INPO dhe IKD: Prokurimi publik “përligjet” nga zyrtarët e komunave, drejtësia të veprojë ndaj veprimeve korruptive  

INPO dhe IKD: Prokurimi publik “përligjet” nga zyrtarët e komunave, drejtësia të veprojë ndaj veprimeve korruptive  

INPO dhe IKD: Prokurimi publik “përligjet” nga zyrtarët e komunave, drejtësia të veprojë ndaj veprimeve korruptive  

Prishtinë, 19 nëntor – Iniciativa për Progres (INPO) dhe Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), në kuadër të Projektit “Kërko Drejtësi: Fuqizimi i qasjes në drejtësi në Kosovë”, me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL), të martën ka mbajtur tryezën me temë “Prokurimi “sinonim” i korrupsionit”

INPO dhe IKD gjatë kësaj tryeze do të prezantoj raportin Prokurimi i “përligjur” në komunat e Kosovës: Raport i monitorimit të prokurimit publik në komunat e Republikës së Kosovës”, si rezultat i monitorimit dhe hulumtimit të 160 aktiviteteve të prokurimit publik të monitoruara në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, ku në secilën komunë janë monitoruar së paku katër (4) kontrata.

Drejtoresha Ekzkutive e INPO-s, Albulena Nrecaj, tha se gjetjet e raportit tregojnë se integriteti i proceseve të prokurimit publik në Komunat e Kosovës vazhdon të jetë i cenueshëm. “Përkundër faktit se legjislacioni në fuqi në fushën e prokurimit publik përmbushë standardet e pranueshme për të zhvilluar aktivitetet e prokurimit publik, duke u bazuar në parimet e qeverisjes së mirë, në praktikë vazhdimisht cenohen këto parime, përfshi transparencën, llogaridhënien, mos-diskriminimin dhe integritetin”.

Nrecaj theksoi se komunat vazhdojnë të kenë probleme serioze në planifikimin e vlerave të kontratave publike, të cilat rezultojnë me lidhjen e kontratave publike, që tejkalojnë vlerat e shumave të planifikuara me buxhetin komunal. “Zyrtarët e prokurimit publik nëpër komuna, në shumë raste të monitoruara, veprojnë në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik sa i përket afateve për tenderim, të cilat i shkurtojnë pa ofruar arsyetime të qëndrueshme, siç kërkohet me ligj. Gjithashtu, vazhdojnë të aplikojnë kritere kufizuese/diskriminuese, të cilat krijojnë pabarazi në mes të operatorëve ekonomik të interesuar për tenderim dhe krijojnë mundësi reale për zhvillimin e veprimtarive korruptive”.

Ndër të tjera, Nrecaj ngriti një prej gjetjeve të hulumtimit, i cili ka të bëjë me lidhjen e kontratave publike nga komunat me OJQ-të për ofrimin e shërbimeve. Sipas saj, Ligji për Prokurimin Publik në fuqi i njeh OJQ-të si operatorë ekonomik, mirëpo nenin 132/A të këtij ligji, përcaktohet se Qeveria me akt nënligjor përcakton rregullat, standardet dhe procedurat e kontraktimit të shërbimeve publike për organizatat e shoqërisë civile. “INPO ka gjetur se në Kosovë nuk ka legjislacion adekuat, i cili rregullon standardet dhe procedurat për kontraktimin e OJQ-ve për ofrimin e shërbimeve publike nga ana e komunave, ministrive, apo agjencive të pavarura. Qeveria deri më tash nuk ka nxjerrë ndonjë akt nënligjor, i cili rregullon këtë fushë.”

Nrecaj tha se INPO ka gjetur se disa komuna kanë lidhur kontrata për shërbime me OJQ në vlera të majme monetare, përmes instrumentit të prokurimit publik. Në kuadër të monitorimit, janë hulumtuar katër aktivitete të prokurimit, të cilat kanë rezultuar me lidhjen e kontratave publike për shërbime me OJQ, të cilat ofrojnë shërbime shëndetësore. Në asnjërën nga këto aktivitete nuk është shënuar se kontraktimi i shërbimeve është planifikuar të bëhet nga OJQ-të. “INPO vlerëson së komunat respektive gjatë udhëheqjes së procedurave për të kontraktuar shërbime mjekësore dhe ambulantore nga OJQ-të kanë vepruar në kundërshtim me bazën ligjore. Në bazë të hulumtimit, INPO ngritë dyshime se këto kontrata janë shfrytëzuar për të punësuar staf shëndetësorë në Qendrat e Mjekësisë Familjare të Komunave.”

Gjatë këtij viti, INPO dhe IKD kanë monitoruar 23 seanca gjyqësore, ku përfshihen nëntë (9) lëndë në të cilat akuzohen për korrupsion zyrtarët e prokurimit publik të nivelit të institucioneve lokale dhe qendrore. “Karakteristikë e këtyre rasteve është se gjatë këtij viti, gjykatësit kanë shpallur aktgjykime liruese në pesë raste, ndërsa në katër rastet e tjera po vazhdojnë shqyrtimet gjyqësore. Pra, ende nuk ka asnjë zyrtarë të prokurimit publik të akuzuar për korrupsion dhe të dënuar me burgim efektiv gjatë këtij viti”, tha Nrecaj. Ajo theksoj se gjetjet tregojnë se në nivelin komunal në lidhje me kryerjen e veprave penale në fushën e prokurimit publik gjatë këtij viti janë duke u përballur me procedura gjyqësore Drejtori i Zyrës së Prokurimit në Gjilan, Lipjan dhe Prizren si dhe Kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova. Ky i fundit, akuzohet se ia ka dhënë tenderin vëllait të tij, duke ia mundësuar dhënien e kontratës përmes procedurave të prokurimit publik, kontratë kjo, të cilën e kishte nënshkruar personalisht.

Drejtori Ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, tha që hetuesit hetuesit policorë të krimeve ekonomike, prokurorët dhe gjykatësit duhet të profilizohen në fushën e prokurimit publik, për të mundësuar hetime, ndjekje dhe gjykime profesionale për të zbardhur aktivitetet kriminale të cilat zhvillohen përmes prokurimit publik. “Politika e ndjekjes duhet të avancohet për të zhvilluar hetime të drejta dhe të bazuara në ligj, sikurse gjykatësit duhet të gjykojnë drejtë këto raste dhe në rastet kur gjejnë fajtor të akuzuarit në fushën e prokurimit publik të shqiptojnë dënime adekuate përmes të cilave arrihet qëllimi i dënimit.”

Kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRRP), Osman Vishaj, vlerësoi përmbajtjen e raportit, me gjetjet dhe rekomandimet e të cilit u pajtua, duke theksuar se KRRP në kuadër të mandatit të saj do të punojë në adresimin e çështjeve të ngritura.

Drejtuesi i Kolegjiumit për Prokurim Publik, Zekë Bardhaj, tha se problemet e evidentuara në raport rreth prokurimit publik qëndrojnë dhe se ka kapacitete të kufizuara të stafit në prokurimin publik, të cilët për arsye të ngarkesës, shpesh ndodhë të bëjnë gabime të shumta në procedura.

Përfaqësuesi i  Ministrisë së Administrimit Lokal, Ylli Valla, tha se kjo ministri ka punuar dhe është në proces të shumë punëve, të cilat do ta rrisin transparencën dhe llogaridhënien e komunave.
Drejtori i Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Bashkim Spahiu, tha se hetuesit policorë kanë trajtuar dhe kanë në proces një numër të rasteve që ndërlidhen me dyshimet për korrupsion në prokurimin publik. Në kuadër të kësaj Drejtorie, Spahiu tha se këto lëndë trajtohen me seriozitet, ndërsa hetimet për këto raste, tha se udhëhiqen nga prokurorët në përputhje me mandatin ligjor.

Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin përfaqësues të zyrave të prokurimit në komuna, ekspertë të prokurimit publik, përfaqësues nga shoqëria civile, përfaqësues të USAID-it dhe mediave.

Gjeni të bashkagjitur raportin Prokurimi-i-përligjur-në-komunat-e-Kosovës.