IKD reagon ndaj shkeljes së ligjit nga KQZ, kërkon largimin e kandidatëve të certifikuar që kanë aktgjykime dënuese përfundimtare dhe fton Prokurorin e Shtetit të hetojë vendimmarrjen e KQZ-së 

Sunday 10 September, 2017

foto 3

Prishtinë, 10 shtator 2017 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e cila ka shkelur ligjin duke certifikuar kandidatët me të kaluar kriminale, respektivisht me dënime gjyqësore të formës së prerë, të cilët garojnë për asamblistë dhe Kryetar të Komunave në zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.

IKD vlerëson se vendimi i KQZ-së për të certifikuar kandidatët me të kaluar kriminale në tri vitet e fundit, në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet Lokale në Kosovë paraqet skandal, për të cilin fton Prokurorin e Shtetit të hetojë vendimmarrjen e KQZ-së, e cila përkundër të dhënave zyrtare nga KGJK për kandidatët me të kaluar kriminale, ka bërë certifikimin e tyre apo nuk ka ndërmarr veprime konform ligjit për të pastruar listat e kandidatëve për asamblistë apo Kryetar të komunave, të cilëve në bazë të ligjit iu mohohet e drejta për të kandiduar në zgjedhjet komunale të përcaktuara me 22 tetor 2017.

Një shkelje e tillë e ligjit në mënyrë kaq transparente nuk mund ta lë indiferent Prokurorin e Shtetit, i cili ka mandat kushtetues dhe ligjor të hetojë dhe ndjek këto veprime.

Ky vendim i KQZ-së dëshmon mungesën e vullnetit politik të partive politike, të cilat përmes përfaqësuesve të tyre përbëjnë trupën e KQZ-së për të respektuar kriteret ligjore, duke synuar futjen e kandidatëve me të kaluar kriminale në kundërshtim me ligjin.

Bazuar në të dhënat zyrtare janë mbi 7000 kandidatë për të cilët KQZ ka kërkuar të dhëna për të kaluarën e tyre kriminale në Gjykatat Themelore të Republikës dhe janë mbi 600 kandidatë, të cilët kanë aktgjykime dënuese përfundimtare ose gjenden në procedura penale.

IKD kërkon nga KQZ që në përputhje me legjislacionin pozitiv, të bëhet largimi i të gjithë kandidatëve për asamblistë dhe kandidatëve për Kryetar të Komunave që kanë aktgjykime dënuese përfundimtare për vepra penale.

Në këtë drejtim, IKD ka pranuar ankesa të kandidatëve, të cilët kontestojnë saktësinë e të dhënave të KGJK-së, prandaj kërkon nga KGJK që të verifikojë të dhënat e vendimeve përfundimtare gjyqësore nga Gjykatat Themelore për të qenë të saktë dhe për të kufizuar të drejtat e kandidatëve me aktgjykime përfundimtare në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet Lokale në Kosovë.

IKD shpreh zhgënjimin me partitë politike, të cilat po japin mesazh të keq me rastin e kandidimit të personave me aktgjykime dënuese përfundimtare në kundërshtim me ligjin,  por edhe me rastin e kandidimit të personave, të cilët në këtë fazë janë duke u përballur me procese gjyqësore për vepra të ndryshme penale. IKD shpreh brengën lidhur me integritetin e kandidatëve për asamblistë në këto zgjedhje lokale dhe partive politike që garojnë në këto zgjedhje.

Kjo pasi që edhe përkundër faktit se kandidatët kanë qenë të obliguar të nënshkruajnë deklaratën në formularin për certifikim të kandidatit ku konfirmojnë se të njëjtit nuk kanë asnjë pengesë që do t’i bënte të pamundur për tu paraqitur se kandidat bazuar në nenin 29 të Ligjit mbi Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, e ku është përcaktuar edhe kushti që të mos janë të dënuar me aktgjykim të formës së prerë në tre vitet e fundit. Ligji mbi Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, aplikohet përshtatshmërisht edhe për zgjedhjet lokale në Kosovë.

Të dhënat e KGJK-së kanë dëshmuar të kundërtën në qindra raste.  Kjo dëshmon se këta kandidatë me të kaluar kriminale, përmes informatave të rrejshme kanë provuar që të venë në lajthitje KQZ-në, më çka dyshohet se kanë mund të kryejnë edhe veprën penale Deklarim i rremë nën betim, e sanksionuar sipas Kodit Penal të Kosovës.

Në këtë drejtim, IKD kërkon reagim urgjent të institucioneve të thirrura me ligj, në rastin konkret nga KQZ, Prokurori i Shtetit dhe KGJK, për të ndërmarr veprime konform brenda fushëveprimit të tyre kushtetues dhe ligjor.

IKD fton partitë politike që të japin shembull në drejtim të ofrimit të kandidatëve si për asamblistë si për Kryetar të Komunave, të cilët nuk kanë probleme me ligjin, përfshi edhe përballjen e tyre me procedura gjyqësore, pa i paragjykuar për fajësinë e tyre. Vetëm në këtë mënyrë partitë politike do të dërgojnë mesazh se përmes ofrimit të kandidatëve të pastër dhe ofrimit të programeve janë të interesuara dhe përkushtuara për qeverisje të mirë.