumë shqetësuese trajtimin e KGJK-së dhe KPK-së si departamente të cilat udhëhiqen nga Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri. Sipas IKD-së, vizitat dhe takimet e vazhdueshme që Tahiri ka pasur me dy kryesuesit e Këshillave, kanë krijuar në publik opinionin sikur KGJK dhe KPK drejtohen e Ministria e Drejtësisë, dhe jo që janë institucione të pavarura. IKD e sheh si shumë shqetësuese këtë “bashkëpunim”. Bashkëpunimi në mes KGJK-së dhe KPK-së në njërën anë, dhe MD-së në anën tjetër, duhet të jetë në fushat në të cilat këto institucione duhet të bashkërendojnë agjendën, siç janë nismat legjislative, grupet punuese apo në fushat që kanë të bëjnë me hartimin e politikave në sektorin e drejtësisë, ku kompetente është Ministria e Drejtësisë.

Në raportin e IKD-së është e pasqyruar e gjitha puna, vendimet, legjislacioni sekondar, përmbushja e obligimeve ligjore si dhe gjetjet e veçanta për KGJK-në dhe KPK-në.

Bashkëngjitur e gjeni edhe raportin ne shqip “Pavarësia, efikasiteti, llogaridhënia dhe integriteti i Këshillit Gjyësor dhe Këshillit Prokurorial”