Mbahet gjykimi i simuluar për korrupsion

Mbahet gjykimi i simuluar për korrupsion

Mbahet gjykimi i simuluar për korrupsion

Prishtinë, 9 dhjetor 2022: Studentët e Klinikës Ligjore të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) në kuadër të aktiviteteve të Javës kundër Korrupsionit, para Teatrit Kombëtar, kanë zhvilluar një seancë gjyqësore të një rasti të korrupsionit, ku kanë shpallur aktgjykimin për një rast të simuluar.

Trupi gjykues i studentëve të Klinikës Ligjore të IKD-së, ka vendosur që për një rast të simuluar të profilit të lartë, ku të akuzuar kanë paraparë një kryetar Komune, për veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 lidhur me nenin 81të KPRK-së, të njëjtin ta shpallin fajtor dhe ta dënojnë me burgim efektiv në kohëzgjatje prej pesë vjet. Po ashtu, të akuzuarit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues ndalim i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 4 vjetësh, i cili fillon të ekzekutohet pasi që i pandehuri të vuajë dënimin  me burg. I akuzuari po ashtu është obliguar që t’i paguajë shpenzimet e procedurës penale, paushallin gjyqësor dhe shumën për Programin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

“Aktiviteti i sotshëm shënon përmbylljen e Javës Kundër Korrupsion dhe ka për qëllim vetëdijesimin dhe përçimin e mesazhit se dënimet në rastet e korrupsionit duhet të jenë më të ashpra dhe në përputhje me dispozitat ligjore. Studentët e Klinikës Ligjore të IKD-së, duke marrë për bazë raste të trajtuara nga sistemi gjyqësor, kanë ndërtuar një rast krejtësisht të ri dhe për të njëjtin edhe kanë marrë aktgjykim, të cilin do ta ndjekim përgjatë kësaj performance” ka thënë Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD.

Ky aktivitetet shënon edhe përfundimin e Javës kundër Korrupsion, javë kjo tanimë tradicionale. Java kundër Korrupsion, me moton #BashkëKundërKorrupsionit është organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Instituti Columbus. Gjatë kësaj jave, janë mbajtur aktivitete të shumta që kanë për qëllim sensibilizimin mbi parandalimin  dhe luftimin e korrupsionit, si reforma në drejtësi, reforma në administratën publike, transparenca e qeverisë, parashkrimi i korrupsionit, korrupsioni në prokurimin publik, korrupsioni në shëndetësi, qeverisja me duar të pastra, patronazhi politik etj. Po ashtu, në kuadër të kësaj jave është organizuar edhe takimi me Ambasadorin Amerikan.

Gjeni bashkangjitur fotot nga eventi i gjykimit të simuluar.

#BashkëKundërKorrupsionit