Prishtinë, 21 shkurt 2026 – Më 11 shkurt 2026, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi përbërjen e re të Qeverisë, e cila tashmë përbëhet nga tre zëvendëskryeministra dhe 19 ministri. Ky zgjerim paraqet një ndryshim të ndjeshëm krahasuar me mandatin 2021–2025, kur qeveria funksiononte me 13 ministri, duke ngritur çështje serioze për racionalitetin dhe qëndrueshmërinë e këtij vendimi të tillë.
Reduktimi i ministrive në vitin 2021 ishte arsyetuar publikisht me synimin për rritje të efikasitetit dhe ulje të korrupsionit. Megjithatë, në vitin 2026, rritja e numrit të ministrive nuk është shoqëruar me asnjë analizë funksionale, buxhetore apo raport vlerësimi që të dëshmojë se struktura e mëparshme ka qenë e paefektshme apo e pamjaftueshme.
Nga gjithsej 22 zyrtarë që përbëjnë kabinetin qeveritar, 2 janë dënuar me vendim gjyqësor për vepra penale (përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe përdorim i paautorizuar i armës), 4 janë aktualisht të përballur me aktakuza penale aktive (përfshirë veprat penale të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm, pengimit të personit zyrtar, korrupsionit, sulmit dhe kanosjes), 4 kanë qenë të akuzuar në të kaluarën për vepra penale, por rastet e tyre kanë përfunduar me aktgjykim lirues ose parashkrim, ndërsa për 4 zyrtarë të tjerë ka pasur raportime publike për përfshirje në skandale, dyshime për konflikt interesi ose performancë të dobët.
Ristrukturimi aktual ka përfshirë ndarjen e disa ministrive të fuzionuara më parë, pa u prezantuar aranzhime të qarta rregullative për ndarjen e përgjegjësive, burimeve njerëzore dhe resurseve financiare. Po ashtu, buxheti i paraqitur nuk reflekton në mënyrë të qartë koston reale të zgjerimit të kabinetit qeveritar, duke krijuar paqartësi në menaxhimin financiar dhe administrative.
Një shqetësim shtesë lidhet me mungesën e një reference të qartë për procesin e dialogut me Serbinë. Ndryshe nga mandati i kaluar, ku ekzistonte një zëvendëskryeministër i dedikuar për dialog, struktura aktuale nuk ofron një adresim të qartë për këtë proces strategjik, i cili është drejtpërdrejt i ndërlidhur me integrimet evropiane të Kosovës.
Në mungesë të arsyetimit publik, analizave të bazuara në evidencë dhe një programi qeverisës që reflekton strukturën e re, zgjerimi i kabinetit qeveritar lë hapësirë për interpretimin se ky vendim i ngjan më shumë akomodimit politik sesa një reforme funksionale.
Për më shumë detaje, shih factsheet-in e plotë.
