Studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së trajnohen lidhur me pjesëmarrjen publike në procesin e vendim-marrjes

Studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së trajnohen lidhur me pjesëmarrjen publike në procesin e vendim-marrjes

Studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së trajnohen lidhur me pjesëmarrjen publike në procesin e vendim-marrjes

Prishtinë, 31 tetor 2022 – Në kuadër të Programit Qeverisja e Mirë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) të hënën është mbajtur trajnimi i radhës për studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së.
Ky trajnim përfshiu informimin e studentëve lidhur me pjesëmarrjen publike në procesin e vendimmarrjes.
Studentët janë njoftuar me Rregulloren Nr.05/2016 për standardet minimale për procesin e konsultimit publik, parimet e përgjithshme të kësaj rregulloreje dhe për dokumentet që i nënshtrohen konsultimit publik. Më tutje, studentët janë njoftuar se si planifikohen konsultimet, si zhvillohen dhe se si mbledhen dhe adresohen komentet.
Studentët janë trajnuar dhe është demonstruar mënyra e konsultimit me shkrim, veçanërisht se si IKD i ka shkruar dhe dërguar komentet për njërin ndër projektligjet më të rëndësishme të administratës publike në Kosovës, atë të Projektligjin për pagat në sektorin publik. Kështu, pjesëmarrësit kanë pasur mundësi që në mënyrë praktike të informohen me gjithë procedurën e hartimit të një komenti dhe dërgimit të tij.
Takimi me studentet ka vazhduar me informimin e tyre për mundësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve dhe shoqërisë civile në dëgjimet publike në Kuvendin e Kosovës, gjatë procesit të shqyrtimit të projektligjeve. Trajnimi është zhvilluar nga Naim Jakaj dhe Qemajl Marmullakaj.
Ky aktivitet është zhvilluar në kuadër të mbështetjes nga ana e Rockefeller Brothers Fund dhe zhvillohet në kuadër të programit të Klinikës Ligjore të Qendrës për Edukim Profesional të IKD-së që financohet nga UNMIK.
Krahas kësaj, pjesëmarrësit e Klinikës Ligjore të IKD-së, janë pjesë e aktiviteteve të tjera si procesi i monitorimit të seancave gjyqësore, vizitat nëpër institucione të ndryshme shtetërore dhe pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në procesin e punës së ofrimit të ndihmës juridike nga Qendra për Ndihmë Juridike falas e IKD.