Studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së vizituan Akademinë e Drejtësisë
Prishtinë, 13 shkurt 2025 – Studentët e Programit të Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), të shoqëruar nga Udhëheqësja e Programit të Klinikës Ligjore, znj. Arrita Rezniqi, kanë vizituar Akademinë e Drejtësisë, ku janë pritur nga Drejtori i kësaj Akademie, Enver Fejzullahu.
Gjatë kësaj vizite studentët u informuan nga Drejtori Fejzullahu rreth rolit, përgjegjësive dhe detyrave të Akademisë se Drejtësisë, dhe për rendësinë e këtij institucioni në fuqizimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Në anën tjetër, përmes pyetjeve të bëra, studentët u interesuan të marrin informata për përfituesit dhe rendësinë e trajnimeve të organizuara nga Akademia e Drejtësisë, për stafin trajnues dhe për sfidat e këtij institucioni në realizimin e misionit të vet.
Në fund të vizitës, studentët kanë vizituar ambientet e punës së Akademisë, si dhe ambientet ku trajnimet i mbajnë gjyqtarët dhe prokuroret e rinj.
Kjo vizitë është realizuar me qëllim të ofrimit të qasjes praktike për studentët e rinj, pjesëmarrës të Klinikës Ligjore të IKD-së dhe ngritjen e njohurive profesionale për sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD-së, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si programi trajnues, i cili ka për qëllim ngritjen e njohurive profesionale të studentëve të rinj, pastaj procesi i monitorimit dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.