Profili i lartë i korrupsionit vazhdon të amnistohet, sinjalizimi dhe mbrojtja e sinjalizuesve sfidohet nga mungesa e legjislacionit sekondar

Profili i lartë i korrupsionit vazhdon të amnistohet, sinjalizimi dhe mbrojtja e sinjalizuesve sfidohet nga mungesa e legjislacionit sekondar

Profili i lartë i korrupsionit vazhdon të amnistohet, sinjalizimi dhe mbrojtja e sinjalizuesve sfidohet nga mungesa e legjislacionit sekondar

Prishtinë, 10 dhjetor 2019 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), si pjesë e Koalicionit të Organizatave Jo-Qeveritare (OJQ) për Javën Kundër Korrupsion 2019, të martën, ka mbajtur tryezën e diskutimit: “Amnistia e korrupsionit të profilit të lartë – Sinjalizimet e padëgjuara të korrupsionit nga drejtësia”.

Në këtë tryezë u publikuan dy raporte: “Kosova (s)ka korrupsion të profilit të lartë” si raport për paprekshmërinë e profilit të lartë të korrupsionit dhe “Sinjalizimi dhe mbrojtja e sinjalizuesve” si analizë ligjore për sinjalizuesit dhe mbrojtjen e tyre.

Hulumtuesja e IKD-së, Gzime Hashani, gjatë prezantimit të raportit për paprekshmërinë e profilit të lartë të korrupsionit tha se ende nuk ka asnjë aktgjykim të formës së prerë që është shqiptuar me burgim efektiv për vepra penale të korrupsionit ndaj profilit lartë dhe se Prokuroritë dhe Gjykatat ende vazhdojnë luftën kundër korrupsionit kryesisht tek korrupsioni i nivelit të ultë, dhe niveli i mesëm dhe rrallë herë kundër nivelit të lartë.

Sipas Hashanit, IKD ka vazhduar monitorimin dhe analizimin e profilit të lartë të kryerësve të veprave penale të korrupsionit në bazë të informatave të publikuara nga Prokurori i Shtetit në faqen zyrtare.

Prokurori i Shtetit gjatë kësaj periudhe ka publikuar njoftimet vetëm për ngritjen e 29 aktakuzave të ngritura ndaj 90 personave për vepra penale të korrupsionit. Sipas saj, këto njoftime në shumë raste nuk kanë pasur informacionin sa i përket vlerës së dëmit, ndërsa asnjëherë sa i përket kërkesave për sekuestrim apo konfiskim.

Tutje, hulumtuesja Hashani deklaroi se Prokuroria Speciale, njëjtë sikurse edhe në vitet e kaluara (2016, 2017, 2018) edhe në vitin 2019, ka vazhduar me trendin e ikjes në marrjen e përgjegjësive për trajtimin e rasteve të korrupsionit, pasi sipas saj, kjo Prokurori nga 1 janari 2019 e deri më 30 nëntor 2019 nuk ka ngritur asnjë aktakuzë ndaj profilit të lartë për vepra penale korruptive dhe se prokurorët në këtë prokurori nuk janë të profilizuar dhe specializuar në fusha të veçanta.

Hashani deklaroi edhe se politika ndëshkimore të rastet e korrupsionit ende mbetet sfidë për gjykatësit në të gjitha gjykatat e Kosovës, me arsyetimin se sistemi gjyqësor ende nuk është në gjendje të zbatoj politika ndëshkimore unike dhe në pajtim me frymën dhe qëllimin e vet Kodit Penal të Kosovës.

Ajo bëri të ditur se numri më i madh i dënimeve të shqiptuara nga gjykatat nja 1 janari e deri më 30 nëntor 2019 janë dënime me kusht dhe me gjobë, pasuar nga dënimet me burgim, mirëpo shtoi se viti 2019, në krahasim me vitet paraprake, për herë të parë ka shënuar ngritje të numrit të dënimeve me burgim efektiv të shqiptuara nga gjykatat e Kosovës, por jo ndaj profilit të lartë të korrupsionit.

Hashani gjithashtu theksoi edhe mos-luftimin e korrupsionit nga Gjykata e Apelit dhe konstatimin nga Gjykata Supreme lidhur me shkeljet që ishin gjetur gjatë gjykimit nga gjykatat e instancave më të ulëta në favor të të akuzuarve për vepra korruptive.

Hulumtuesi i IKD-së, Gzim Shala, gjatë prezantimit të analizës ligjore për sinjalizuesit dhe mbrojtjen e sinjalizuesve, tha se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve (LMS) Kosova ka ndërtuar një sistem të raportimit, apo sinjalizimit të shkeljeve në institucionet publike apo private, ku ka përcaktuar fushat për të cilat mund të sinjalizohet, institucionet apo adresat se ku duhet të drejtohet një sinjalizues, procedurat për sinjalizim, mbrojtjen dhe të drejtat e sinjalizuesve, madje edhe të personave të tjerë, të lidhur me sinjalizuesin, mbrojtjen gjyqësore të sinjalizuesve, dispozitat kundërvajtëse e deri tek raportimi vjetor.

Shala tha se sipas këtij ligji, secili sinjalizues ka në dispozicion tri lloje të sinjalizimit: të brendshëm (tek punëdhënësi), të jashtëm (tek autoriteti kompetent) dhe publik (Media, OJQ, internet etj.) dhe se për të sinjalizuar, sipas LMS-së kërkohet vetëm “dyshimi i arsyeshëm”, i cili term nuk është i njëjtë me “provën”, term juridik që nënkupton fakte që shkojnë përtej dyshimit se diçka ka ndodhur.

Tutje, sipas Shalës, Ministria e Drejtësisë nuk ka përmbushur obligimin ligjor për hartimin e rregullores e cila përcakton procedurën për pranimin dhe trajtimin e rasteve të sinjalizimit dhe se që nga hyrja në fuqi e LMS-së, Agjencia Kundër Korrupsionit nuk ka pasur asnjë rast të sinjalizimit si organ tek i cili bëhet sinjalizimi i jashtëm, derisa që nga ajo kohë, as në publik nuk ka pasur asnjë sinjalizim publik.

Shala gjithashtu përmendi rastin konkret të sinjalizimit në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), për të cilin rast tha sinjalizuesi, aso kohe informatori Qerim Bytyqi ishte përballur me presione të ndryshme për shkak të sinjalizimit të tij.

Në fund, hulumtuesi i IKD-së foli edhe për çështjen e kompensimit të sinjalizuesve, për të cilin fakt tha se sistemi në fjalë është treguar i efektshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për çka edhe Republika e Kosovës duhet të shqyrtojë mundësinë e ndërtimit të skemave të kompensimit të sinjalizuesve.

Gjatë tryezës, kryesuesi i  Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni tha se janë duke punuar dhe se ka hapa pozitiv në hetimin dhe ndjekjen e korrupsionit, duke theksuar se nuk është me rëndësi profili i të akuzuarve por lufta kundër kësaj dukurie.

Kurse, nënkryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Arben Hoti tha se lëndët e korrupsionit janë duke i trajtuar me seriozitet, e sidomos tani me krijimin e Departamentit Special.

Panelistët dhe pjesëmarrësit u pajtuan se ende nuk ka luftim të mirëfilltë të korrupsionit dhe se rastet e sinjalizuesve duhet të trajtohen me prioritet, duke shtuar se numri i tyre duhet të rritet, në mënyrë që sistemi të njoftohet me aferat korruptive që janë duke ndodhur apo që do të ndodhin.

##

Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2019” përbëhet nga: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ÇOHU, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Lëvizja FOL, Instituti GAP, Iniciativa për Progres (INPO), KIPRED, Demokracia Plus (D+), Demokracia për Zhvillim (D4D), dhe Insituti Columbus.