Prishtinë, 25 shkurt 2021 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dënon fuqishëm sulmin fizik ndaj gazetarit Visar Duriqi dhe kërkon hetim të shpejtë dhe profesional për të nxjerrë para drejtësisë akterët e këtij krimi.
Sulmi fizik dhe format e kanosjes ndaj gazetarëve në Kosovë janë të papranueshme dhe të dënueshme në një vend shoqëri demokratike.
Sulme të tilla ndaj gazetarëve janë përpjekje e drejtpërdrejtë për kufizim të lirisë së fjalës që kanë për qëllim frikësimin e gazetarëve dhe të shoqërisë për të shprehur mendimin lirshëm. Në këtë formë ndërtohet praktika e një rrugë anarkiste, ku individët mbesin më të fuqishëm sesa ligji.
IKD i bën thirrje sistemit të drejtësisë, që të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për zbardhjen e këtij rasti, duke nxjerrë para drejtësisë akterët e këtij krimi, të cilët duhet të marrin dënimin meritor.
IKD ua bën me dije të gjithë akterëve të përfshirë në raste të tilla kriminale se ata nuk mund të zbrapsin asnjëherë gazetarët dhe mediat në kryerjen e detyrave në shërbim të informimit të publikut. Përkundrazi, raste të tilla, dëshmojnë se komuniteti i gazetarëve vazhdon të mbetet i përkushtuar në kryerjen e detyrave të veta, të cilat padyshim se janë pengesë e individëve dhe grupeve kriminale.