Mosndëshkueshmëria e figurave politike dhe zyrtarëve publik përbën një plagë, me të cilën Kosova vazhdon të ballafaqohet për një kohë të gjatë dhe politika ka qëndruar indiferente karshi akuzave për korrupsion qysh nga zanafilla e krijimit të partive politike gjatë pluralizmit. Kështu është thënë të martën gjatë një konference të organizuar nga Forumi 2015 në të cilën u prezantua analiza “Kultura e mosndëshkueshmërisë në Kosovë” e organizatës joqeveritare “Çohu!”
Betim Musliu, nga Instituti Demokratik për Drejtësi, ka thënë se politikës në Kosovë nuk i ka konvenuar që të ketë një sistem të fuqishëm të drejtësisë, që është funksionale dhe sistem i cili e adreson si duhet cilëndo shkelje që ndodhë.
“UNMIK-u në vazhdimësi bashkë me qeverisjen vendore e kanë anashkaluar sistemin e drejtësisë e kanë lënë kështu siç është edhe sot dhe kjo u ka mundësuar edhe politikës që në vazhdimësi mos të përmbahen me gjitha ndëshkimet të cilat i kanë bërë në vazhdimësi. Kjo ka qenë e qëllimshme dhe vazhdon të jetë e qëllimshme edhe sot“, ka theksuar Musliu. Ai ka fajësuar edhe Kuvendin për hartimin e ligjeve jofunksionale. Musliu ka thënë se mosndëshkueshmëria është stimulim për krim në Kosovë dhe sipas tij, nëse nuk ekziston një vullnet politik kjo gjendje do të vazhdojë.