E drejta për qasje në shkresat e lëndës në çdo fazë të procedurës penale është parakusht për barazinë e palëve dhe është esenciale për proces të drejtë dhe të paanshëm.
Fshehtësia apo kufizimi i kësaj të drejtë është burim i cenimit dhe kufizimit në realizimin e drejtave të tjera.
Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Penale garantojnë dhe sigurojnë barazinë e palëve në procedurë penale.
Gjyqtari vazhdimisht duhet të kujdeset që të respektohet ky parim.
Në mënyrë që të garantohet zbatimi në praktikë i këtij parimi, para ngritjes së aktakuzës kërkohet që:
- I pandehuri edhe gjatë hetimit të ketë qasje në shkresat e lëndës (fajësuese dhe shfajësuese), përjashtimisht nëse rrezikohen hetimet e rastit;
- Prokurori të shqyrtoj me kujdes propozimet e të pandehurit për nxjerrjen e provave të reja;
- I pandehuri të intervistohet në praninë e avokatit të tij;
- Dëshmitarët dhe ekspertët të merren në pyetje në prezencën e të pandehurit dhe mbrojtësit të tij, dhe të njëjtit të kenë mundësi ti parashtrojnë pyetje dëshmitarit;
- I pandehuri të ketë mekanizma të qasshëm dhe efektiv, nëse i shkelen të drejtat gjatë fazës së hetimit;
- Të ketë të drejtë në përkthim apo interpret pa pagesë, nëse është nevoja.
Ndërsa, në mënyrë që zbatimi i këtij parimi të garantohet pas ngritjes së aktakuzës kërkohet që:
- Të akuzuarit të kenë qasje në shkresat e rastit kundër tyre nga ana e Prokurorit;
- Të akuzuarit të ketë qasje në mbrojtje profesionale, përkatësisht të kenë avokat;
- Të akuzuarit të kenë mjaftueshëm kohë dhe kushte të përshtatshme për të përgatitur mbrojtjen e tyre;
- Të akuzuarve tu mundësohet paraqitja e provave të reja;
- Të akuzuarve tu mundësohet që të kundërshtojnë provat e Prokurorit të Shtetit, dhe për pretendimet e tilla, gjykata të jap përgjigje;
Pamundësia e të akuzuarit për të pasur qasje në të gjitha shkresat e lëndës, pamundëson zbatimin e të gjitha aspekteve që ndërlidhen me barazinë e armëve.