IKD publikon raportin “Kushtetutshmëria në qeverisje”

IKD publikon raportin “Kushtetutshmëria në qeverisje”

IKD publikon raportin “Kushtetutshmëria në qeverisje”

Prishtinë, 7 dhjetor 2023 – Dita e tretë e “Javës Kundër Korrupsion” ka vazhduar me mbajtjen e tryezës ku u diskutua për kushtetutshmërinë e ligjeve dhe vendimeve me ç’rast u publikua edhe raporti “Kushtetutshmëria në qeverisje”.

Në këtë tryezë morën pjesë përfaqësues të partive politike parlamentare, përfaqësues të Shoqërisë Civile, përfaqësues te BE-së dhe gazetarë. Ndërsa, edhe pse ishin të ftuar të merrnin pjesë në cilësinë e panelistëve dhe të konfirmuar nuk morën pjesë përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje që është grupi më i madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës.

Në fillim të kësaj tryeze, Naim Jakaj, autor i raportit, theksoi se që nga themelimi Gjykata Kushtetuese (GjK) ka trajtuar 110 raste përfshirë kontrollin e kushtetutshmërisë së amendamenteve të propozuara, ligjeve, vendimeve të Kuvendit të Kosovës, vendimeve të tjera të Qeverisë dhe akteve të tjera të miratuara nga Presidenti i Kosovës.

Sipas tij, GjK në dhjetëra raste gjeti shkelje kushtetuese të Qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës.

“Ne në këtë raport kemi trajtuar vetëm aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese për vendimet dhe ligjet e Kuvendit, vendimet dhe aktet nënligjore të Qeverisë. Janë gjithsej 28 raste kur Gjykata Kushtetuese gjeti se Projektligjet, vendimet e Kuvendit, vendimet dhe aktet nënligjore të Qeverisë ishin në kundërshtim me Kushtetutën. Dhjetë (10) raste apo 36% e këtyre rasteve i përkasin Qeverisë, përkatësisht Legjislaturës aktuale (L-VIII-të). Me gjashtë (6) raste apo 21% e këtyre rasteve i takojnë Legjislaturës së VI-të. Me katër raste Legjislatura e IV-të dhe e VII-të, me dy raste Legjislatura e III-të dhe e V-të.”, shtoi Jakaj.

Në vazhdim të prezantimit të raportit, Jakaj ka renditur arsyet se pse Gjykata Kushtetuese gjeti shkelje kushtetuese te ligjet dhe vendimet e Kuvendit.

“Sipas Gjykatës Kushtetuese, ligje të caktuara, të propozuara nga Qeveria dhe të miratuara nga Kuvendi, nuk kanë qenë në përputhje me formën e qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit, nuk kanë qenë në përputhje me vlerat, barazinë para ligjit, me të drejtën për mjete juridike dhe mbrojtjen gjyqësore dhe se vendime të caktuara të Kuvendit, kanë tejkaluar kompetencën e tij, sa i përket mbikëqyrjes parlamentare”, tha ai gjatë prezantimit të raportit.

Në cilësinë e panelistit, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj tha se Qeveria aktuale po e shpërfaq qëllimin dhe synimin e ndryshimit të sistemit jo në të mirë, por me qëllim të kapjes së shtetit. Kjo, sipas tij, dëshmohet me shkeljet kushtetuese të Kryeministrit si dhe me ligjet e rrëzuara siç është ai për Këshillin Prokorurial të Kosovës dhe Ligjit për çmimet tavan.

“Ne kemi një Kryeministër, i cili në Qeverinë “Kurti I” e ka shkel dy herë Kushtetutën dhe më pas në Qeverinë “Kurti 2” e kemi ministren e tij, zonjën Nagavci, e cila e ka shkel Kushtetutën dhe më pas kemi dhe shumë veprime të shumicës së tyre parlamentare, që e kanë bërë dhe Gjykata Kushtetuese, e ka konfirmu anti-kushtetutshmërinë, veprim i dënueshëm, por problemi më i madh për mu është mosmarrja e asnjë mase reflektimi ndaj kësaj”, tha Selmanaj.

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj i pranishëm në këtë tryezë, tha se raporti i Instituti të Kosovës për Drejtësi “Kushtetutshmëria në qeverisje” është i saktë dhe përmbajtjesor si dhe është alarm për Qeverinë Kurti.

“Raporti i IKD është prej raporteve më përmbajtjesore. Është i saktë, në këtë raport janë të detajuara. Janë të gjetura të sakta, përmbajtjesore dhe është një alarm për Qeverinë Kurti që të mos veprojë kështu”, ka thënë Lekaj.

Ai vazhdoi duke thënë se shumë ligje po miratohen me procedurë të përshpejtuar brenda ditës në dy lexime.

“Kjo është një vërejtje serioze. Duhet të jetë një shqetësim për të gjithë e sidomos për ata që gjithë gojën e kanë mbrojtje të ligjit dhe kushtetutshmërisë”, ka shtuar ai.

Përparim Gruda, koordinator i Departamentit të Drejtësisë në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) tha se shkelja është bërë normë pune në Qeverinë aktuale.

Sipas tij, Kushtetuesja është mekanizmi i vetëm që mund t’i dalë përballë këtij pushteti.

“Gjykata Kushtetuese është mekanizmi i vetëm që mund t’i dalë përballë një pushteti kaq të madh në numra edhe me këtë mendësi që e kanë mendësitë popullsite në veprim për kthim në mendësi totalitare, mendësia se si veprojnë këta, mendësia totalitare për ta sulmu Gjykatën Kushtetuese, për ta sulmu çdo institucion të pavarur”, shtoi Gruda.

Ish-Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, njëherit edhe nënkryetar i PSD-së, tha se pushteti aktual vazhdimisht po tenton të marrë kompetenca të pushtetit lokal. Sipas tij, në rastin e Ministres së Arsimit është vërtetuar se kishte shkelur Kushtetutën kur kishte ndërhyrë në reformën e arsimit në Kamenicë. Ai ka thënë se përpos ndërhyrjes direkte në punët e Komunës, Ministrja e Arsimit ka vazhduar edhe më tutje të ndërhyrje në punët e pushtetit lokal, duke u marrë edhe me ndërtimin e objekteve shkollore që është kompetencë e komunave.

Ehat Miftaraj, Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), në cilësinë e panelistit të kësaj tryeze tha se gjatë hartimit dhe miratimit të ligjeve, Qeveria aktuale nuk po i dëgjon rekomandimet e askujt, madje as të ndërkombëtarëve.

“Ne kemi takime të rregullta me ndërkombëtarë, fatkeqësisht të njëjtët po shprehen që as komentet, as rekomandimet e tyre nuk po merren për bazë, është bërë njëfarë injorimi që për neve nuk ka kuptim”, tha Miftaraj gjatë këtij diskutimi.

Sipas tij, shkeljet kushtetuese në ligjbërje janë bërë fenomen i qeverisë aktuale.

“Është normal institucionet me gabu gjatë qeverisjes, mirëpo kur të shndërrohet në fenomen është problem. Ka fillu të shndërrohet në fenomen së paku në dy tri vitet e fundit. Çka është interesante është fakti që shumica e ligjeve që po miratohen, po miratohen pa diskutim të duhur. OJQ-të, opozita, grupet e interesit, partnerët ndërkombëtarë, kemi punu shumë që me i ndihmu kësaj Qeverie me analiza me komente me bo politika më të mira”, shtoi Miftaraj.

Lidhur me kushtetutshmërinë në qeverisje, me diskutimin e tij kontribuoi edhe avokati Faton Fetahu, njehëhrit përfaqësues i disa kërkesave të PDK-së në Gjykatën Kushtetuese.

Ai në tryezë tha se shkeljet e Kushtetutës nga qeverisja aktuale janë me tendencë.

“Veçanërisht për sa i përket për shembull motiveve ose tendencës që e kanë, nuk e kanë fisnike sepse shkelja siç u tha nuk domethënë që gjatë veprimtarisë administrative ose ekzekutive nuk prodhon shkelje, por kur shkeljet bëhen për motive jofisnike, ato duhet të shqetësojnë të gjithë shoqërinë në përgjithësi, e veçanërisht shoqërinë civile, siç edhe kanë ndodhur në rastin konkret”, tha Fetahu.

“Java Kundër Korrupsion 2023”, e cila po mbështetet nga Departamenti i Shtetit Amerikan – Byro për Çështje të Narkotikëve Ndërkombëtarë dhe Zbatimit të Ligjit (INL), do vazhdojë me aktivitete të ndryshme që po organizohen nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Lëvizja Fol dhe Iniciativa për Progres (INPO).

 

Raporti i publikuar: “Kushtetutshmëria në qeverisje”.