Prishtinë, 10 gusht 2018 – Kuvendi i Anëtarëve të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), më 10 gusht 2018, ka mbajtur mbledhjen e tretë të Kuvendit të Anëtarëve për vitin 2018. Anëtarët e Kuvendit të IKD-së, në këtë mbledhje zgjodhën për një mandat dyvjeçar në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të IKD-së, z. Ehat Miftaraj. Këtë pozitë do ta ushtron prej datës 18 gusht 2018. Miftaraj ka një përvojë të gjatë në fushën e sundimit të ligjit, përkatësisht në hartimin e ligjeve, fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtarë, vlerësimin e performancës së sistemit prokurorial si dhe në fushën e procesit të integrimit evropian. Në këto fusha ai ka punuar prej vitit 2005, duke shërbyer në institucionet ndërkombëtare dhe vendore publike.
Miftaraj tashmë tri vite është pjesë e shoqërisë civile, duke iu bashkuar ekipit të IKD-së, në të cilën ka shërbyer si hulumtues ligjor dhe analist i politikave në fushën e sundimit të ligjit. Për këto tri vite Miftaraj ka mbajtur pozitën e zëvendësdrejtorit dhe menaxherit të programeve/projekteve. Miftaraj, pason në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv z. Betim Musliu, i cili ka shërbyer në këtë pozitë për dy mandate prej gushtit 2014 deri në gusht 2018.
Kuvendi i Anëtarëve të IKD-së aktualisht numëron nëntë (9) anëtarë të Kuvendit. IKD është organizatë e pavarur joqeveritare dhe jofitimprurëse, fabrikë e mendimeve e specializuar në fushën e drejtësisë, që merret me avancimin e së drejtës. I themeluar më 4 shkurt të vitit 2009, instituti funksionon si shoqatë profesionale, e regjistruar në Ministrinë e Administratës Publike me numër 5112193-7 në krye të së cilës qëndron Kuvendi i Anëtarëve. Veprimtaria e IKD-së udhëhiqet nga Drejtori Ekzekutiv, i cili këshillohet nga Bordi Këshillëdhënës i organizatës.