Përfundojnë punimet e Konferencës Rajonale dyditore për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe reformën në drejtësi

Përfundojnë punimet e Konferencës Rajonale dyditore për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe reformën në drejtësi

Përfundojnë punimet e Konferencës Rajonale dyditore për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe reformën në drejtësi

Prishtinë, 11 prill 2024 – Me organizimin e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) dhe Koalicionit të Evropës Juglindore për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, me përkrahje të National Endowment for Democracy (NED) dhe fondeve programatike të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ka vazhduar punimet “Konferenca rajonale për mbrojtjen e sinjalizuesve, reformën në drejtësi si katalizator për forcimin e sundimit të ligjit”, si dhe “Takimi vjetor i Koalicionit të Evropës Juglindore për Mbrojtjen e Sinjalizuesve”.

Në ditën e dytë dhe të fundit të kësaj konference u diskutua për reformën në drejtësi, si katalizator për forcimin e sundimit të ligjit.

Në fjalën hyrëse të ditës se dytë të kësaj konference, Drejtori Ekzekutiv, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, deklaroi se ende ka shumë punë për të bërë në drejtim të sundimit të ligjit.

“Sundimi i ligjit në vendet tona është në stade të ndryshme të zhvillimit. Nëse i shohim Raportet e Progresit për secilën nga vendet, ka ende shumë punë për të bërë për të siguruar që vendet tona të kanë një nivel të sundimit të ligjit që në njëfarë mënyre do të jetë një garancë për investime të huaja por edhe të përmbushur obligime që kem në raport me integrimin evropian”, tha Miftaraj.

Milbert Dongjoon Shin, Zëvendëspërfaqësues i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, tha se Instituti i Kosovës për Drejtësi ka ndihmuar në reformat e sistemit gjyqësor.

“Një organizatë siç është IKD, po ashtu na ka treguar se çfarë është në të vërtetë reforma sepse kanë monitoruar efikasitetin dhe IKD ka ndihmuar në reformimin e sistemit gjyqësor, dhe reforma është se sa ka prekur jetën e njerëzve”, tha Shin dhe shtoi se Kosova ofron një perspektivë unike sa i përket reformës gjyqësore.

Ndërsa, Zëvendëskryesuesja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Arjeta Sadiku, deklaroi se KGjK ka përmbushur të gjitha detyrimet që dalin nga Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, dhe shtoi se KGjK ka ndërmarrë edhe hapa të tjerë që kanë ndikim në mirëqenien e qytetarëve në përgjithësi.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka marr hapa të mëdhenj me qëllim të rritjes së nivelit të transparencës, duke filluar me transmetimin drejtpërdrejt të mbledhjeve të Këshillit Gjyqësor në platformat elektronike, proceset rekrutuese me praninë e shoqërisë civile, publikimin e vendimeve disiplinore dhe publikimin e statistikave të përgjithshme”, shtoi Zëvendëskryesuesja Sadiku.

Konferenca vazhdoi me mbajtjen e panelit të diskutimit ku u trajtua tema: Reforma në drejtësi dhe ndikimi i saj – forcimi i drejtësisë dhe llogaridhënies në Ballkanin Perëndimor, ku përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, paraqitën gjendjen e reformës në drejtësi në vendet respektive.

Ndryshe, kjo konferencë kishte grumbulluar pjesëmarrës nga rajoni dhe më gjerë, duke përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Greqinë, Rumaninë, Bullgarinë, Kroacinë dhe vende të tjera.

Pas përfundimit të konferencës është mbajtur takimi vjetor i Koalicionit të Evropës Juglindore për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.