Prishtinë, 18 nëntor 2019 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, të hënën, ka mbajtur tryezën me titull “Pandëshkueshmëria e korrupsionit”. Në këtë tryezë u publikuan dy raporte të IKD-së, si rezultat i monitorimit dhe hulumtimit sistematik të rasteve të korrupsionit dhe rasteve tjera në fushën penale në sistemin prokurorial dhe gjyqësor, të cilat raporte përmbajnë gjetjet, vlerësimet dhe rekomandimet konkrete se si të shtohet efikasiteti dhe efektiviteti i këtyre sistemeve në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe si të përmirësohet politika e dënimeve.
Pjesë e panelit të kësaj tryeze ishin drejtori i INL për Kosovë-Departamentit Amerikan të Shtetit, z.Shawn Waddoups, Kryetari i Gjykatës Supreme, z.Enver Peci, Kryetari i Këshillit Gjyqësor, z.Skënder Çoçaj, Zv.Kryetari i Këshillit Prokurorial, z.Arben Ismajli dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Rashit Qalaj.
Hulumtuesja e IKD-së, Arrita Rezniqi ka prezantuar gjetjet e raportit “Dështimet speciale në luftimin e korrupsionit”, sipas së cilës, Prokuroritë dhe Gjykatat ende komoditetin e tyre në luftën kundër korrupsionit e bazojnë kryesisht tek luftimi i korrupsionit të nivelit të ultë dhe rrallë herë ballafaqohen me rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Sipas saj, edhe sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme përmes veprave penale të korrupsionit ende është një temë tabu dhe pa asnjë rezultat në sistemin prokurorial dhe gjyqësor.
Rezniqi tha se Prokuroria Speciale, edhe këtë vit, vazhdon me trendin e ikjes në marrjen e përgjegjësive për trajtimin e rasteve të korrupsionit. “Kjo Prokurori nga 1 janari 2019 e deri më 30 shtator 2019 nuk ka ngritur asnjë aktakuzë ndaj profilit të lartë për vepra penale korruptive. Karakteristikë tjetër e PSRK-së ndërlidhet me faktin se prokurorët në këtë prokurori nuk janë të profilizuar dhe specializuar në fusha të veçanta, përfshirë profilizimin në rastet e korrupsionit dhe krimeve ekonomike”, tha ajo.
Tutje, Rezniqi bëri të ditur se politika ndëshkimore te rastet e korrupsionit ende mbetet sfidë për gjykatësit në të gjitha gjykatat e Kosovës, dhe se sistemi gjyqësor ende nuk është në gjendje të zbatoj politika ndëshkimore unike dhe në pajtim me frymën dhe qëllimin e vet Kodit Penal të Kosovës. “Edhe gjatë kësaj periudhe raportuese numri më i madh i dënimeve të shqiptuara nga gjykatat janë dënime me kusht dhe me gjobë, pasuar nga dënimet me burgim. Sidoqoftë, viti 2019, në krahasim me vitet paraprake për herë të parë ka shënuar ngritje të numrit të dënimeve me burgim efektiv të shqiptuara nga gjykatat e Kosovës”, tha ajo.
Hulumtuesja Rezniqi poashtu tha se viti 2019, ka vazhduar të karakterizohet me fenomenin e shtyrjes së numri të madh të seancave gjyqësore në rastet e korrupsionit dhe mungesën e transparencës dhe llogaridhënies publike nga sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial.
Hulumtuesi i IKD-së, Gzim Shala ka prezantuar gjetjet e raportit “Politika e dënimeve në Kosovë”, sipas të cilit Udhëzuesi për Politikën Ndëshkimore në Kosovë, i nxjerrë nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, më 15 shkurt 2018, ka pasur fatin e njëjtë sikurse edhe shumë politika dhe dokumente të tjera të miratuara, në kuptimin që i njëjti nuk ka gjetur zbatim në praktikë, por ka mbetur një politikë dhe dokument në letër.
Hulumtimi dhe analizimi i 73 aktgjykimeve, të cilat hyjnë në kategori të ndryshme të veprave penale, e në të cilat gjykatat kanë vendosur me aktgjykime dënuese, sipas Shalës tregojnë dy dukuri. “E para është se në sistemin gjyqësor të Republikës së Kosovës nuk kemi të bëjmë me një praktikë të uniformuar në parim, e cila më pastaj do të konkretizohej varësisht prej specifikave të një rasti. Dhe e dyta se asnjë pjesë e udhëzuesit nuk është zbatuar në nivel të kënaqshëm, që ndryshe mund të përkthehet se udhëzuesi është pothuajse i pazbatuar në praktikë”, tha ai.
Në mënyrën se si janë arsyetuar aktgjykimet në pjesën e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit, përpos mos zbatueshmërisë së kërkesave të udhëzuesit, Shala tha se IKD gjenë se tanimë gjykatat kanë ndërtuar disa shabllone të arsyetimit, të cilat i aplikojnë në shumicën e aktgjykimeve, pa iu përshtatur specifikave të secilit rast, e cila e gjetur sipas tij e rrëzon arsyetimin e akterëve brenda sistemit të drejtësisë se laramanitë në politikën ndëshkimore ekzistojnë për shkak se secili rast është specifik, pasi në shabllonet e krijuara nuk kanë ndikuar specifikat e rasteve, por vetë qasja e gjyqtarëve.
Tutje, Shala tha se përpos arsyetimit, shabllone kemi edhe tek dënimi i shqiptuar, dhe veçanërisht tek pjesa e korrupsionit, me arsyetimin se nga 34 dënime me burgim efektiv dhe me kusht në rastet e korrupsionit, plotë 23 prej tyre janë dënime me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajve.
“Sa i përket ashpërsisë së dënimeve, gjetjet tregojnë se nga të gjitha kategoritë që janë analizuar në këtë kapitull, politika më e butë ndëshkimore është tek rastet e korrupsionit. Madje, dënimet në rastet e korrupsionit kanë qenë më të buta se sa në rastet të cilat gjykohen në Departament të Përgjithshëm. Nga totali i dënimeve të shqiptuara në aktgjykimet e analizuara në këtë raport nga kapitulli i korrupsionit, gjykatat kanë shqiptuar gjithsej 14 aktgjykime me burgim efektiv. Por, prej këtyre 14 dënimeve me burgim efektiv, gjykatat 9 prej tyre i kanë shndërruar në dënim me gjobë, që nënkupton se kemi vetëm 5 aktgjykime me burgim efektiv, derisa 9 të tilla janë identifikuar në kapitullin e veprave penale të cilat gjykohen në Departamentin e Përgjithshëm” tha Shala, duke shtuar se nga 25 aktgjykimet e analizuara për këto raste, gjykatat në vetëm një rast kanë shqiptuar edhe dënim plotësues, ndërsa këtë nuk e kanë bërë në plotë 24 aktgjykime të tjera
Drejtori i INL për Kosovë-Departamentit Amerikan të Shtetit, Shawn Waddoups tha se IKD është duke e ndriçuar rrugën në sistemin e drejtësisë dhe se Ambasada Amerikane do t’i mbështesë gjykatësit dhe prokurorët për të aplikuar Udhëzuesin për Politikë Ndëshkimore në mënyrë efikase. Waddoups gjithashtu ftoi të gjithë akterët e institucioneve të drejtësisë që të bashkëpunojnë për luftimin e korrupsionit dhe zbatimin e ligjit në Kosovë.
Tutje, sipas Kryesuesit të KGJK-së, Skënder Çoçaj, vërehet se ka progres në luftimin e korrupsionit, ndonëse u shpreh se nuk është i kënaqur me nivelin e këtij progresi, për çka tha se do të punohet edhe më shumë në këtë drejtim dhe se lëndët e kësaj natyre mbeten edhe më tej “top prioritet”. Kurse sa i përket Udhëzuesit për Politikë Ndëshkimore, Çoçaj tha se është në fazën fillestare të implementimit dhe se sipas tij është duke u punuar në drejtim të zbatimit të këtij udhëzuesi në praktikë.
Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci tha se IKD po ecën pak më shpejtë se gjykatat, pasi sipas tij, raportet në fjalë janë përmbajtjësore dhe i prekin disa çështje të cilat janë në interes të përgjithshëm. Sipas tij, si Udhëzuesi për Politikë Ndëshkimore ashtu edhe raporti i IKD-së thonë se duhet të aplikohen dispozitat e Kodit Penal në rastin e shqiptimit të dënimeve, gjë që sipas Pecit nuk janë duke u zbatuar. Ai gjithashtu tha se udhëzuesi në fjalë nuk mund të bëhet i obligueshëm, mirëpo në bazë të tij mund të përmirësohet sistemi.
Tutje, Zv.Kryesuesi i KPK-së, Arben Ismajli deklaroi se sistemi prokurorial nuk ka lëndë të vjetërsuara dhe se lëndët si ajo e mbetur nga viti 2008, mund të ndodh për shkaqe të ndryshme, pasi që sipas tij, veçanërisht rastet e korrupsionit trajtohen me prioritet që nga momenti kur ato paraqiten në Prokurori. Sa i përket transparencës dhe llogaridhënies së KPK-së, Ismajli tha se ligji lejon që për shkaqe të konfidencialitetit të jenë më të rezervuar. Kurse, lidhur me raportin për politikë ndëshkimore, Ismajli deklaroi se prokurorët kanë pasur ankesa lidhur me moszbatimin e udhëzimeve
Kurse, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj deklaroi se raportet e IKD-së janë mjet i mirë në ndikimin institucional për qasjen ndaj korrupsionit. Qalaj tha se institucionet e drejtësisë mund të bëjnë më shumë në luftimin e kësaj dukurie.
Lidhur me këtë temë ka pasur debat përmbajtjesor edhe nga pjesëmarrësit në tryezë, ndër të cilët ishin Kryetarët dhe Kryeprokurorët e të gjitha niveleve të Gjykatave dhe Prokurorive, gjykatës, prokurorië, përfaqësues të institucioneve të pavarura, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe ambasadave të huaja në Kosovë, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe mediat.