Prishtinë, 5 gusht 2020 – Kuvendi i Anëtarëve të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), më 5 gusht 2020, ka mbajtur mbledhjen e dytë të Kuvendit të Anëtarëve për vitin 2020. Anëtarët e Kuvendit të IKD-së, në këtë mbledhje zgjodhën edhe për një mandat dyvjeçar në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv të IKD-së, z. Ehat Miftaraj. Mandatin e ri, Miftaraj do ta ushtron prej datës 18 gusht 2020. Miftaraj ka një përvojë të gjatë në fushën e sundimit të ligjit, përkatësisht në hartimin e ligjeve, fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtarë, vlerësimin e performancës së sistemit prokurorial si dhe në fushën e procesit të integrimit evropian. Në këto fusha ai ka punuar prej vitit 2005, duke shërbyer në institucionet ndërkombëtare dhe vendore publike.
Miftaraj tashmë pesë vite është pjesë e shoqërisë civile, duke iu bashkuar ekipit të IKD-së, në të cilën ka shërbyer si hulumtues ligjor dhe analist i politikave në fushën e sundimit të ligjit, ndërsa në dy vitet e fundit, ishte në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv. Gjatë udhëheqjes së Miftarajt, IKD ka shënuar përparim të madh në rritjen e ndikimit në përmirësimin e politikave publike si dhe në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike, me theks të vecantë në ato të fushës së drejtësisë.
Kuvendi i Anëtarëve të IKD-së aktualisht numëron nëntë (9) anëtarë të Kuvendit. IKD është organizatë e pavarur joqeveritare dhe jofitimprurëse, fabrikë e mendimeve e specializuar në fushën e drejtësisë, që merret me avancimin e së drejtës. I themeluar më 4 shkurt të vitit 2009, instituti funksionon si shoqatë profesionale, e regjistruar në Ministrinë e Administratës Publike me numër 5112193-7 në krye të së cilës qëndron Kuvendi i Anëtarëve. Veprimtaria e IKD-së udhëhiqet nga Drejtori Ekzekutiv, i cili këshillohet nga Bordi Këshillëdhënës i organizatës.