IKD: Prokurori dhe Gjykatë Speciale e pavarur për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar

IKD: Prokurori dhe Gjykatë Speciale e pavarur për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar

IKD: Prokurori dhe Gjykatë Speciale e pavarur për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka publikuar analizën e politikave “Prokuroria dhe Gjykata Speciale e Republikës së Kosovës: Analizë e politikave dhe ligjeve rreth ndikimit politik në sistemin e drejtësisë, mungesës së rezultateve në luftimin e kriminalitetit dhe nevojës për krijimin e një Prokurorie dhe Gjykate Speciale me mandat ekskluziv dhe të kufizuar kohor në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Republikën e Kosovës” Gjetjet e monitorimit dhe hulumtimit sistematik në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe propozimet konkrete për herë të parë për krijimin e Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar janë prezantuar nga z.Betim Musliu – drejtor ekzekutiv, z. Ehat Miftaraj – hulumtues i lartë dhe znj. Diana Berisha – hulumtuese në IKD.

Gjetjet e IKD-së, dëshmojnë se retorika në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar asnjëherë nuk ka munguar nga të gjithë drejtuesit e institucioneve dhe agjencioneve të pavarura në Republikën e Kosovës. Megjithatë, ndikimi i skajshëm politik dhe mungesa e rezultateve konkrete e kanë cenuar rëndë integritetin e sistemit të drejtësisë, i cili ka ndikuar në humbjen e besimit të publikut dhe qytetarëve, për sundim të ligjit, respektivisht për sistemin e drejtësisë në Kosovë, me të cilin janë të kënaqur vetëm rreth 15 % e qytetarëve. Për shkak të mos luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar qytetarët e Kosovës mbesin të vetmit në Evropë të izoluar pa të drejtë lëvizje pa viza në shtetet e BE-së.

IKD vlerëson se në këtë situatë të krijuar, e cila shpesh shihet e pashpresë, nevojitet krijimi i një Prokurorie dhe Gjykate Speciale, si institucione tërësisht të pavarura, me mandat të kufizuar, me staf të rekrutuar nga bashkësia ndërkombëtare, përkatësisht SHBA dhe Britania e Madhe. Për më tepër rreth kësaj zgjidhje për Kosovën, IKD ofron modelin e ngjashëm të këtyre institucioneve, sikurse Maqedonia.

Modeli i Maqedonisë dëshmon se në shtete me demokraci të brishtë, ku me vite apo dekada të tëra është instaluar kultura e pandëshkueshmërisë, ndërtimi i rrjetit apo klaneve të interesit në sferën politike, ekonomike, biznesore, nepotizmi, politizimi i institucioneve të pavarura si policia, prokuroria dhe gjykatat, etj, intervenimi dhe ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar është qenësore, përfshirë shprehjen e vullnetit të spektrit të gjerë politik, për depolitizimin e policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit.

Respektivisht, intervenimi është parakusht për të ri-vendosur në radhë të parë demokratizimin e vet institucioneve publike dhe shtetërore, dhe qeverisjen e mirë përmes depolitizimit të policisë, prokurorisë dhe gjykatave.

Themelimi i një mekanizmi të ri, duke u bazuar në kriteret e më poshtme, do të ndikonte që në kuadër të sistemit të drejtësisë të instalohej po ashtu parimi i konkurrencës mes institucioneve të hetimit, ndjekjes dhe gjykimit të rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë kontroll dhe mbikëqyrje të këtyre institucioneve.

Për këtë zgjidhje, nevojitet amandamentimi i Kushtetutës lidhur me themelimin e një Prokurorie dhe Gjykate Speciale, duke marr për bazë modalitetin e Maqedonisë. Një marrëveshje e tillë duhet të ketë konsensus dhe përkrahje të plotë të partive më të mëdha politike në Kosovë.

Kompetencat dhe përgjegjësitë e kësaj Prokurorie dhe Gjykate Speciale nuk do të ndërhyjnë në asnjë rrethanë në kompetencat dhe përgjegjësitë e Gjykatës Speciale në Hagë të themeluar nga Kuvendi i Kosovës.

Themelimi i Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale duhet të kufizohet në një kohë të caktuar dhe për vepra penale të caktuara që janë me interes për Shtetin e Kosovës, dhe këto dy institucione duhet të kenë pavarësi të plotë nga institucionet aktuale nga KGJK, KPK, PSh, dhe supremaci ndaj PSRK.

Kompetencat e kësaj prokurorie dhe gjykatë do të jenë vetëm veprat penale që hyjnë në kuadër të këtyre kapitujve: Kapitulli XXIV krimi i organizuar, Kapitulli XXXIV Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare dhe Kapitulli XXXII – Veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike.

Prokuroria duhet të ketë të drejtën të marr nën kompetencën e saj në çdo fazë të procedurës, lëndët që kanë filluar apo janë në punë nga prokuroritë themelore apo PSRK.
Prokuroria do të ketë policinë gjyqësore e cila do të veproj ekskluzivisht nën urdhrat e Prokurorisë dhe nuk do të ketë asnjë obligim ligjor ndaj strukturës apo menaxhmentit të Policisë së Kosovës.

IKD beson fuqishëm se krijimi i kësaj Prokurorie dhe Gjykate Speciale nuk do të jetë barrë e buxhetit, sepse këto institucione brenda një periudhe të shkurtë kohore bazuar në rezultatet që pritet të shënojnë, do të nxjerrin shumëfish buxhet më shumë sesa financimi i tyre. Përkundrazi këto institucione do të jenë fitimprurëse për buxhetin e shtetit dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, përmes kthimit të buxhetit në arkën e shtetit, e cila është përfituar përmes aktiviteteve kriminale korruptive.

Parimet për themelimin e Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

Themelimi i Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale duhet të bazohet në këto parime: Kritere dhe procedura të veçanta lidhur me procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Prokurorisë dhe Kryetarit të Gjykatës dhe rekrutimin e prokurorëve dhe gjykatësve;

Verifikimi i së kaluarës së kandidatëve që aplikojnë për pozitën e Kryeprokurorit, kryetarit të gjykatës, prokurorëve dhe gjykatësve, verifikim i cili do të bazohet në standarde ndërkombëtare që sigurojnë verifikimin e potë të integritetit personal dhe profesional të kandidatëve. Çdo prokuror i prokurorisë do të ketë në dispozicion së paku dy ose tre polic hetues që do të punojnë nën urdhra të prokurorit. Policët hetues të caktuar do të kalojnë përmes procesit të verifikimit. Çdo gjykatës do të ketë së paku dy bashkëpunëtor/e profesional dhe një zyrtar ligjor/e.

Procesi i rekrutimit dhe emërimit për prokuror dhe gjykatës të udhëhiqet ekskluzivisht nga faktori ndërkombëtar, respektivisht nga SHBA dhe Britania e Madhe. Prokuroria dhe Gjykata për punën dhe rastet e tyre nuk do të kenë asnjë obligim për të raportuar para KPK, KGJK apo Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit;

Juridiksioni kohor i prokurorisë të kufizohet brenda 5 viteve nga themelimi i saj të finalizoj dhe paraqes aktakuzat në gjykatë, me mundësi vazhdimi varësisht prej rezultateve.
Faktori ndërkombëtar në bashkëpunim me partitë politike të caktojnë një komision të përkohshëm i përbërë nga vendor dhe ndërkombëtar, pranë të cilit do të raporton prokuroria dhe gjykata. Raportimi duhet të jetë i rregullt në baza gjashtë mujore dhe vjetore. Raportimi duhet të jetë lidhur me rezultatet. Kuvendi i Kosovës duhet të ndaj buxhet të mjaftueshëm për funksionalizimin e prokurorisë dhe gjykatës. Prokurorët dhe gjykatësit të kenë mbrojtjen adekuate shtetërore në mënyrë që të njëjtit të ushtrojnë kompetencat dhe përgjegjësitë në mënyrë të pavarur dhe paanshme.

Shkarko punimin e IKD-së.