Prishtinë, 05 dhjetor 2023 – Studentët e Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) në kuadër të aktiviteteve të Javës kundër Korrupsion, në sallën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kanë simuluar miratimin e një rezolute për luftimin e korrupsionit në Kosovë.
Pas diskutimit nga të gjithë studentët pjesëmarrës, të cilët të martën ishin në pozitë të deputetit të Kuvendit, të njëjtit votuan për miratimin e rezolutës si në vijim:
“Duke vlerësuar rëndësinë e integrimit euroatlantik të Kosovës, bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtar dhe jetën më të mirë të qytetarëve të vendit. Si dhe duke ditur në përgjithësi gjendjen e institucioneve shtetërore, nevojën për luftimin e korrupsionit dhe rëndësinë për një shtet funksional ligjor, ne prezantojmë këtë rezolutë:
- Kuvendi i Republikës së Kosovës do të angazhohet fuqishëm për përmbushjen e obligimeve në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
- Kuvendi i Republikës së Kosovës do të veprojë në drejtim të miratimit të amendamentit Kushtetues për përfshirjen e UNCAC në nenin 22 të Kushtetutës së Kosovës.
- Kuvendi i Republikës së Kosovës do të angazhohet maksimalisht në luftimin e korrupsionit në vend, duke filluar nga adresimi i vlerësimit të hapësirave për korrupsion gjatë hartimit dhe miratimit të ligjeve, apo siç njihet “corruption proofing” i ligjeve.
- Kuvendi i Republikës së Kosovës në asnjë formë nuk do të bëjë deklarata ndërhyrëse në sistemin e drejtësisë. Madje, për deklarata të tilla eventuale nga Qeveria, Kuvendi këtë të fundit do ta mbajë përgjegjëse.
- Kuvendi i Republikës së Kosovës do të përmbushë agjendën e vet në drejtim të fuqizimit të agjencive shtetërore ligjzbatuese, me fokus në ato që luftojnë korrupsionin dhe do të bëjë trajtimin me prioritet të kërkesave buxhetore të sistemit të drejtësisë.
- Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë përgjegjëse Qeverinë e Republikës së Kosovës për transparencën e saj në raport me mediat dhe publikun. E njëkohësisht do të kërkojë nga Qeveria e Republikës së Kosovës hapjen e të dosjeve dhe të dhënave, në veçanti në raport me punët, kontratat dhe çështjet që ndërlidhen me ndërmarrjet publike.
- Kuvendi i Republikës së Kosovës do të angazhohet në analizimin dhe harmonizimin e ligjeve ndërmjet vete dhe monitorimin e zbatimit të tyre, në veçanti për plotësimin e nevojave për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve, si dhe do të angazhohet në adresimin e të drejtave të viktimave të korrupsionit
- Kuvendi i Republikës së Kosovës do të ketë kujdes të shtuar të sigurohet që miratimi i ligjeve të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, qëndrimet e Komisionit të Venecias dhe standardet e tjera ndërkombëtare.
- Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Akademia e Drejtësisë të hartojë kurrikula dhe të ofrojë trajnime të avancuara profesionale për veprat penale nga kapitulli i korrupsionit. Ndërsa, nga Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon organizimin e fushatave vetëdijesuese, lidhur me veprat penale të kapitullit të korrupsionit.
- Kuvendi i Republikës së Kosovës do të ndërmerr masa konkrete në pastrimin e listave zgjedhore nga kandidatët me aktakuza, duke dhënë shembull përmes dekriminalizimit të politikës
- Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës që të përmbushë obligimet e veta duke raportuar para Kuvendit lidhur me zbatimin e Strategjisë për Sundim të Ligjit.”
Ky aktivitetet është organizuar në ditën e hapjes së “Javës kundër Korrupsion 2023”, organizuar nga Koalicioni i OJQ-ve Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja Fol dhe Iniciativa për Progres (INPO) dhe përkrahur nga Byroja për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Zbatimit të Ligjit (INL) – Departamenti i Shtetit Amerikan.
#bashkekunderkorrupsionit
#unitedagainstcorruption