Prishtinë, 7 dhjetor 2025 – Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile, i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), me moton “Bashkë Kundër Korrupsionit”, edhe këtë vit do të organizojnë Javën Kundër Korrupsion, e cila do të zgjasë nga data 8 dhjetor deri më 12 dhjetor 2025.
Gjatë kësaj jave, Koalicioni do të realizojë një sërë aktivitetesh që synojnë sensibilizimin e opinionit publik rreth korrupsionit dhe forcimin e transparencës, integritetit dhe llogaridhënies në institucione. Aktivitetet do të përfshijnë konferenca për medie, tryeza të diskutimit, publikimin e raporteve analitike, podkaste, aktivitete publike si dhe nisma kreative sensibilizuese në rrjete sociale, të cilat do të adresojnë temat më kritike që e prekin fushën e korrupsionit, krimit të organizuar, sundimin e ligjit, qeverisjen e mire dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë në Kosovë.
Gjatë “Javës Kundër Korrupsionit 2025”, do të publikohen një sërë raporte në këto fusha, përfshirë:
1. “Performanca e drejtësisë në ndjekjen dhe gjykimin e korrupsionit” (IKD);
2. “Anulimet – forma më e heshtur e keqpërdorimit në prokurim publik” (INPO);
3. “Llogaridhënia përballë skandaleve qeveritare” (IKD);
4. “Mbrojtja e sinjalizuesve në Kosovë, mes ligjit dhe realitetit” (FOL);
5. “Korrupsioni si shkelje e të drejtave të njeriut” (IKD);
6. “Deklarimi i pasurisë: Gabimi gjyqësor që hoqi të gjithë përgjegjësinë shkelësve të ligjit” (IKD);
7. “Pavarësia dhe efikasiteti i OSHP-së: ndërmjet zbatimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit” (INPO).
Në kuadër të aktiviteteve sensibilizuese, koalicioni i OJQ-ve do të realizojë promo-video të përditshme, aktivitet të dedikuar kundër krimit të organizuar, si dhe një grevë një-ditore simbolike me moton “Greva kundër korrupsionit”, si shenjë proteste ndaj mungesës strukturore të përgjegjshmërisë institucionale në vend.
Të gjitha aktivitetet do të mbahen në Prishtinë, në hapësirat e IKD-së, në Hotel Prishtina si dhe produktet mediatike do të shfaqen në platformat online e organizatave të Koalicionit.
Agjendën e plotë të “Javës Kundër Korrupsionit 2025” në gjuhën shqipe këtu: https://tinyurl.com/yu3pddd9 agjenda në gjuhën angleze këtu: https://tinyurl.com/2s3a9uz7.
#BashkëKundërKorrupsionit
#UnitedAgainstCorruption
