Përmes heshtjes IKD-së i refuzohet monitorimi i konkursit për zgjedhjen e përfaqësuesit të sindikatave në Fondin Pensional”

Përmes heshtjes IKD-së i refuzohet monitorimi i konkursit për zgjedhjen e përfaqësuesit të sindikatave në Fondin Pensional”

Përmes heshtjes IKD-së i refuzohet monitorimi i konkursit për zgjedhjen e përfaqësuesit të sindikatave në Fondin Pensional”

Prishtinë, 23 korrik 2024 – Më 24 qershor 2024, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) i është drejtuar Komisionit Përzgjedhës në përbërje të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (Kryesues), Auditorit të Përgjithshëm (anëtar) dhe Ministrit të Financave (anëtar), me një shkresë zyrtare, kërkesë me shprehjen e interesit për monitorimin e procesit të përzgjedhjes së dy anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKP), veçanërisht anëtarit me përvojë profesionale në përfaqësimin ose këshillimin e punonjësve apo përfaqësuesve të tyre.

Kjo kërkesë nga IKD u bë me qëllim që monitorimi të rrisë nivelin e integritetit të procesit të përzgjedhjes së anëtarëve në Bordin e FKP-së.

Megjithatë, IKD nuk ka marrë përgjigje për lejimin e monitorimit të këtij procesi, edhe pse një kërkesë e tillë është ripërsëritur edhe dy herë. Në ndërkohë, sipas informacioneve tona, procesi i intervistimit për këto dy pozita do të fillojë sot.

IKD shpreh shqetësimin e thellë për qasjen mospërfillëse të institucioneve të lartpërmendura ndaj mungesës së transparencës dhe llogaridhënies, duke injoruar në heshtje kërkesën e shoqërisë civile. Andaj, vlerësojmë se qasja e tillë është tregues i qartë i refuzimit në heshtje për ta monitoruar këtë proces. Kjo mospërgjigje dëshmon qëllimin për të shmangur situatat ku duhet të promovohen parimet dhe praktikat e bazuar në meritë në këtë proces të rëndësishëm të rekrutimit.

Kufizimi i qasjes për IKD-në, tregon mungesën e transparencës dhe llogaridhënies nga institucionet, e që në mungesë të mbikëqyrjes së nevojshme mund të dërgojë edhe në rritjen e rrezikut të abuzimit dhe mungesës së një procesi të bazuar në integritet dhe meritokraci.

IKD vlerëson se bashkëpunimi i hapur dhe konstruktiv mes institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile, është vlerë që do ta përforconte demokracinë, transparencën dhe do të ndihmonte në ndërtimin e një administrate të qëndrueshme dhe efektive për të mirën e të gjithë qytetarëve. Në anën tjetër, për të përmirësuar situatën, është e nevojshme që institucionet shtetërore të zbatojnë standarde më të larta të transparencës dhe të lejojnë monitorimin e pavarur nga organizatat e shoqërisë civile, e që në situatën aktuale po ndodh e kundërta.

IKD, për mospërgjigjen/refuzimin për monitorimin e procesit të rekrutimit për përfaqësuesin e sindikatave në Bordit Drejtues të FKP-së, do ta njoftojë Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kryetarin e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfereve dhe deputetët e tjerë, anëtarë të këtij komisioni. Ndërsa, propozimet me shkrim për emërimin e përfaqësuesit të sindikatave në Bordin Drejtues të  FKP-së, do t’i monitorojë dhe do t’i analizojë nëse janë aplikuar drejtë, qartë dhe saktë dispozitat ligjore të Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës dhe për propozimet e tilla, ndërsa qëndrimet do të bëhen të ditura publikisht.

Rikujtojmë se konkursi për pozitën e përfaqësuesit të sindikatave erdhi vetëm pas reagimit të Institutit të Kosovës për Drejtës, ku Komisioni Përzgjedhës për këtë pozitë nuk ndërmori veprime për më shumë se 10 muaj, kështu duke cenuar përfaqësimin e sindikatave në Bordin e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.

IKD, në bashkëpunim me akterë të tjerë dhe me sindikatat, në vazhdimësi ka promovuar zbatimin e plotë të kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe standardeve ndërkombëtare, sa i përket përfaqësimit sindikal në organet shtetërore të Kosovës. Po ashtu, IKD është angazhuar në përmirësimin e standardeve demokratike dhe të drejtësisë sociale në vendin tonë, duke siguruar se të gjitha palët janë të përfaqësuara në mënyrë të barabartë dhe të drejtë në proceset vendimmarrëse.