Zbatimi i politikave kundër narkotikëve ilegal

Zbatimi i politikave kundër narkotikëve ilegal

Zbatimi i politikave kundër narkotikëve ilegal

19 maj 2011 – Strategjia Kombëtare për luftimin e narkotikëve përfshinë të gjitha institucionet relevante, pra promovon një qasje të integruar. Megjithatë, nga hulumtimi është vërejtur se në praktikë Kosova nuk ka një qasje të integruar. Vetëm Policia e Kosovës është aktive në hetimin e kësaj dukurie përderisa institucionet tjera nuk janë angazhuar në përmbushjen e detyrave të veta. Shembull, edukimi i të rinjve për rrezikun dhe pasojat nga drogat duhet të bëhet nga MASHT dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë. 

Megjithatë, ky vetëdijesim bëhet nga PK. Strategjia kundër drogave nuk është e balancuar në kuptimin e pjesëmarrjes dhe ndarjes së përgjegjësive në mes të institucioneve. Në këtë rrafsh vërehet edhe mungesa e qendrave të specializuara rehabilituese në të cilat do të bëhej edhe dhënia e terapisë me metadon. Gjithashtu vërehet mungesa e angazhimit të shoqërisë civile, e cila do të ndihmonte në hartim dhe zbatim të politikave kundër përdorimit të drogës. Mangësi tjetër në zhvillimin e politikave të mira është vërejtur edhe mungesa e një qendre të monitorimit, vlerësimit dhe integrimit të të dhënave. Kjo qendër do të ndikonte në përcaktimin e problemit dhe se çfarë hapash duhet të ndërmerren. 

Rrjedhimisht, ende nuk dihet se sa përdorues të narkotikëve janë. Në nivel lokal kundër drogave nuk bëhet shumë. Njëjtë është edhe në nivel kombëtar, ndërsa veprimi është edhe më i vogël në nivel transnacional Krahasimi i aktiviteteve të parapara në PVPE dhe rezultatet nga terreni tregojnë për mospërmbushje të objektivave. Përveç rritjes së numrit të qenve, pikat tjera çalojnë dhe nuk janë përmbushur. Kjo ndikon në mungesë të rezultateve konkrete duke lënë hapësirë për akuzim nga vendet tjera në drejtim të Kosovës.

Gjithashtu, nga debatet e realizuara dhe raportet tjera, numri i përdoruesve të drogave është në rritje duke bërë Kosovën vend jo vetëm vend transit, por edhe vend destinimi të drogave. Mungesa e veprimeve në reduktimin e kërkesës përkatësisht kufizimi vetëm në vetëdijesim të nxënësve, pa pasur qendër për rehabilitimin e personave që janë të varur nga narkotikët, ndikon në rritjen dhe shterjen e kapaciteteve të policisë. Rehabilitimi bëhet vetëm për rastet ekstreme në Klinikën Neuropsikiatrike të QKUK-së, por rastet tjera nuk kanë trajtim në Kosovë. Prandaj, Qendra për dhënien e metadonit është më se e nevojshme.