Prishtinë, 16 janar 2021 – Ekipi i monitoruesve dhe hulumtuesve të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) ka hulumtuar integritetin e kandidatëve të partive politike të përfshirë në listat zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme, të cilat do të mbahen më 14 shkurt 2021.
Gjetjet e hulumtimit të IKD-së tregojnë se në listën zgjedhore të Listës Serbe, nga 20 kandidatë për deputetë, rezulton se një (1) kandidat i saj është i dënuar me 500 euro gjobë me aktgjykim të formës së prerë për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Po ashtu, në listën e Listës Serbe për kandidat për deputet është edhe një (1) kandidat tjetër cili ka aktakuzë aktive, pasi ai është dënuar nga gjykata e shkallës së parë, mirëpo ndaj tij akoma nuk ka vendim nga Gjykata e Apelit, si gjykatë e shkallës së dytë.
Duke qenë se IKD është e vetmja organizatë e cila monitoron sistematikisht trajtimin e rasteve në sistemin e drejtësisë, në vazhdim pasqyron në mënyrë detajuar të gjitha informacionet për këta kandidatë të Listës Serbe.
Kandidati për deputet | Data e ngritjes së aktakuzës | Vepra penale në aktakuzë | Faza procedurale | Lloji i aktgjykimit | Data e vendosjes | Vendim i plotfuqishëm |
Milan Aritonoviç | 21.09.2018 | “mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” | Ka përfunduar gjykimi | Dënues – 500 euro gjobë | 25.04.2019 | Po |
Ivan Todosijeviq | 28.06.2019 | “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” | Aktgjykim i shkallës së parë | Dënues – Dy vite burgim efektiv | 05.12.2019 | Jo |
Tabela 1: Kandidatët e Listës Serbe për deputet me aktakuza dhe dënime në tri (3) vitet e fundit
IKD vazhdimisht ka avokuar për dekriminalizimin e skenës politike, duke kërkuar nga partitë politike që të ngrisin integritetin e listave zgjedhore me kandidatë që nuk kanë probleme me ligjin.
IKD thekson se të dhënat janë mbledhur nga monitorimi sistematik i seancave gjyqësore publike. Pra, ka mundësi, sikurse ka ndodhur në praktikën gjyqësore, që të ketë aktakuza të ngritura ndaj politikanëve të caktuar, që mund të jenë në këto lista, por të cilat nuk janë bërë publike ende.
Gjithsesi, IKD do të hulumtojë edhe ditët në vazhdim, për të kompletuar secilin informacion mbi secilin kandidatë që gjendet në listat zgjedhore.
IKD do të publikojë të dhënat e te gjithë kandidatëve që janë në listat zgjedhore të të gjitha partive politike dhe koalicioneve, duke u bazuar në të dhënat e monitorimit nga sistemi i drejtësisë.