Prishtinë, 21 shkurt 2025 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) përmes një konference për medie ka publikuar raportin “Dënimet me gjobë – “Leje”për armëmbajtje”, i cili raport paraqet një analizë të trajtimit të rasteve gjyqësore të veprave penale të armëve. Konkretisht, ky raport paraqet gjetjet nga analizimi i 150 aktgjykimeve të 7 Gjykatave Themelore dhe 46 aktgjykimeve të Gjykatës së Apelit.
Hapja e konferencës u bë nga hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala, kurse prezantimi i gjetjeve të këtij raporti u bë nga hulumtuesja e IKD-së, Zamira Krasniqi.
Krasniqi foli rreth gjetjeve të raportit lidhur me politikën ndëshkimore, ku tha se në 147 raste të armëmbajtjes pa leje, janë shqiptuar 128 dënime me gjobë, 18 dënime me kusht, ndërsa vetëm në një rast është shqiptuar dënim me burgim.
Mes tjerash, Krasniqi theksoi edhe se lartësia e gjobës vazhdon të mbetet e ulët në krahasim me maksimumin që e parasheh Kodi Penal i Republikës së Kosovës. Sipas saj, për vitin 2022 mesatarja e lartësisë së gjobës ka qenë 623 euro, në vitin 2023 ka qenë 601 ndërsa në vitin 2024 kjo mesatare ishte 857 euro.
“Marrë parasysh këto mesatare, Gjykatat kanë injoruar sanksionimin ligjor të kësaj vepre e që është e dënueshme me gjobë deri në 7500 euro dhe deri në 5 vite burgim, dhe dënimet e shqiptuara më tepër ngjajnë me një praktikë jashtë ligjore dhe shabllone të krijuara nga Gjykata se sa dënimeve ligjore në përputhje me rrethanat e specifikat e secilit rast”, shtoi Krasniqi.
Ndërkaq, për gjetjet e IKD-së lidhur me cilësimin e veprave penale ajo tha se në 6 raste Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuzë vetëm për përdorim të armës e jo edhe për armëmbajtje pa leje. Mirëpo, sipas tij, ka raste kur ka ndodhur edhe e kundërta.
“IKD ka evidentuar 3 raste kur Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuzë vetëm për armëmbajtje pa leje, pavarësisht se në dispozitiv të aktakuzës theksohet përdorimi i armës. Në këtë mënyrë, Gjykata të akuzuarit i ka dënuar për një vepër e i ka amnistuar për tjetrën” theksoi Krasniqi.
Ndërsa, lidhur me aplikimin e rrethanave lehtësuese, u theksua se pranimi i fajësisë është aplikuar në 145 raste, pendimi 76 herë, derisa tha se padënueshmëria është aplikuar në 75 raste.
Sa i përket recidivizmit, gjetjet e IKD-së, tregojnë se në 5 raste personat e akuzuar për armëmbajtje pa leje kanë qenë të dënuar edhe më parë për vepra të tjera penale, e që vazhdimisht janë dënuar vetëm me gjobë.
Kështu, raporti thekson se ka pasur mosrespektim të Udhëzuesit të Gjykatës Supreme për Politikën Ndëshkimore, duke sqaruar se Gjykatat Themelore nuk i kanë marrë për bazë qëllimet e dënimit të parapara me këtë udhëzues, por se vetëm i kanë përmendur duke mos dhënë asnjë shpjegim mes qëllimeve dhe dënimit të shqiptuar.
Më tej, gjetjet e IKD tregojnë se për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, në 4 raste nuk është bërë konfiskimi i armës, kështu duke mos zbatuar obligimin ligjor për largimin e armës.
Në fund, Krasniqi tha se nga kjo analizë rezulton edhe se në 11 raste kur Prokurori i Shtetit ka bërë ankesë për shkak të llojit të dënimit dhe lartësisë së dënimit, në 5 prej tyre Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e Prokurorisë, përderisa në 6 raste tjera ka ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë duke ndryshuar vlerën e dënimit me gjobë për veprën e armëmbajtjes pa leje por që në asnjë rast nuk ka shqiptuar dënim me burgim efektiv.
Andaj, në fund u theksua se nga këto gjetje del të jetë se as Gjykata e Apelit nuk ka pasur interesim që të ndryshohet tradita e Gjykatave Themelore, duke e pranuar si praktikë të miirëfilltë shqiptimin e dënimit me gjobë në rastet e armëmbajtjes pa leje.
Raportin e publikuar e gjeni në këtë link.