Prishtinë, 22 dhjetor 2025 – Rishikimi Funksional i Strategjisë për Sundimin e Ligjit është vlerësuar si një nga proceset më të rëndësishme reformuese në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Si rezultat i këtij procesi, Strategjia për Sundimin e Ligjit dhe Plani i Veprimit u miratuan më 11 gusht 2021, duke përcaktuar objektiva, masa dhe obligime konkrete për institucionet përgjegjëse.
Vetë Strategjia parashihte që rishikimi afatmesëm të bëhej jo më larg se fillimi i vitit 2024, me qëllim të vlerësimit të efektivitetit të zbatimit dhe përshtatjes me zhvillimet e reja institucionale dhe ligjore. Ky rishikim ishte parakusht për vazhdimësinë dhe funksionalitetin e Strategjisë.
Në praktikë, rishikimi afatmesëm nuk u realizua në kohën e paraparë. Konsultimet publike për Draft Rishikimin Afatmesëm përfunduan vetëm në tetor 2024, me një vonesë prej më shumë se dhjetë muajsh. Rishikimi u miratua përfundimisht vetëm më 26 shkurt 2025, pa ndonjë arsyetim institucional për vonesën dhe pa masa kalimtare. Kjo vonesë e pajustifikuar e la Strategjinë pa orientim dhe pa zbatim efektiv gjatë gjithë vitit 2024. Institucionet nuk kishin obligime të qarta dhe të përditësuara, ndërsa mungesa e një Plani Veprimi funksional krijoi paqartësi, mungesë koordinimi dhe stagnim të reformave në sundimin e ligjit.
Miratimi i rishikimit në vitin 2025 e zhvendosi në mënyrë të pashmangshme Planin e Veprimit vetëm në periudhën 2025–2026, duke e bërë vitin 2024 një vit të humbur për Strategjinë për Sundimin e Ligjit.
