Në zgjedhjet e 3 nëntorit shumë kandidatë të cilët kanë hyrë në garë për të parin e komunës janë të përfshirë në hetime penale. Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, IKD në një intervistë për emisionin ORA 7 në Klan Kosova, ka folur për kandidatet dhe ligjshmërinë e kandidimit të tyre pasi që disa prej tyre janë në ndesh me ligjin.
Musliu ka thënë se për shkak se drejtësia penale njeh parimin e prezumimit të pafajësisë dhe përderisa nuk shpallen të fajshëm me një vendim të formës së prerë, të gjithë kandidaëtët janë të lirë të garojnë në secilën parti.
“Kemi një numër të madh të cilët janë ndesh me ligjin, gjë që ndodh edhe në vendet tjera të rajonit, mirëpo kandidatët atje për shkak të moralit, etikës dhe besimit në sistemin e drejtësisë nuk konkurrojnë dhe presin verdiktin e drejtësisë gjë që nuk ndodh në rastin tonë”.
Ai më tutje shtoi se kandidatët për shkak të moralit dhe etikës nuk do duhej të jenë pjesë e garës sepse ata nuk japin një shembull të mirë për qytetarët tanë pasi që janë në ndesh me ligjin.
Musliu ka thënë se partitë politike nuk janë duke pasur parasysh shpenzimet e mëdha buxhetore që mund të shkaktohen nëse ndonjëri nga kandidatët shpallet fajtor pas përfundimit të zgjedhjeve dhe kjo sipas tij, po ndodh për shkak të mungesës së vedijësimit të partive politike se edhe vetë këta kandidatë që kanë problem me drejtësinë do mund të rrezikojnë fitoren e tyre.
Musliu bëri të ditur se viti 2010 ka qenë viti ku është shënuar vjedhja më masive e votave sepse një numër i madh i komisionerëve, rreth 5 mijë sosh të cilët janë përfshirë direkt në manipulimin e zgjedhjeve, 1.500 janë të akuzuar ndërkaq pritet edhe 1000 të tjerë të akuzohen. Sipas tij, ka fakte të pakontestueshme për 5.000 komisionerë që kanë qenë të përfshirë në manipulime të zgjedhjeve