Prishtinë, 28 prill 2023 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Rockefeller Brothers Fund (RBF) ka mbajtur tryezë diskutimi ku është prezantuar raporti: DOBËT: Raport i monitorimit të punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2022”.
Në hapje të konferencës për media, zv. Drejtori Ekzekutiv i IKD, Betim Musliu, ka thënë se ky raport është rezultat i monitorimit të drejtpërdrejtë dhe sistematik që IKD i ka bërë punës së Kuvendit të Kosovës nga mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit dhe të seancave parlamentare.
Gjatë konferencës për media, Naim Jakaj, autor i raportit, ka theksuar se Kuvendi nisi 2022-ën pa miratimin e Programit të Punës, 53 për qind e seancave të rregullta ishin me vazhdime. “Viti 2022 karakterizoi Kuvendin e Kosovës me numër të madh të pikave të rendit të ditës nga seancat e mbetura nga viti 2021. Seancat e rregullta të Kuvendit u karakterizuan vazhdime të shumta të seancave, që përbëjnë 53% të totalit të seancave të rregullta”, shtoi Jakaj. Sipas tij, Kuvendi i ka përfunduar 54 pika të rendit të ditës, ndër to edhe 19 projektligje, për vitin 2022. Rrjedhimisht ato do të trajtohen në seancat plenare për vitin 2023.
Sa i përket llogaridhënies së Qeverisë përballë Kuvendit, Jakaj tha se Kuvendi u injorua nga Qeveria, përderisa Kryetari i Kuvendit apo Kryesuesi i seancës nuk morën masa ndaj Qeverisë, ashtu siç kërkohet me Rregullore.
Kuvendi nuk arriti të shqyrtojë dhe votojë me kohë raportin me rekomandime lidhur me zbatimin e Ligjit nr.05/L-003 për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të Cilëve u Kufizohet Lëvizja me Vendim të Gjykatës, për shkak të mungesës së kuorumit. Përkundër që gjetjet nga monitorimi i këtij ligji, janë obligative për qeverinë, ajo nuk i adresoi ato në buxhetin për vitin 2023, tha Jakaj.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i pranishëm në këtë tryezë, tha se raporti i IKD-së identifikon mangësitë e punës së Kuvendit dhe të deputetëve, prandaj sipas tij këtë raport e sheh “si raport i cili e ka qëllimin e mirë që me avancu dhe me përmirësu punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
Sipas Kryetarit Konjufca, problem i funksionimit të Kuvendit të Kosovës është sjellja e deputetëve, përkatësisht sjellja e të zgjedhurve të popullit.
Sipas tij, Kushtetuta, Ligji për Detyra dhe Përgjegjësi të deputetit dhe Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës janë 3 dokumentet më të rëndësishme të deputetit, të cilat e definojnë deputetin fuqishëm si një subjekt të pavarur, i cili duhet t’i nënshtrohet vetëm ndërgjegjes së tij.
“Dhe unë mendoj që kjo prej shumicës së të zgjedhurve të popullit është keqkuptu, kjo mendohet në një interpretim absolutist t’i nënshtrohet vetëm ndërgjegjes së tij. Sikur nënkuptohet që me ju nënshtru ndërgjegjes askujt tjetër sikur e nënkupton se nuk i përfill as rregullat, as obligimet sepse i nënshtrohet vetëm ndërgjegjes të tij, jo edhe rregullave, jo edhe obligimeve, jo edhe detyrimeve që vijnë prej këtyre dokumenteve”, tha Konjufca.
Në fjalën e saj, Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje tha se në Grupin e tyre Parlamentar 50% e deputetëve janë për herë të parë, ndërsa në total 40% të deputetëve kanë mandatin për herë të parë, e që tregon domosdoshmëri për aftësim të domosdoshëm, në mënyrë që puna të jetë më efektive dhe më profesionale.
Kusari-Lila ka thënë se ngecjet janë evidente që vazhdojnë të përcjellin punën e Kuvendit përkundër se është institucion për mbi 22 vite në aspektin e administratës dhe kapaciteteve, sipas saj kanë i mungesë apo mangësi në kapacitete fizike.
“Ne kemi mungesë apo mangësi në kapacitetet fizike. Deputetët e Kuvendit të Kosovës, përjashto kryetarët e Komisioneve dhe shefat e grupeve parlamentare nuk kanë zyre të tyre”, tha ajo.
Ajo ka shtuar se ekziston një diskrepancë midis numrit të deputetëve dhe stafit mbështetës në kuptimin profesional, jo vetëm në kuptimin teknik, jo për të qenë aty për t’i ofruar deputetit ose deputetes materiale ose veç për të përcjell informata për të qenë aty për të udhëzuar.
Zëvendëskryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Driton Selmanaj, i pranishëm në këtë tryeë tha se problemi më i madh në Kuvendin e Kosovës është te shkrimi i keq i ligjeve. Sipas tij, Kuvendi ka dështuar për faktin se funksionojnë pajisjet e Parlamentit të Kosovës dhe nuk dihet se kush qysh voton.
Selmanaj ka kritikuar qeverinë për qasjen injoruese ndaj Kuvendit, ndaj trajtimit të çështjeve të mëdha. “Tre-katër herë Kryeministri na cakton orën kur me ardhë, ai edhe kur del prej seancës kjo është e papranueshme nuk ka punë më të madhe sesa Kuvendi për Kryeministrin, sidomos në seanca kur thirret për transparencën që opozita i vlerëson”, shtoi Selmanaj.
Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri tha se raporti i IKD-së është pasqyrë e secilit në Parlament. “Ky raport është pasqyra e secilit prej nesh, kush don me u këqyr në pasqyrë për 2022-ën, mundet me pa veten në këtë raport, individualisht, si Grup Paralamentar”, shtoi Tahiri.
Në lidhje me gjuhën jo parlamentar, ai tha gjuha dhe veprimet parlamentare, janë bërë pengesë e madhe në zhvillimin e punës në Kuvend. Tahiri tha se përveç që ekziston një kod profesional etik për gjuhën joparlamentare, është edhe një kod kombëtar që duhet të ruhen vetë për çështje të tilla.
I pranishëm ishte edhe zv. Kryetari i grupit parlamentar MULTIETNIK, Erxhan Galushi i cili tha se problematikë mbetet mungesa e përkthyesve në gjuhën e disa komuniteteve jo shumicë.
“Arsyeja pse po e potencoj këtë është se si qytetarë, me Kushtetutë, kanë të drejtë të informohen, sidomos nga ata të zgjedhurit, në gjuhën që i preokuptojnë çështjet që ata i prekin drejtpërsëdrejti”, tha Galushi.
Raporti i publikuar sot, evidenton edhe probleme të tjera me të cilat përballet Kuvendi i Kosovës.
24 deputetë të Kuvendit nuk kanë mbajtur asnjë fjalë gjatë vitit 2022, shumica e deputetëve serbë, 18 prej 19 nuk kanë mbajtur asnjë fjalim për gjatë një viti, 11 deputetë gjatë 2022-ës kanë probleme me ligjin, dështimi i Kuvendit në përzgjedhjen e zyrtarëve në 18 institucione, dështimi i Kuvendit në trajtimin e kërkesave dhe raporteve të institucioneve kushtetuese dhe agjencive të pavarura, papërgjegjësinë e ministrave për t’u përgjigjur deputetëve për ccështjet që ata ngritin tek pyetjet parlamentare, dështimi i kuvendit në mbrojtjen e grave etj.
Të pranishëm në këtë tryezë ishin edhe zyrtarë të lartë nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë, media vendore dhe ndërkombëtare.
Raporti i publikuar: DOBËT – Raport i monitorimit të punës së Kuvendit të Kosovës për vitin 2022