Në Kosovë e drejta për t’u informuar dhe për të informuar është e garantuar me Kushtetutë. Kushtetuta jonë garanton lirinë dhe pluralizmin e medieve në Kosovë, përderisa ndalohet censura.
Mbrojtja e burimeve anonime të gazetarëve në shoqëritë me demokraci të avancuar është parakusht për zhvillimin e gazetarisë hulumtuese. Pa mbrojtje efikase të burimeve anonime të gazetarëve, burimet hezitojnë dhe ndihen të kërcënuara për t’iu dhënë informacion gazetarëve dhe shtypit lidhur me çështje që janë me interes për publikun, çka edhe mund të cenojë rolin kyç që ka gazetaria në raportimin dhe informimin e publikut për të vërtetën.
Legjislacioni në Kosovë garanton mbrojtjen e burimeve anonime të gazetarëve dhe profesionistëve të tjerë të medias, përmes të drejtës së heshtjes.
Në parim gazetarët dhe profesionistët e tjerë të medies, rezervojnë të drejtën për të mbrojtur burimet e informacionit, respektivisht ata nuk mund të detyrohen të zbulojnë burimet e informacionit ose të japin materiale, të cilat mund të zbulojnë burimet e tyre në mënyra të ndryshme të përcaktuara me ligj.
Gazetarët dhe profesionistët e tjerë të medias detyrohen të zbulojnë identitetin e burimit të informacionit, vetëm me kërkesë të gjykatës kompetente dhe vetëm në rastet kur zbulimi i burimit është i nevojshëm për të parandaluar një kërcënim serioz të integritetit fizik me pasojë vdekjen e një ose më shumë personave.
Në Kosovë, është në fuqi Ligji për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarisë, i cili ka ndërtuar standardin dhe sigurinë për gazetarët, duke kufizuar obligimin për të zbuluar burimet anonime, vetëm sipas vendimit të gjykatës.
Ky ligj ua ka kufizuar të drejtën Policisë, Prokurorisë apo institucioneve tjera që zbatojnë ligjin në Kosovë, për të kërkuar zbulimin e burimeve anonime të gazetarëve, pa vendim të gjykatës kompetente.
Gazetarët nuk e kanë për obligim që t’iu përgjigjen ftesës nga Policia apo Prokuroria për të biseduar lidhur me burimet e informacionit. Poashtu, gazetarët nuk kanë asnjë obligim për të dhënë deklarata pranë policisë apo prokurorisë lidhur me shkrimet apo raportimet e publikuara, përveç rasteve kur ka vendim me shkrim të lëshuar nga gjykata kompetente, për të parandaluar veprat penale që si pasojë mund të cenojnë integritetin fizik me pasojë vdekjen e një ose më shumë personave.
Në Kosovë, gazetarët dhe profesionistët e medias kanë të drejta dhe liri në ushtrimin e profesionit të tyre në mënyrë të lirë dhe pa ndërhyrje.
Në Kosovë ndalohet çdo masë e zbulimit apo investigimit që synon të identifikojë burimin e informacionit të gazetarëve përfshirë kontrollet fizike ose jofizike, si: kontrolli në shtëpi, ndërtesa të kompanive mediatike, ose çdo kompani të komunikimit online me publikun, të agjencive të lajmeve, në automjetet e këtyre kompanive apo agjencive, ose shtëpitë e gazetarëve.
Në këtë drejtim, të gjitha mjetet e punës së gazetarit dhe redaksisë janë të mbrojtura nga ligji dhe policia në asnjë rast nuk ka të drejtë as të prekë telefonat, notesët apo mjetet tjera, të cilat mund të shërbejnë për zbulimin e burimit anonim të informacionit.
Pa burime, qofshin publike, anonime, dokumente, materiale audio-vizuele, vëzhgime vetjake nuk do të mund të kishte raportim dhe para se gjithash pamundësohet zhvillimi i gazetarisë hulumtuese.
Pa mbrojtje efikase të burimeve anonime të gazetarëve, burimet hezitojnë dhe ndihen të kërcënuara për t’iu dhënë informacion gazetarëve dhe shtypit lidhur me çështje që janë me interes për publikun, çka edhe mund të cenojë rolin kyç që gazetaria ka në raportimin dhe informimin e publikut për të vërtetën në një shoqëri demokratike lidhur me procese apo çështje të rëndësishme.
Kosova hyn në kuadër të shteteve demokratike që e ka të dekriminalizuar shpifjen dhe fyerjen.
Shteti demokratik promovon lirinë e shprehjës dhe medias duke ndërmarr masa adekuate ndaj zyrtarëve publik, të cilët cenojnë apo kufizojnë lirinë e shprehjes dhe medias përmes formave të padive SLAPP, inicimit të procedurave penale apo intervistimit të gazetarëve për të zbuluar burimet e tyre.
Mbrojtja lirisë së shprehjes dhe demokracisë në Kosovë është detyrë e secilit nga ne.