Prishtinë, 26 tetor 2011 – Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Policisë së Kosovës, tanimë vepron me strukturë të re organizative. Centralizimi i kësaj drejtorie ka ndikuar shumë në shmangien e procedurave të gjata të raportimit dhe baza hierarkike është thjeshtësuar dukshëm. Centralizimi si anë të ndritur të medaljes ka edhe koncentrimin e resurseve, jo vetëm humane por dhe të paisjeve të ndryshme tekniko-teknologjike, të cilat duhet të përdoren gjatë dhe pas përfundimit të operacioneve të ndryshme nga kjo drejtori.
Në bazë të strukturës së re organizative janë paraparë edhe objektiva të ndryshme që duhet të përmbushen nga kjo drejtori. Plani i Veprimit për Partneritet Evropian cakton qartë obligimet dhe objektivat që parashikohen të përmbushen nga DHKEK, për të plotësuar vakumin ligjor dhe politik në zbatimin e politikave të caktuara të kësaj drejtorie, e që janë dhënë si parakusht për integrimin e Kosovës në strukturat evropiane. Megjithë qartësinë e obligimeve dhe objektivave, problematikë ende mbetet përmbushja e tyre. Në krahasim me vitin e kaluar, Ligji për Policinë është në një stad më të mirë të zbatimit.
Transferimi gradual i përgjegjësive të Qendrës së Inteligjencës Financiare nga EULEX-i tek autoritetet e Kosovës ka ndikuar në këtë aspekt. Ky ligj është pasuruar dhe me akte dhe rregullativa nënligjore. Një ndër dobësitë e theksuara është mosformimi i policisë gjyqësore në kuadër të Policisë së Kosovës, ku kjo ka bërë që të duken ngecje edhe në mungesën e komentarit (dokumentit shpjegues), i cili dokument do të shpjegonte e komentonte pjesë të caktuara të Ligjit për Policinë, procedurës penale, etj. Megjithatë, në pyetësorin e realizuar me NJHRKEK-të, është theksuar se ekziston një doracak shpjegues i ligjeve, por që nuk është mjaft profesional dhe i mjaftueshëm për ligjet e aplikueshme.
Strategjia për luftimin e krimeve ekonomike rregullon kordinimin e Policisë me institucionet tjera relevante, si: Doganat, Prokuroria, Gjykatat, etj. Shumë nga të intervistuarit kanë theksuar se ekziston bashkëpunim i mirë me institucionet gjegjëse, por që problematikë mbetet mosprezenca e prokurorëve në rastet e bastisjeve nga DHKEK. Plani i Veprimit për Partneritet Evropian ka paraparë që në kuadër të DHKEK-së të zhvillohen edhe trajnime profesionale të cilat do të shërbenin për të ngritur kapacitetet profesionale të kësaj drejtorie. Mungesa e trajnimeve të tilla vërehet dukshëm. Megjithë vazhdimësinë e trajnimeve, problematikë e madhe është largimi i stafit nga puna, kjo gjë shton nevojën për të pranuar pjesëtarë të rinj dhe njëkohësisht për ta nevojitet të rifillohet nga zero me trajnimet përkatëse. Në këtë stad paraqitet nevoja për buxhet, e që fatkeqësisht, drejtoria vërehet se ka mungesë të dukshme të buxhetit. Ikja e personelit minon edhe ngritjen profesionale të drejtorisë dhe njësiteve regjionale. Meqë nevoja për personel të ri rritet, rritet gjithashtu dhe numri i të punësuarëve jo-profesional në këtë drejtori, madje ka pasur raste që në këtë drejtori janë punësuar edhe njerëz që kanë të përfunduar vetëm shkollimin e mesëm. Ky defekt lidhet direkt me mungesën e një strategjie në Policinë e Kosovës, e cila strategji do të mëtonte të ruante stafin dhe njëkohësisht të mbajë nivelin e duhur profesional në kuadër të strukturës së PK-së.
Sa i përket ngritjes së kapaciteteve, në njësitë regjionale për hetim të krimeve ekonomike dhe korrupsionit ka mungesë të dukshme jo vetëm të stafit, por edhe të pajisjeve bazë teknologjike si dylbive të natës, pajisjeve GPS, dhe mjeteve tjera të teknologjisë informative, madje në disa regjione këto njësi nuk kanë as zyre. Deri më sot, NJHRKEK-të theksojnë që donacione nuk kanë pasur nga Policia e Kosovës, por vetëm nga ICITAP.