Prishtinë, 31 korrik 2024 – Kuvendi i Republikës së Kosovës edhe në sesionin pranveror për vitin 2024 ka dështuar të përmbush rolin e tij kushtetues.
Në sistemet kushtetuese parlamentare, Kuvendi luan një rol të veçantë në funksionimin e demokracisë dhe në ruajtjen e balancit të pushteteve shtetërore. Kuvendi është organi kryesor legjislativ, përgjegjës për miratimin e ligjeve dhe politikave që udhëheqin vendin dhe në anën tjetër mbikëqyrës ndaj Qeverisë dhe ndaj organeve që votohen nga po Kuvendi. Sipas Kushtetutës së Kosovës, deputetët e Kuvendit janë të zgjedhur nga qytetarët, dhe kështu, ata përfaqësojnë interesat dhe nevojat e tyre, duke u siguruar që legjislacioni të jetë në përputhje me parimet kushtetuese, demokratike dhe standardet ndërkombëtare. Kushtetuta e Kosovës, Kuvendit mes tjerash i ka garantuar edhe rol mbikëqyrës, duke siguruar që ekzekutivi të veprojë në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe me standardet ndërkombëtare.
Sikurse, në vitet paraprake, edhe në sesionin pranveror të këtij vitit, puna e Kuvendit është karakterizuar nga mungesa e vazhdueshme e kuorumit, nga vendimmarrjet në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, në disa raste nga vendimmarrjet e kundërligjshme, nga cenimi i vazhdueshëm i institucioneve të pavarura me rastin e raportimit në mbledhjet e komisioneve parlamentare, nga ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë përmes deklaratave publike nga ana e deputetëve të Kuvendit dhe nga kabineti qeveritar, nga mungesa e transparencës së plotë në çështje kyçe të punës së kuvendit, nga mungesa e dobët e mbikëqyrjes parlamentare, nga injorimi i qeverisë përballë deputetëve dhe nga gjuha joparlamentare, seksiste, raciste, mizogjene dhe homofobe.
Lidhur me planifikimin e punëve, Kryesia e Kuvendit ka dështuar që ta propozojë në seancës plenare programin e sesionit të punës, e po ashtu edhe kalendarin e punimeve njëmujore të Kuvendit. Për pasojë kjo situatë solli edhe problemin e vazhdueshëm të mosefikasitetit në shqyrtimin dhe miratimin e pikave të rendit të ditës, mosefikasitet që u bartë nga një vit në tjetrin. Vet sesioni pranveror filloi me 30 pika që u bartën nga viti 2023. Sa i përket mungesës së kuorumit, ai prodhoi mosefikasitet, dhjetëra vazhdime të seancave të rregullta të cilat nuk arritën të përfundojnë për shkak të mungesës se vazhdueshme të kuorumit, fillimisht nga shumica parlamentare, e më pas edhe nga mungesa e deputetëve thirrës të këtyre seancave, kryesisht opozitës parlamentare.
Në mungesë të një planifikimi adekuat, nga sesioni pranveror kanë mbetur pa u trajtuar tridhjetë (30) pika të rendit të ditës të cilat ishin në shqyrtim e sipër, ku në mesin e këtyre pikave ishin edhe votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procedurat e prokurimit të negociuara pa publikim të njoftimit për kontrat, në ministri dhe në ndërmarrje publike qendrore, themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive ambalazhuese të ujit, si dhe mënyrën dhe bazën e shlyerjes së borxheve nga Ministria e Mjedisit, votimi për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar mbi përgjegjësitë ekzekutive të Ministrisë së Drejtësisë në raport me zjarret e dyshimta në Institutin e Mjekësisë Ligjore, zhdukjen e mostrave në rastin e Astrit Deharit dhe çdo veprimi e mosveprimi të kësaj ministrie që ka cenuar pavarësinë dhe përgjegjësitë ligjore të këtij instituti, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, shqyrtimi i Projekt-Rezolutës për tre vjet qeverisje, zgjedhja e mandatit të një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit shqiptar dhe emërimi i shtatë (7) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Pa u miratuar në këtë sesion kanë mbetur edhe dymbëdhjetë (12) projektligje, ku bën pjesë edhe Projektkodi Civil që pas Kushtetutës është ligji ma i rëndësishëm i një vendi. Ndërsa pa u votuar kanë mbetur edhe disa raporteve të institucioneve të pavarura, raporte me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve dhe raporti për performancën e ndërmarrjeve publike për vitin 2022.
Sa i përket transparencës, edhe në sesionin pranveror Kuvendi ka dështuar të rregullojë çështjen e votimit elektronik në seancë plenare, të transmetojë në kohë reale mbledhjet e komisioneve parlamentare dhe të publikojë dokumentet e mbledhjeve të Komisioneve Hetimore Parlamentare. Për më tepër, edhe pse është obligim nga Rregullorja e Punës, Kuvendi nuk është duke i publikuar votimet për vendimet e veta, kur votimet bëhen me ngritje të dorës.
Në lidhje me aktivitet legjislative, IKD vlerëson se Kuvendi kishte mungesë të efikasitetit, procedoi dhe votoi ligje në kundërshtim me Kushtetutën dhe nuk mori parasysh vërejtjet dhe komentet e shoqërisë civile, e po ashtu të ambasadave në Kosovë.
Në secilën seancë plenare, projektligjet janë bartur nga një seancë në tjetrën për shkak të mungesës së kuorumit. Gjatë sesionit pranveror, më shumë se 60% e projektligjeve janë përcjellë nga një seancë në tjetrën. Krejt kjo, si pasojë e mungesës së deputetëve të shumicës parlamentare e më pas edhe mos votimit të deputetëve të opozitës parlamentare. Në këto rrethana, IKD vlerëson se ka munguar edhe gatishmëria për t’u konsultuar partitë politike opozitare, nga partia që udhëheq me Kuvendin dhe Qeverinë që për projektligje të rëndësishme siç janë marrëveshjet ndërkombëtare të mos zvarriten, por të votohen në kohën e duhur.
Gjatë sesionit pranveror, deri në seancën e fundit plenare në këtë sesion, Kuvendi miratoi në tërësi 36 projektligje, prej të cilave 21 të proceduara nga viti 2023 dhe 15 të proceduara në vitin 2024.
Në raport me zbatimin e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi vazhdoi të shkelë aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin për Pagat dhe Ligjin për Zyrtarët Publik, ku GjK kishte caktuar afatin prej gjashtë muajve për t’i bërë ndryshimet e kërkuara. Për më tepër, ndryshimet në Ligjin për Zyrtarët Publik përmbajnë shkelje kushtetuese, kështu Kuvendi vazhdon duke mos marrë në konsideratë qëndrimet e Gjykatës Kushtetuese.
IKD i rikujton Kuvendit se vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë karakter detyrues dhe kanë pasoja juridike. Ato duhet të respektohen nga institucionet e përfshira dhe të zbatohen sipas afateve dhe kërkesave të caktuara. Moszbatimi i tyre përbën shkelje kushtetuese, dëmton demokracinë dhe sundimin e së drejtës dhe nuk mund të rishikohet nga asnjë institucion, përfshirë edhe vet gjyqësorin.
Në këtë sesion, dy ligje të rëndësishme u dorëzuan në Gjykatën Kushtetuese për t’u vlerësuar kushtetutshmëria e tyre: Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave.
Kuvendi i Kosovës injoroi vërejtjet dhe komentet e shoqërisë civile në lidhje me miratimin e Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave.
Raporti i IKD-së, për këtë projektligj tregon se pavarësia e garantuar kushtetuese për Këshillin për Mbrojtjen e Mediave (KPM) është kërcënuar nga varësia e tij ndaj partisë në pushtet. Ligji i ri për KPM-në është miratuar pa mbështetje nga opozita, me kritika nga partnerët ndërkombëtarë, mediat, dhe shoqëria civile, duke injoruar standardet e konsultimit publik dhe duke e politizuar këtë institucion, i cili do duhej të mbronte demokracinë dhe lirinë e mediave në Kosovë.
Sipas këtij raporti, ligji i ri i shërben partisë në pushtet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë mbi KPM-në, duke e bërë të lehtë politizimin e përbërjes së tij dhe duke lejuar një procedurë të lehtë për shkarkimin e anëtarëve nga Kuvendi. Roli i Kuvendit në KPM arrin deri në nivelin që të zgjedhë Kryetarin e saj, përkundër faktit se kjo nuk ndodhë me institucionet e tjera kolegjiale dhe përkundër faktit se kompetenca e KPM-së për zgjedhjen e Kryetarit të saj është kompetencë e natyrshme e një institucioni kolegjial. Këto ndryshime reflektojnë një qasje që e dobëson rolin e pavarur të KPM-së dhe e ekspozon atë ndaj ndikimeve dhe keqpërdorimeve të mundshme, të qeverisë mbi institucionet që nuk do duhej të kishte ndikim.
Kuvendi vazhdon të dështojë në shqyrtimin e iniciativave qytetare. Që nga viti 2021, një nismë legjislative e mbështetur nga më shumë se 10 mijë qytetarë është dërguar tek deputetët e Kuvendit të Kosovës, por ende nuk është shqyrtuar për shkak të mungesës së caktimit të një deputeti për ta prezantuar këtë iniciativë, nga përfaqësuesi i nismës. Ky përfaqësues i kësaj iniciative, ka njoftuar Kryetarin dhe Kryesinë e Kuvendit se qëllimi i tij është që të prezantojë personalisht projektligjin para deputetëve dhe popullit, duke iu referuar mundësisë që i lejon Ligji për Nisma Legjislative. Lidhur me këtë rast Kuvendi nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim që të ftojë përfaqësuesin e iniciativës në prezantim, kështu duke lënë pezull vullnetin e më shumë se 10 mijë qytetarëve.
Sa i përket mbikëqyrjes parlamentare, IKD gjen se Kuvendi nuk arriti ta ushtrojë këtë rol të rëndësishëm të jetës parlamentare. Ndryshimet e reja me Rregulloren e Kuvendit, përfshijnë mundësinë e organizimit të seancës së veçantë për parashtrim të pyetjeve parlamentare, e ku këtë mundësi e shfrytëzuan minimumi i deputetëve të Kuvendit, në shumicën e rasteve parashtrimi i pyetjeve parlamentare u bë nga deputetët e shumicës parlamentare.
IKD, gjen se Kuvendi u injorua nga ministrat e qeverisë sa i përket përgjegjësisë së tyre para deputetëve tek pyetjet parlamentare. Sikurse, në vitet paraprake, ministrat që prijnë për mospërgjigje janë Ministri i Punëve të Brendshme dhe Ministrja e Punëve të Jashtme që në këtë sesion nuk janë përgjigjur në pyetjet e deputetëve, pavarësisht obligimit ligjor për ta bërë një gjë të tillë. Në anën tjetër, Kryetari i Kuvendit dhe kryesuesit e seancave plenare, në asnjë moment nuk shqiptuan vërejtje ndaj kabinetit qeveritar për mospërfillje të Kuvendit, për shkak të mos pranisë së tyre në seanca dhe për mos arsyetimin e mungesës së tyre.
IKD gjen po ashtu se për mos procedimin e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, brenda afateve të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese, asnjë pyetje parlamentare nuk u parashtrua nga deputetët e Kuvendit ndaj Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.
Në raport me zhvillimet rreth dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, IKD gjen se ka munguar qasja proaktive e Kryeministrit dhe e Zëvendëskryeministrit për të raportuar mbi zhvillimet në dialog. Mungesa e raportimit të një kryeministri para parlamentit për dialogun ndërmjet shtetit të tij dhe një shteti tjetër, paraqet mangësi të thellë të transparencës, llogaridhënies dhe kontrollit demokratik të institucioneve. Në situatën kur një kryeministër nuk i paraqet parlamentit detaje mbi negociatat, krijohet një hendek në komunikimin dhe përgjegjshmërinë e qeverisë.
Në raport me komisionet hetimore, shumica parlamentare pamundësoi në vazhdimësi themelimin e disa komisioneve hetimore, ndërsa puna e disa komisioneve hetimore u përcoll me probleme që u bartën nga seancat plenare, siç është mungesa e kuorumit, përplasjet dhe polarizimi i skajshëm ndërmjet deputetëve, bojkoti i deputetëve të shumicës parlamentare, si dhe përdorimi i gjuhës joparlamentare në këto komisione.
IKD, rikujton se në mbledhjet e komisioneve hetimore, sjellja e deputetëve duhet të jetë në përputhje me standardet e etikës dhe profesionalizmit parlamentar. Deputetët janë të ngarkuar me përgjegjësinë për të zbuluar të vërtetën dhe për të siguruar që proceset ligjore dhe administrative të ndjekin normat dhe parimet e drejtësisë e transparencës. Ata duhet të tregojnë respekt ndaj procedurave ligjore dhe dëshmitarëve të ftuar, të përmbahen nga përdorimi i gjuhës joparlamentare dhe të evitohen sulmet personale ose ofendimet. Deputetët duhet të demonstrojnë një nivel të lartë të përgjegjësisë dhe të respektojnë etikën dhe procedurat e punës në mënyrë që mbledhjet e komisioneve hetimore të jenë të efektshme dhe të drejta.
Edhe pse pati kohë të mjaftueshme prej një viti e nëntë muaj, për ta hartuar një kod në pajtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe standardet ndërkombëtare, Komisioni për Legjislacion nuk arriti të hartojë dhe të dërgojë në seancë plenare një draft të Kodit të Sjelljes në pajtim me këto dokumente. Draft Kodi aktual për sjelljen e deputetëve ka disa probleme që ndikojnë në efektivitetin e tij dhe në përputhshmërinë me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe standardet demokratike. Në vend që të fokusohet në ngritjen e standardeve etike dhe krijimin e një kulture politike, kodi i propozuar përqendrohet në sanksione për deputetët, si përjashtimet nga seancat dhe dënimet financiare, që mund të dëmtojnë përfaqësimin demokratik dhe të çojnë në abuzime nga shumica parlamentare. Gjithashtu, ndëshkimet financiare të propozuara tejkalojnë rregullat e Rregullores së Kuvendit dhe mund të jenë të padrejta për deputetët e pasur, rrjedhimisht duke zhvendosur fokusin nga parimet e sjelljes në ndëshkime monetare.
Për më tepër, draft kodi nuk adreson aspekte të rëndësishme si procedurat e ankesës ndaj vendimeve të Këshillit të Etikës, ndarjen e rolit dhe përbërjen e këtij këshilli, si dhe krijimin e një raporti të rregullt vjetor për të siguruar transparencën dhe llogaridhënien. Draft Kodi gjithashtu ka probleme në përcaktimin e mënyrës së dorëzimit dhe njoftimit të kodit për deputetët dhe si i tillë ai përmban dispozita të panevojshme që janë të përfshira tashmë në ligje ekzistuese. Komisioni për Legjislacion duhet të rishikojë draftin dhe të bëjë ndryshime për të përmirësuar funksionalitetin dhe përputhshmërinë e tij me standardet demokratike.
Gjithashtu, rikujtojmë se në këtë sesion, Gjykata Kushtetuese rrëzoi në tërësi Ligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, Ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës dhe Vendimin e Kuvendit për shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.