KQZ arbitrarisht refuzon akreditimin e IKD-së për monitorimin e zgjedhjeve

KQZ arbitrarisht refuzon akreditimin e IKD-së për monitorimin e zgjedhjeve

KQZ arbitrarisht refuzon akreditimin e IKD-së për monitorimin e zgjedhjeve

Prishtinë, 12 dhjetor 2025 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) sot ka pranuar një Njoftim nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike për refuzimin e aplikimit tonë për akreditimin e vëzhguesve për zgjedhjet e parlamentare të 28 dhjetor 2025.

Sipas ligjit të procedurës administrative dhe standardeve që KQZ do të duhej zbatonte gjatë ushtrimit të fushëveprimtarisë së saj çdo vendim administrative që e miraton duhet të jetë i arsyetuar dhe transparent, si dhe duhet të garantojë të drejtën për të përdorur mjete juridike për kundërshtim.

Në rastin konkret, vendimi për refuzimin e aplikimit të IKD-së nuk përmban arsyetim të qartë dhe të detajuar, duke e bërë të pamundur verifikimin e bazës ligjore të vendimit si dhe mungon e drejta e informimit lidhur me këshillën juridike për ta kundërshtuar këtë vendim. Kjo shkel parimin e ligjshmërisë, transparencës dhe të drejtës për mbrojtje juridike, dhe krijon hapësirë për arbitraritet dhe politizim në marrjen e vendimeve.

Për më tepër, vendimi i publikuar nga kjo zyrë cenon të drejtën e organizatave joqeveritare për të monitoruar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si një mekanizëm i rëndësishëm i transparencës dhe llogaridhënies. Sikurse, interpretimi i paraqitur se IKD “nuk i plotëson kriteret” për akreditim është i pabazuar, arbitrar dhe selektiv, duke devijuar nga fryma dhe qëllimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Është fakt notor se IKD ka mandat të qartë në punën e saj që lidhet me promovimin e sundimin të ligjit, transparencës dhe llogaridhënies si elemente thelbësore të proceseve zgjedhore. Sundimi i ligjit, integriteti institucional, monitorimi i institucioneve publike, edukimi, ndihma juridike falas janë komponentë që lidhen drejtpërdrejt me fushëveprimtarinë e punë së IKD.

Pretendimi se një organizatë si IKD që punon për sundimin e ligjit, integritetin institucional, monitorimin e institucioneve publike, edukimin dhe ndihmën juridike nuk ka të bëjë me të drejtat e njeriut përbën arsyetim të papranueshëm dhe joracional. Të drejtat e njeriut janë kategori kushtetuese, koncept juridik e social, të përbëra nga një numër i madh komponentësh, që nuk mund të kufizohen vetëm në termin linguistik “të drejta të njeriut”.

Vendimi i Zyrës së KQZ-së jo vetëm që keqintepreton Ligjin per Zgjedhjet por edhe shkel standardet ndërkombëtare. Praktikat ndërkombëtare të OSBE/ODIHR, Këshillit të Evropës dhe standardet e demokracive perëndimore e njohin rolin e organizatave të shoqërisë civile në vëzhgimin e zgjedhjeve bazuar në misionin e tyre për transparencë, llogaridhënie dhe interes publik, jo vetëm nëse kanë të shkruar fjalën “zgjedhje” apo “drejtat e njeriut” në statut.

Kërkesa e tillë formale dhe kufizuese është e paprecedentë në Kosovë dhe bie ndesh me qasjen praktike të KQZ-së ndër vite. Ky veprim krijon dyshime serioze për politizim dhe ndërhyrje në procesin zgjedhor. Cënimi i rolit të organizatave të shoqërisë civile në procesin zgjedhor është sulm ndaj demokracisë, transparencës dhe integritetit të zgjedhjeve.

Në anën tjetër, njoftimi i pranuar nënvizon se “aplikimi i OJQ-së IKD refuzohet”. Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike nuk e ka të drejtën e refuzimit të një aplikimi të një OJQ. Rregullorja Zgjedhore Nr. 08/2024 thekson se “KQZ miraton ose refuzon kërkesat…..”. Në këtë drejtim, Zyra në fjalë ka të drejtë t’i bëjë Rekomandim KQZ për miratimin apo refuzimin e një aplikimi dhe jo që vet të marrë këtë vendim.

Instituti i Kosovës për Drejtësi njofton publikun se do t’i shfrytëzojë të gjitha mekanizmat administrativë dhe ligjorë për të kundërshtuar një vendimmarrje të tillë, në mënyrë që të garantojë të drejtën e saj por edhe çdo organizate jo-qeveritare për të kontribuar në procesin zgjedhor dhe për të mbrojtur standardet demokratike në vend.

IKD i bën thirrje KQZ-së që të rishqyrtojë praktikat e saj të brendshme, të rrit profesionalizmin brenda mekanizmave të saj në mënyrë që të ndalen praktika e tilla të pa bazuara në ligj.