WFD dhe IKD: Partitë politike mos të fusin në lista zgjedhore kandidatë që kanë probleme me ligjin

WFD dhe IKD: Partitë politike mos të fusin në lista zgjedhore kandidatë që kanë probleme me ligjin

WFD dhe IKD: Partitë politike mos të fusin në lista zgjedhore kandidatë që kanë probleme me ligjin

Prishtinë, 6 shtator 2019 – Fondacioni i Uestminster për Demokraci (WFD) në partneritet me Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), me financim të Qeverisë së Britanisë së Madhe, të premten, kanë publikuar raportin “Qeverisje me integritet: Raport krahasues i kandidatëve për listat zgjedhore dhe kabinete qeveritare në vitet 2010, 2014 dhe 2017”.

Ky raport bërë studimin dhe verifikimin e numrit të personave me aktakuza dhe me aktvendime gjyqësore për vepra penale, të cilët kanë qenë në lista zgjedhore për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe që kanë mbajtur pozita të kabinetet qeveritare në tri legjistraturat dhe periudhat qeverisëse në Kosovë 2010-2014, 2014–2017 dhe 2017–2019.

Albert Krasniqi nga WFD tha se ajo çfarë bie më shumë në sy nga ky hulumtim është trendi në rritje i politikanëve të cilët kanë probleme me ligjin, e të cilët sipas tij ia mësyjnë posteve publike, duke kërkuar menaxhim me paratë publike dhe marrjen e vendimeve në emër të qytetarëve.

Krasniqi tha se ky është një tregues i rënies së standardit etik dhe moral të partive politike, pasi siç tha ai, kjo ndikon edhe në krijimin e institucioneve të cilat nuk kanë integritet për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, në kohën kur niveli i korrupsionit në Kosovë është mbi mesataren globale.

Betim Musliu nga IKD ka prezantuar gjetjet e raportit, sipas të cilit në zgjedhjet e vitit 2010 kishte dy kandidatë me aktakuzë që garonin për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,  në zgjedhjet nacionale të vitit 2014, ky numër është rritur nga dy në pesëmbëdhjetë (15), ndërsa në zgjedhjet nacionale të vitit 2017 gjendja përkeqësohet më tutje me gjithsej njëzet e shtatë (27) persona në lista të kandidatëve për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Musliu bëri të ditur se prania e personave me aktakuza apo aktgjykime për vepra penale nuk ka ndaluar vetëm në Kuvend, por është reflektuar edhe në ekzekutiv, pra në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Sipas tij, gjetjet e raportit tregojnë se kabineti qeverisës në periudhën 2010 – 2014 ka pasur dy pozita të larta me aktakuza, njëjtë sikurse edhe kabineti qeverisës në periudhën 2014 – 2017, ndërsa, në periudhën 2017 – 2019 kemi degradimin më të madh me 14 zyrtarë të lartë të shtetit me aktakuza në pozita si zëvendëskryeministër, ministër dhe zëvendësministër.

Sipas raportit të WFD-së dhe IKD-së, studimi dhe krahasimi i listave zgjedhore të viteve 2010, 2014 dhe 2017 duke u bazuar në burime institucionale konkludon se ka trend në rritje të përfshirjes së personave me aktakuza në zgjedhje në Kosovë.
Krahasimi i kandidatëve me aktakuza në zgjedhjet e viteve 2010-2014-2017

Në raport thuhet se i njëjti trend negativ vërehet edhe për kabinetet qeveritare përgjatë viteve, duke u theksuar se në shumë raste edhe pse zyrtarët e lartë të partive politike në momentin e emërimit në poste të larta qeveritare nuk kanë pasur aktakuza, gjatë shërbimit të tyre ndaj tyre është ngritur aktakuzë dhe kanë vazhduar punën.

Krahasimi i anëtarëve me aktakuza në kabinetet qeveritare 2010-2019

Në këtë drejtim, WFD dhe IKD rekomandojnë që partitë të mos përfshijnë në lista të kandidatëve për zgjedhjet e vitit 2019 persona që kanë probleme me ligj, do të thotë persona që janë nën hetime, me aktakuzë ose me aktvendim gjyqësor, kabineti qeveritar që rrjedh nga zgjedhjet e vitit 2019 të mos ketë persona që janë nën hetime, me aktakuzë ose me aktgjykim gjyqësor, si dhe pas përfundimit të zgjedhjeve, liderët e partive të ndërmarrin iniciativë të përbashkët ose individuale për të adresuar këtë dukuri negative një herë e përgjithmonë.

Kurse, opsionet e rekomanduara për adresimin e kësaj dukurie në bazë të praktikave ndërkombëtare dhe rrethanave të Kosovës janë miratimi i rregullave etike dhe ndalesa legjislative.