Prishtinë, 2 korrik 2020 – Iniciativa për Progres (INPO) dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, të enjten, kanë mbajtur një konferencë për media, në të cilën kanë publikuar raportin e monitorimit dhe hulumtimit në fushën e prokurimit publik: “E drejta për ujë, peng i prokurimit: Analizë e tenderit maratonik për ujësjellës në Komunën e Dragashit”.
Albulena Nrecaj, drejtore ekzekutive e INPO-s, tha se furnizimi me ujë të pijshëm vazhdon të mbetet njëri ndër problemet kryesore me të cilin po ballafaqohen banorët 15 fshatrave të Komunës së Dragashit. “Problemin me ujin e pijes nuk po mund ta zgjidhin për afro pesë vite me radhë për shkak të tenderit maratonik, i cili ka mbetur pa epilog, si rezultat i lojës së “ping pongut” me tender që po luhet në mes të Komunës së Dragashit dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit apo siç njihet Gjykatës së Tenderëve”, tha Nrecaj.
Tenderi i titulluar “Ujësjellësi kryesor-Vazhdim i punimeve” i shpallur më 16 qershor 2017 (projekt tre vjeçar ku parashihej vlera e tenderit rreth 2.021.824.00 euro), sipas Nrecajt, vazhdon të mbetet peng i prokurimit, duke lënë pa ujë të pijes 15 fshatra të Komunës së Dragashit, përfshi fshatrat: Xërxë, Rrenc, Kapre, Bellobrad, Brrut, Zgatar, Kërstec, Rapçe, Pllavë, Brezne, Lubovisht, Kukalan, Mlik, Vraniq dhe Qyteza e Dragashit.
Nrecaj theksoi se qysh nga viti 2010, komuna e Dragashit kishte nisur investimet për ndërtimin e sistemit të ujësjellësit në territorin e komunës. “Gjatë periudhës 2010–2014, komuna kishte investuar mbi 700,000.00 euro për këtë projekt. Punimet ishin kryer nga operatorë ekonomikë (OE) të ndryshëm, të cilët kishin fituar kontratat, meqenëse komuna në mungesë të fondeve të mjaftueshme, realizimin e këtij projekti e kishte ndarë në faza, varësisht nga mjetet financiare në dispozicion. Nga viti 2016, komuna nuk ka mundur që të kontraktoj asnjë OE për të vazhduar punimet e mbetura në gjysmë të projektit, nga i cili varet furnizimi me ujë të pijshëm i qytetarëve të 15 fshatrave të komunës së Dragashit”, tha Nrecaj.
INPO-IKD ka monitoruar dhe hulumtuar procesin e këtij tenderi maratonik dhe ka gjetur shkelje të ndërsjella të akterëve, të cilët realizimin e këtij tenderi jetik për fatin e furnizimit me ujë të pijes për 15 fshatrat e Dragashit e kanë shndërruar në lojë “ping pongu” ndërmjet Komunës së Dragashit – si Autoritet Kontraktues – dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP), duke dëmtuar banorët e Dragashit dhe operatorët ekonomikë të përfshirë në këtë procedurë. “OSHP-ja, duke vendosur lidhur me ankesat e operatorëve ekonomikë, të cilët ishin të pakënaqur me njoftimet për dhënie të kontratës të iniciuar nga Komuna e Dragashit, e ka kthyer këtë lëndë nëntë (9) herë në rivlerësim, duke adresuar kritika ndaj autoritetit kontraktues për mos respektim të dispozitave të Ligjit të Prokurimit Publik dhe duke argumentuar se përzgjedhja e operatorit ekonomik ishte bërë në kundërshtim me kërkesat që i përmbante FDT, njoftimi për kontratë dhe dispozitave të LPP-së”, tha Nrecaj, drejtore ekzekutive e INPO-s.
Ajo theksoi se në bazë të analizës së dokumenteve të tenderit dhe historikut të këtij tenderi INPO ka gjetur se Komuna e Dragashit ka vepruar në kundërshtim me nenin 59 të LPP-së, ku gjatë vlerësimit dhe krahasimit të tenderëve, ka rekomanduar për kontratë grupe të OE-ve, të cilët pas rivlerësimeve i ka shpallur të eliminuar apo të papërgjegjshëm. Komuna nuk ka zbatuar nëntë (9) vendime dhe një (1) urdhëresë të OSHP-së si dhe nuk ka paguar gjobën e shqiptuar nga OSHP. “Komuna asnjëherë nuk ka rekomanduar për kontratë grupin e OE “Puna & Infra Plus” edhe pse është vërtetuar nga OSHP-ja se i plotëson të gjitha kërkesat e dosjes së tenderit, dhe oferta e këtij OE është brenda kufijve të vlerës së parashikuar të kontratës. Komuna ka dështuar të zbatoj dispozitat e LPP-së, dhe të finalizoj projektin për furnizimin me ujë të pijes për qytetarët, duke dëmtuar në masë të madhe interesin publik dhe duke mos përmbushur obligimet e saj për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe efikase ndaj qytetarëve”, tha Nrecaj.
Tutje, ajo tha se INPO ka gjetur se vendimet e OSHP-së dhe vendimet e komunës pas proceseve të rivlerësimit të tenderëve nuk kanë arritur t’i japin epilog të suksesshëm tenderit të ujësjellësit. “LPP obligon OSHP-në që gjatë shqyrtimeve të prokurimit të veprojë sa më shpejtë që të jetë e mundshme, të marrë për bazë pasojat e mundshme të veprimeve ose masave në të gjitha interesat që mund të dëmtohen, duke përfshirë interesin publik. Në këtë kuptim, INPO gjen se OSHP nuk e ka luajtur rolin e saj gjatë shqyrtimit të prokurimit, duke lejuar që ky tender të shndërrohet në lojë “ping pongu” mes komunës dhe OSHP-së dhe që qytetarëve të Ju privohej e drejta e qasjes në ujë të pijes”.
Nrecaj tha se tetë (8) vendimet e nxjerra dhe një (1) urdhëresë nga OSHP-ja, nuk kanë arritur që të zgjidhin “nyjën e prokurimit për ujë”. “INPO vlerëson se OSHP qysh në seancën e tretë të shqyrtimit për shkak të përsëritjes së pikave ankimore dhe palëve të njëjta në procedurë, dhe për shkak të mosgatishmërisë së komunës për të zbatuar vendimet paraprake, është dashur që këtë çështje ta trajtojë si çështje të gjykuar më parë “res judicata” dhe të marrë vendim për anulimin e tenderit për t’i dhënë fund zvarritjes më shumë se katër (4) vite.”
Nrecaj tha se INPO ka gjetur se edhe KRPP nuk e ka monitoruar këtë tender dhe nuk ka lëshuar asnjë rekomandim apo opinion. Sipas ligjit, Nrecaj tha se KRPP është e obliguar që të bëjë monitorimin e aktiviteteve të prokurimit dhe ka përgjegjësinë e vëzhgimit dhe mbikëqyrjes së zbatimit të dispozitave ligjore dhe rregullave të prokurimit. “INPO vlerëson se KRPP ka bërë shkelje të autorizimeve të saj ligjore dhe nuk ka kryer obligimet dhe detyrat e saj me profesionalizëm me rastin e refuzimit të marrjes së licencës për zyrtarin e prokurimit, siç ka vendosur OSHP. KRPP në këtë rast nuk ka vepruar pasi rasti është nën hetime. Kjo është ikje nga përgjegjësitë ligjore, sepse pezullimi i procedurës mund të ndodhë vetëm me vendim respektiv të gjykatës”, përfundoi Nrecaj.
Hulumtuesi nga IKD, Mirvet Thaqi, tha se “lufta” për këtë tender maratonik të ujësjellësit në Komunën e Dragashit ka kaluar tashmë në organet e drejtësisë. “Betejat për drejtësi po zhvillohen në dy fronte: E para përmes kërkesës për hetime penale në Prokurorinë Themelore në Prizren dhe e dyta përmes padisë administrative në Departamentin Administrativ të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Sipas Thaqit, organet e drejtësisë për shkak të interesit të madh publik të këtij projekti, trajtimi i këtyre lëndëve nga sistemi i drejtësisë, duhet të bëhet me prioritet, për shkak se ka mbetur peng qytetarët e 15 fshatrave të Dragashit për tu furnizuar me ujë të pijes.