Instituti i Kosovës për Drejtësi analizon zbatimin e institutit të faljes dhe lirimit me kusht

Instituti i Kosovës për Drejtësi analizon zbatimin e institutit të faljes dhe lirimit me kusht

Instituti i Kosovës për Drejtësi analizon zbatimin e institutit të faljes dhe lirimit me kusht

16 janar 2012 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka mbajtur sot konferencë për media ku është publikuar raporti “Falja në Kosovë: Analizë e zbatimit të institutit të faljes dhe lirimit me kusht”. Raporti vjen si rezultat i punës disamujore kërkimore, përfshirë këtu ekzaminimin e kornizës ligjore, analizimin e praktikave të faljes dhe lirimit me kusht si dhe intervista të thella me hisedarë të përfshirë.

IKD ka gjetur mangësi të theksuara ligjore sa i përket zbatimit të drejtë të institutit të faljes, përfshirë edhe lirimin me kusht. Përkundër ligjeve të përgjithësuara, organet e zbatimit të institutit të faljes dhe lirimit me kusht kishin dështuar që të siguronin korrektësi dhe drejtësi për të dënuarit. Rasti më eklatant kishte qenë shkelja e Kushtetutës si dhe Ligjit për Faljen, të cilën e kishte bërë Presidenti Fatmir Sejdiu në vitin 2010 duke falur të dënuarën për Trafikim me Njerëz.

Betim Musliu bashkë-autor i raportit tha se falja në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin mund të bëhej vetëm nga ata që mund të jenë injorant të fushës juridike, në të kundërtën për një shkelje e tillë duhet hetuar se cilat kanë qenë përfitimet materiale apo politike. Musliu ftoi Prokurorin e Shtetit që të hetoj faljet e kundër-ligjshme. Presidentët për tri vite kishin falur 151 të dënuar, apo 67% të listës së përgjithshme, të cilët paraprakisht ishin refuzuar nga Paneli për Lirim me Kusht.

Falja enorme e tyre nuk ka kaluar pa u theksuar në Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2010 të Komisionit Evropian. Përkundër asaj se fenomeni i tillë ka vënë në pikëpyetje të tërë procesin e vlerësimit të faljeve, ushtruesi i detyrës së Presidentit Jakup Krasniqi ka vazhduar me praktikën e njëjtë ku nga 103 të falur, 59 prej tyre ishin refuzuar paraprakisht nga Paneli për Lirim me Kusht. “Falja e të refuzuarve për lirim me kusht është shqetësim i ngritur në Raportin e Progresit për Kosovën, andaj falja e kësaj kategorie nuk duhet të lejohet.

Kjo edhe do të ndodh nëse Kuvendi i Kosovës i miraton ndryshimet në Kodin Penal i cili ua ndalon faljen të refuzuarve për lirim me kusht. Prandaj, urgjentisht duhet të iniciohet ndryshimi i Ligjit për Faljen” tha Musliu.

Vetëm në vitin 2011, të dënuarve për vrasje dhe vrasje të rëndë iu ishin falur 135 vjet apo 86% e kohës së përgjithshme të falur atë vit. Gjatë tri viteve të zbatimit të institutit të faljes, Presidentët kanë falur të dënuar për vrasje të trefishtë, vrasje nga hakmarrja e paskrupullt, vrasje në bashkëveprim, trafikim me njerëz, krim të organizuar, narkotik, korrupsion, dhunim si dhe recidivistë. Falja e të dënuarve ka ndikim domethënës në sistemin e drejtësisë në përgjithësi, posaçërisht në praktikën e dënimeve të shqiptuara nga ana e gjykatësve. Betim Musliu bashkë-autor i raportit deklaroi se “Dekreti i Kritereve për Faljen i Presidentes I nxjerrë në vitin 2012 ka përmirësuar dukshëm përkufizimin e kritereve dhe specifikimin e tyre duke i dhënë një dimension më të përgjegjshëm zbatimit të faljes. Por, kjo nuk mjafton dhe problemi i faljes mund të rregullohet me inicimin e ndryshimit dhe plotësimit të ligjit të faljes.”

Çështje tjetër shqetësuese e ngritur në analizë është përbërja e Komisioneve Ad hoc për Falje e Presidentëve në të kaluarën, të cilat kishin qenë të populluara nga njerëz të partive të caktuara. Në vitin 2010, Komisioni Ad hoc për Falje i Presidentit është përbërë nga njerëz kryesisht të LDK-së, pasi që Presidenti Sejdiu njëkohësisht e mbante të ngrirë pozitën e tij prej Kryetari të LDK-së.

Falja e Presidentëve, përveç aspektit legal të ndërrimit të statusit të të dënuarit, ka ndikuar edhe në vendimmarrjen e Kolegjeve të Panelit, për të liruar me kusht të dënuarit. Një pjesë e madhe e të dënuarve, të cilët kishin përfituar falje më pas edhe ishin liruar me kusht nga Paneli për Lirim me Kusht. Aferat e ndryshme të zyrtarëve të Panelit për Lirim me Kusht, kishin ndikuar në humbje të besimit se lirimi me kusht mund të bëhet vetëm perms korrupsionit. Prokurori i Shtetit ka dështuar të zbardhë veprimtaritë e dyshimta korruptive në këtë panel. Prej vitit 2002, nga 2885 të dënuar sa kanë kërkuar lirim me kusht, 885 prej tyre kanë marrë përgjigje pozitive. Një e drejtë e cila ju mohohet të burgosurve në Kosovë është amnistia. Ky institut ende mbetet jashtë Kushtetutës, dhe rrjedhimisht i pa zbatueshëm. Analiza në fjalë përmban edhe një sërë gjetjesh tjera si dhe rekomandime specifike për secilin institucion të përfshirë në zbatimin e institutit të faljes dhe lirimit me kusht.