Prishtinë, 2 nëntor 2019 – Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan – Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) dhe NED-it, të shtunën ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka publikuar raportin: “Prokurorët në Kosovë ngrisin aktakuza ndaj të vdekurve”.
Ehat Miftaraj drejtor ekzrkutiv i IKD-së tha se ky raport analitik është si rezultat i monitorimit dhe hulumtimit sistematik të rasteve penale nga organet e drejtësisë në Kosovë, të cilat vetëm gjatë dy viteve të fundit kanë ngritur një numër të konsiderueshëm të rasteve të ngritjes së aktakuzave ndaj personave të vdekur, gjë që sipas tij është e papranueshme dhe dëshmon për një zingjir dështimesh në procedurën hetimore.
Arrita Rezniqi hulumtuese në IKD, tha se ngritja e aktakuzave ndaj personave të vdekur, dëshmon se procedura e hetimeve nga prokurorët në vendin tonë nuk kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e kërkuara. “Madje aktakuzat ngritën pa kryer hetime fare dhe as pa i dhënë mundësinë të dyshuarve që të deklarohen apo merren në pyetje lidhur me dyshimet e pretenduara në aktakuzë.”
Rezniqi tha se praktika ka treguar se në rastet e ngritjes së këtyre aktakuzave (të drejtpërdrejta) evidentohen shkelje ndaj të drejtave të të pandehurve dhe njëkohësisht edhe pasoja të tjera. “Në një rast të trajtuar në raport, rezulton se urdhër arresti i lëshuar nga gjykata, si rrjedhojë e aktakuzës së ngritur pas vdekjes së të akuzuarit, është zbatuar gabimisht, duke çuar kështu në arrestimin e një personi krejtësisht tjetër me emër dhe mbiemër të njëjtë me personin që kishte ndërruar jetë.”
Sipas Rezniqit, gjetjet e IKD-së dëshmojnë se në rastet e analizuara të ngritjes së aktakuzave ndaj personave të vdekur, janë evidentuar pasojat që shkaktohen me ngritjen e aktakuzave në këtë mënyrë, duke filluar kështu nga shkelja e të drejtave dhe lirive të njeriut, krijimi i pasigurisë juridike, dëmtimi i imazhit dhe kredibilitetit të sistemit të drejtësisë, si dhe ulja e besimit të publikut lidhur me integritetin dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Yll Zekaj hulumtues i lartë dhe Koordinator i Qendrës për Ndihmë Juridike Falas në IKD, theksoi se me ngritjen e këtyre aktakuzave ndaj personave të vdekur po dëmtohet edhe buxheti i shtetit dhe po krijohet mosbesim nga ana e qytetarëve. “Përveç ato shkelje që u përmenden më herët, kemi edhe pasoja në buxhetin e shtetit, kur e dimë se automatikisht në çdo rast të pushimit të procedurës nga ana e gjyqësorit, e në këtë rast është e domosdoshme kur një i pandehur gjendet i vdekur, atëherë me pushimin e këtyre procedurave dëmtohet drejtpërdrejt buxheti i shtetit. Përveç këtij dëmi, kemi edhe pasoja të tjera, siç është ulja e reputacionit të gjyqësorit, mosbesimi nga ana e qytetarëve dhe dëmtimin e pasigurisë juridike të qytetarëve”.
IKD ka rekomanduar që prokurorët të sigurojnë që mos të cenohet siguria juridike e qytetarëve dhe të zbatojnë në praktikë dispozitat ligjore që garantojnë të drejtat e të pandehurve në procedurë penale.
Për me tepër gjeni të bashkangjitur raportin “Prokuroret ne Kosove ngrisin aktakuza ndaj te vdekurve”..